Suplementi Pena Shqiptare/ Mira Meksi: Feneri i Diogjenit dhe romani i patëdytë i Tom Kukës

723
Sigal

Suplementi Pena Shqiptare/ Mira Meksi: Feneri i Diogjenit dhe romani i patëdytë i Tom Kukës 

Një roman i jashtëzakonshëm dhe tronditës për dashurinë e penguar

 “Dalldia e një burri ka pas një grua.

Dalldia e një gruaje ka pas qoftëlargun.”

Në këtë Panair të Librit, lexuesit të mirë do t’i duhej me domosdo“ Feneri i Diogjenit” për të gjetur shkrimtarët e vërtetë, punëtorët e letrave shqipe, ata që i janë përkushtuar me mish e shpirt kësaj zeje të vështirë, ata që prodhojnë në heshtje e pa bujë vepra të mrekullueshme që i bëjnë nder gjuhës dhe kulturës sonë. Ata, për të cilët organizohet kjo festë e bukur e Librit dhe ku pritet që lexuesi, jo vetëm të gjejë veprat e tyre, por edhe të takohet me ta, të njohë zhvillimet letrare të kohës, trendin e tyre, mendimin e kritikës letrare… Porse këtë vit, – simptomat janë parë edhe viteve të shkuara, – rrjetet sociale, të të gjitha llojeve, kanë zbritur në Panairin e Librit, duke e zaptuar (molepsur do të thoshte lexuesi i këtij shkrimi) në formën e një epidemie endemike ( me tipare pan botërore do të thoshte lexuesi). Që do të thotë se, gjithçka që është ushqim për rrjetet sociale dhe atribut i tyre, që nga thashethemet, intimitetet, ndodhitë personale, selfiet gjithfarëshe, ditarët njerëzore të një lloji të veçantë, pse mbahen minutë pas minute, nostalgjitë e viteve të shkuara dhe shoqëria e shkollës, shprazjet e mllefit, të komplekseve, komentet dhe futjehundët në çdo gjë , dhe deri te jeta intime dhe fare intime e çdokujt, shtoji këtyre recetat e gjellëve të peshkuara nga interneti, janë shndërruar në libra trendi, botuar nga botues shumë trendi dhe që kanë autorë supertrendi: star-ët dhe starletat e Tv-ve, apo misset dhe bukuranet gjithfarëshe. A thua se Libri do të ishte  paroksizmi i realizimit të tyre, apo lavdia e gjithëjetshme, apo vetë përjetësia. Tërë arsenali propagandistik i massmedias, që gjeti tek kjo epidemi botimi edhe mjetin për të bërë ca para, u vu në dispozicion të tyre. Sepse vetëm ata, epidemikët shkëlqimtarë, kishin mundësi të paguanin për t’u promovuar. Promovimi i librit të vërtetë u refuzua, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë, me ngulm nga mediat vizive. Ja të paguhej, ja jashtë ekraneve.. Kjo s’kish ndodhur kurrë më parë. Po kush do paguante? Shkrimtarët e varfër shqiptarë? E si mund ta gjente lexuesi i mirë shkrimtarin e vërtetë, të strukur në ndonjë qoshe stende botimi, kur humbiste rrugën dhe qorrollisej xhunglës vezullimtare të epidemikëve të shfrenuar që me bodyguard  përmbanin turmën e hazdisur të fansave tyryfylë, që do të jepnin edhe pikën e fundit të gjakut e të shpirti veç për një foto me starët, starletat e tv, misset dhe bukuranet, të shndërruar papritur në shkrimtarë allosoj? Andaj kam marrë në dorë Fenerin e Diogjenit për t’i bërë sadopak dritë lexuesit të mirë në rrugën për te një libër i çmuar dhe një shkrimtar krejt i pazakontë në këtë Panair Libri të deformuar: për te “Ora e ligë”, romani më i fundit i Tom Kukës, shkrimtarit që po shkruan magjepsshëm Sagën e Çamërisë. Është