Sigal

Mirela Karabina

Paskam gabuar, paskam paragjykuar ata që kanë ndarë mendime e ndjesi për familjarët e tyre. Dhe, unë sot jam një nga ata që dua të tregoj dhe të flas, në fakt, unë dua të bërtas, që zëri im të sokëllijë, të oshëtijë, të kaptojë male e të tretet larg në hapësirë, larg në yjësitë. Unë dua t’i tregoj gjithë botës për të shtrenjtin tim, Babain. Dua t’i tregoj se sa baba i mirë dhe i shkëlqyer ishte Ai, se sa gjysh i dashur dhe i mrekullueshëm ishte Ai, se sa bashkëshort model dhe i rrallë ishte Ai, se sa njeri me vlera ishte Ai. Babai im i shtrenjtë! Lindur në Elbasan, më 5 Mars 1933, familja Çërraga do bekohej me nje djalë, Ismailin (Malin). Të shpërfillur nga regjimi komunist, të zhveshur nga pronësitë e tyre, Atij do t’i duhet të bëhej mbështetësi kryesor i familjes së Tij, të merrte një rol të rëndësishëm ende pa u rritur. Ai do të kujdesej për motrat dhe vëllezërit e tij përkrah prindërve, duke punuar. E mori këtë rol që në moshën 15 vjeçare, duke punuar në Fabrikën e Vajit në Elbasan. U kujdes për familjen, i shkolloi motrat dhe vëllezërit, i mbajti të bashkuar duke vazhduar parimet dhe vlerat e trashëguara, dhe e ruajti deri në fund. Fabrika e Vajit (NISH Vaji) do të ishte jeta dhe vepra e tij.

Asgjë nuk kalonte aty pa mendjen e ndritur të tij, pa novatorin Mal Cerraga (këtë fjalë e pëlqente shumë), pa profesionistin me integritet, pa njeriun që ecte vetëm përpara për të bërë më të mirën për familjen e tij, për njerëzit, për vendin e tij, edhe pse ishte gjithnjë i penguar, sepse ishte “kulak”, sepse kishte xhaxhain në Amerikë. Por, Ai sfidoi kohën, nuk u tremb për të ndalur dëshirën dhe vullnetin për të bërë më të mirën, për për të zhvilluar profesionalizmin e tij, me dashurinë për punën dhe njerëzit duke bërë më të mirën në gjithë Shqipërinë, në të gjithë fabrikat e prodhimit të vajit si ideatori dhe teknologu i shkëlqyer i vajit. Edhe tani, në bisedat e tij të përditshme një pjesë të mirë do ta zinte beteja e madhe e arritjeve në punë, “çunat e tij” si i quajti gjithmonë bashkëpunëtorët e tij. Njeriu i thjeshtë me integritet, i palodhur, tolerat, i dashur, bashkëpunues, i dhembshur, luftëtar, besnik, i palodhur, korrekt, rigoroz, profesionist i shkëlqyer, marrëdhënie njerëzore pozitive dhe shumë vlera të tjera do karakterizonin “Usta Malin”, siç e quanin disa, “Mjeshtër” e thërrisnin specialistët shqiptarë dhe të huaj. Dhe, nuk kishte si të ishtë ndryshe “Mjeshtër Mali” dhe në familjen e tij: Një baba shembullor, një baba i shkëlqyer, një baba i dashur, një baba që eci krak për krah me ne, një baba mbështetës pa kufi, një baba që nuk ka çmim, një baba që na bën krenar; një gjysh i dhembshur, i mirë, i dashur dhe mbështetës i fortë; një bashkëshort i rrallë, i dashur, i kujdesur, mbështetës dhe plot dashuri. Na la një pasuri: vlera të patjetërsueshme. Kështu ndërtoi ai perandorinë e tij, familjen e tij mes dashurish dhe vlerash, dhe ashtu vazhdoi , dhe kështu do të vazhdojë….. Falënderoj Zotin që më dha një mundësi shërbimi! Është shumë pak, është asgjë përballë asaj që ka bërë, por është shprehje e dashurisë pa kufi mes vajzës dhe babait, e mirësisë mes nesh, e respektit për prindin e dashur dhe të shtrenjtë, e një detyrimi të bukur ndaj prindit që veç një fëmijë mund ta përmbushë.

Ashtu siç dinte të punonte dhe jetonte vetëm Ai, ashtu dhe qëndroi deri në fund: I qetë dhe pa fjalë, i mençur dhe i kujdesshëm, i dashur dhe i bukur. Folëm vetëm për jetën, luftuam fort që ta jetonim së bashku, u përqafuam shumë gjatë gjithë kësaj kohe, dhe, puthja ishte shprehja e fundit. Kështu do të ndodhte me këtë njeri kaq të mirë, me Babain tim të shtrenjtë. E bukur, e trishtë! Dhimbje e madhe! Por, ai është aty, është Mbreti ynë, është Kapiteni Ynë, është Sybojëqielli ynë, është Zemra jonë, është Shpirti ynë. Jeta të jepka disa mësime të vështira, mësime që je i detyruar t’i mësosh, mësime që tregojnë pafuqinë tonë për të mbajtur njerëzit e dashur mes nesh. Më shumë se kurrë, siguria e takimit në një tjetër jetë të lehtëson pak shpirtin. Por, Kapiteni ynë do të jetë gjithmonë udhërrëfyesi ynë, ai do na drejtojë dhe do na mbrojë, s’ka si të jetë ndryshe. I miri Babai im, I shtrenjti Babai im!