Suplementi Pena Shqiptare/ Mit’hat Frashëri, Gjeniu i kombit

1063
Mit’hat bej Frashëri (1880-1949) ishte nëpunës i lartë në Perandorinë Osmane, pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë ishte publicist, shkrimtar, përkthyes, albanolog, diplomat, veprimtar i çështjes kombëtare dhe kryetar i Ballit Kombëtar e i Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Lindi në Janinë, më 25 mars 1880. Ishte i biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami Frashërit dhe Naim Frashërit, nga familjet e Frashërit. Ai e njohu shumë pak babain e tij dhe u rrit nën kujdesin e Samiut dhe Naimit. Edukimin akademik e mbaroi në Stamboll. Pas mbarimit të shkollës, deri në vitin 1905, punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore. Ka qenë pjesëtar i klubit të Selanikut. Nisi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX. Një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX. Në vitin 1908, ai fillon botimin e gazetës “Liria” në Selanik. Gjatë kësaj periudhe bashkëpunoi ngushtë me Kristo Luarasin, i cili drejtonte shtypshkronjën/shtëpinë botuese “Mbrothësia”. Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit më 14 nëntor -22 nëntor 1908. Mit’hat bej Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit, kryetar i Komisionit ishte Gjergj Fishta. Në janar 1923 filli detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë. Këtë detyrë e kreu deri në dhjetor 1925. Sipas Mehdi bej Frashërit: “Më 1924-1925 kishte qenë përfaqësues i Shqipërisë në Athinë, i cili interesohej tepër për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve në Çamëri”.Në vitin 1927, filloi të botojë sërisht në Tiranë, revistën “Diturija”, të cilën e kishte themeluar në Selanik më 1909 dhe më vonë në Bukuresht gjatë qëndrimit atje. Në Tiranë themeloi librarinë “Lumo Skëndo”. Ne 4 prill 1929 Mit’hat Frashëri në testamentin e tij thotë: “Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj. i lë për krijimin’ e një “INSTITUTI ALBANOLOGJIE” që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë.”
TËNIE TË URTA NGA MIT’HAT FRASHËRI
Liria është që të mos të trazojë njeri ty dhe ti të mos të trazosh të tjerët.
Meqënëse jeta dhe siguria e secilit është e lidhur me fatin e të gjithë atyre që, së bashku, formojnë kombin, do të na donte shpirti që çdokush të sakrifikojë pesë minuta në njëzet e katër orë dhe të hetojë nga thellësia e vetes së tij se ç’shërbim ka bërë për shoqerinë dhe ç’të mirë mund t’i bëjë kësaj shoqërie që quajmë komb.
Nuk mund të punojmë për vendin tonë, po nuk patëm një dashuri per çdo cep të Shqipërisë.
Patriotizma është një egoizëm. Ajo ndjenjë na shtyn të kërkojmë madhërinë dhe nderin e kombit, se tek ajo madhëri e tek ai nder do të gjejmë ne vetë madhërinë, lumturinë dhe nderin e secilit.
Njerëzit e një kombi janë solitarë. E mira dhe lumturia jote, janë dhe të miat. Fatkeqësia jote është dhe për mua. Nderi yt më nderon edhe mua dhe turpi yt më nxin edhe faqen time.
Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë.
Gjithë vlefta, gjithë fuqia, gjithë virtyti në këtë botë është, puna. Një punonjës për mua është një njeri i madh, qoftë hekuruar, qoftë bujk i palodhur, qoftë artist, ose letrar. Admiroj tek ai sforcim që s’lodhet, vullnetin që nuk dëshpërohet, metodën qe i shton fuqinë dhe durimin, që ia ben punën të ketë duk dhe uratë. Se ai që nxjerr një punë në shesh, ai që krijon një send prej asgjëje, ai pa dyshim ka bekim, ka frymë dhe dritë prej së larti.
Puna, vulneti dhe palodhja ndalojnë shumë të këqia, lin dhe një tok të tjera.
Është i lumtur ai që di dhe mmund të punojë, që di dhe mund të bëjë edhe të tjerët të punojnë.
Që ta zgjojmë frymëm e iniciativës, duhet të pushojmë së shpresuari gjë prej qeverisë.
Disa njerëz nuk duan bisedimin, po u pëlqen vetë-fjalimi (monologu): ata këmbëngulin në idetë e tyre dhe marrin vrapin mbi tezën që u pëlqen. Në gjuhen frënge ka një shprehje të bukur për të tillët:” U pelqen të dëgjojnë veten e tyre”.
Bisedimi është një dëfrim shpirti dhe mendjeje,që ndien njeriu duke rrëfyer mendimin e tij dhe duke dëgjuar të tjerët,me pak dëshire,me çelje zemre,mbase,nga një herë,edhe me pak diplomatëri,si lodra e shahut.
Ëmbëlsi e bisedimit është në sforcim që bën njeriu të rrëfejë kthjelltë dhe me elegancë idenë e tij;në përpjekjet që bëjmë të kuptojmë mendimet e tjetrit,të hyjmë në shpirt të tij dhe të identifikohemi me të. Pak njerëz dinë dhe ndjejnë shijen e bisedimit, për të cilin duhet më parë të jemi tolerantë,pa këmbëngulje,të matur dhe pa inat.
Fatkeqësi e njerëzisë vjen nga mungimi i vullnetit. Ai ndalon perfeksionimin moral dhe s’na lë të korrigjojmë të metat tona…Ky përtim moral e mban lidhur njerinë me të metat, fajet. Shumë herë njeriu ,duke rrëkëllyer poshtë, dëshiron të mbytnjë atë zë që vjen së thelli…
Duhet të kemi kurajo të themi të vërtetën, të bardhës- të bardhë dhe të zezës- të zezë.
Është një virtyt i madh të duam të jemi, ashtu si duam, të dukemi ose të rrëfehemi ashtu si jemi.
Ena kallaiset së brendëshmi.
Miqësia s’bëhet kurdoherë me të ngjarë dhe me simpati të karakterit; shumë herë bëhet me të ditur të bëjmë lëshime për mikun, të dimë ta duam ashtu si është, me të mirat dhe të ligat e tij.
Sigal