historia grishëse, tronditëse, drithëruese dhe e përgjakur e një burri, Sali Kamati ia thonë, një burri që, ndonëse është i pashëm, i fuqishëm si një rrap, që s’ka moshë për të vdekur, pret kosën e pagabueshme të Vdekjes. Ka marrë gjakun e të vëllait, ka vrarë për nder, ka shtrirë pa frymë Çelo Mezanin, ka pjellë me atë bëmë një këngë që nuk thotë të vërtetën, si të gjitha këngët, që ngatërron koburen me martinën dhe numrin e të shtimeve, dhe pret që gjaku i derdhur të lypë sigurshëm dhe pashmangshëm gjakun e tij. Paskëtaj është mish për Vdekjen, një i vdekur shëtitës, një i vdekur i pakallur. Tërë bota e kundron tek shkon të mbyllë punët e kësaj jete, të bëhet gati për në Vdekje, me shpurën e zogjve të kobit pas. Por Fati i luan një rreng të papritur dhe po aq të fuqishëm sa vetë vdekja: Sali Kamatin nuk e pret kosa e vdekjes, por e godet shigjeta e helmatisur ëmbël e Erosit të verbër: Burri humbet drejtpeshimin, pengohet, rrëzohet, gremiset, shkërmoqet, vithiset, fundoset, shembet, plandoset, qorrolliset, — bie në dashuri. Por ja që vjen një ditë dhe ai i vdekuri i pakallur, që pret kosën e mortjes, sheh atë vajzë me flokë të dredhur dhe i mbushet mendja top që do të jetojë. Nuk do të vjedhë ditë, por ato që i kanë mbetur do t’i jetojë si njeri. Objekti i dashurisë së Sali Kamatit është një miturake e bukur perri, me dredhëza të gjata leshrash zverdhane si rreze dielli, njëlloj  si Venusi i Milos, Tusha, mëllenja e malit, kurmi i së cilës shpërhap në ajër aromë dehëse pranverore. Është mbesa e së shoqes, Dires, e cila i vjen për të bujtur në shtëpi. Dashuri është fjala, sepse ai burrë u kaplua në të vërtet nga Dalldia, humbi mendjen, iu gërrye shpirti nga fara e çmendurisë, solli dëshpërim dhe hidhërim në familje, shkeli nder e moral, e bëri rrëmujë katundin dhe botën… Dhe shijoi parajsën mbi tokë. Mëllenja e malit, Tusha, e bukura e Dheut, ndjeu afshin dalldisës të burrit dhe humbi zemrën në përvëlimin e gjakut të tij. E mbërtheu për vdekje po e njëjta dalldi si e Sali Kamatit. Dalldia e një burri ka pas një grua. Dalldia e një gruaje ka pas qoftëlargun. Dalldia vjen nga jashtë, nga sipër, nga barku i tokës, nga djalli, nga vetë Perëndia. Dalldisë nuk i reziston kush. Rrëfimi për një dashuri të penguar nga gjaku, morali, doket noprane, ajri mbytës i kohës, hipokrizia marroke, të vdekurit dhe të gjallët që gjallojnë të qepur si këpusha në jetën e të tjerëve duke ua helmuar atë paq, rrjedh paskëtaj në roman si ujët e kroit, flladitës dhe prerës njëkohshëm. Me një bukuri marramendëse. Nëpër viset magjike të Çamërisë, të cilave në këtë roman, Tom Kuka nuk ua fsheh më emrin si në romanin paraardhës “Gurët e vetmisë”. Përkundrazi, e merr lexuesin përdore dhe e shëtit bujarisht, duke ia rrëfyer ngjyrshëm e duke i vënë në hundën aromën e tyre të pangjashme me asnjë tjetër: Nëpër lumin Kalama, në katundin Nursi, mespërmes Livadhzave të Tarenjve, pas Majës së Çukës,  andej nga Gëzëfeti, nga Radhareja Evgjite, në të zbritur të Gorricës së Capos, në këmbë të Folej e Pulëbardhës, në Barkmadh, duke zhytur këmbët te shtufa e Hirit të Shabës, pranë Kroit të Çimatëve,  anës Bregut të Morrave…

Lënda e rrëfimit, e ngujuar në njëmbëdhjetë kaptina, është gatuar me një shumësi figurash stili (sidomos krahasime dhe metafora) nga më të jashtëzakonshmet, të cilat bëjnë që në çdo fjalë, në çdo fjali t’i transmetohet mjeshtërisht lexuesit një emocion i rrallë që sa vjen e rritet, për të ndërtuar në kulmimin e tij dhe gjer në fjalën përmbyllëse të romanit, një katedrale stili lirik dhe epik të ndërthurur bashkë, me një strukturë baroke nga më të arrirat në prozën shqipe të pasditeve ’90. Një katedrale që i bën nder realizmit magjik. Sali Kamati e vështroi me kujdes atë burrë që shëmtia e pat mbuluar sikur ta kishte djalë të vetëm./I ndiente shikimet e djemve tek i përplaseshin fort mbi sak, pastaj binin përtokë si brumbuj të ngordhur/Milte grerëzat nga thumbat/…fjalët zvarriteshin nëpër këmbë si nepërka të verdha/ derdhej fjala në filxhanë kafeje tok me llumin e xhezvesë, pikonte kjo thagmë në enë nga sisët e dhenve që mileshin/ Fjalët i kishin ikur, fluturuar dhe qenë varur në shpellë kokëposhtë./Harresa rri vetëm kokëposhtë dhe nuk i bie gjaku në kokë/ drita i kish gëlltitur me uri të gjitha të fshehtat e territ Personazhet e romanit, të shumëllojta, të spikatura dhe portreteqëndisura, dalin nga folklori, trilli, ëndrra dhe legjenda. Janë njerëz, janë shpesë, janë orë mali: është Nadirja ose Dirja,  Qani Vuvi, Petro Kroi, Aliu i Faros, zogjtë e kobit, Sabri qehajai, Bunjamin Xherahu, Zeqir Latifi, Zekoja e Zeqos me Librin e faljeve, Resuli i Resulenjve, Orëprera, Orëliga etj… Sali Kamati lëngon nga zjarri i dalldisë, Sali Kamati nuk di ç’të bëjë me marrëzinë e bukur që e ka mbërthyer si djalli, që rrëqeth dhe trondit me bëmat e saj, Sali Kamati ngre dorë kundër së shoqes, mend e vret, Sali Kamati nuk gjen shërim për munxën e tij lemerishme prej xherahut të Volës, Sali Kamati shkon në atëbotë e kthehet sërish në këtë botë dhe nuk i jep dot udhë e zgjidhje as rremtari i lumit të të vdekurve, as hoxha i Margëlliçit, as Ilo Kriqi i shënjuar me kryqin në kraharor… Kobi dhe gjëma mbuluan shtëpinë. Turpi u dynd në katund. Gjindja shante dhe mallkonte Sali Kamatin që i çnderoi, burrin e mbrapshtë që vrau për nder të botës dhe po humbiste nderin e botës për një kërthi çupë…Atëherë Sali Kamati që, hyn e del në ëndërr si në shtëpinë e vet, i drejtohet për ndihmë e zgjidhje vetë legjendës: shkon të takojë në guvën e saj majë shkëmbinjve Orën e Ligë, një krijesë onirike e dyjëzuar. Orëliga e do dashurinë, e do dalldinë – mes botës hipokrite dhe burrit të dashuruar çmendurisht me një thëllëzë mali, krijesa sipërore e urtësisë së të parëve, zgjedh Sali Kamatin, e këshillon ta marrë nuse Tushën të mos e përfillë botën, dhe lëshon leskrën përmbi gjindjen – vrasëse të dashurisë… Sali Kamati i blatohet paskëtaj jetës, dashurisë, mirësisë. Në përmbyllje, me frymën e fundit nga plumbi i hasmit, bën që të reshtë gjaku i derdhur dhe shpaga e gjakut, që filizi i dashurisë së tij në barkun e Tushës të jetojë në paqe. Ky është edhe misioni i tij i epërm, përpos dashurisë. Njëlloj si në romanin paraardhës, edhe në këtë roman Tom Kuka gatuan magji të pa rezistueshme me gjuhën që end thurimën e rrëfimit, dhe e magjeps pashmangshëm lexuesin. Thyen rregullat dhe ligjet e gjuhës standarde, përdor me bujari dialektin e vjetër dhe të ri të toskërishtes, të çamërishtes me një bukuri të jashtëzakonshme, duke shpalosur kështu një mjeshtëri të mrekullueshme në zejtarinë e fjalës artistike, dhe ia del të krijojë me të një Kod gjuhësor që komunikon me të gjithë. “Ora e ligë” është një roman që mëton të jetë një margaritar i vyer në kurorën e letrave dhe gjuhës shqipe. Letërsia është produkt i shpirtit, i drejtohet shpirtit të lexuesit dhe e prek atë, i jep emocione të forta, e larton. Tom Kuka me letërsinë e tij drithëruese dhe të fuqishme ka bërë për Çamërinë dhe çështjen çame më shumë se koha dhe politika dhe partitë politike apo patriotët tanë.