Suplementi Pena Shqiptare /Mimoza Çobo: Vejusha dashuri

566
Sigal

Mes mjegullës gri ecën vetmuar,
gjer tek këmbët në zi je nxirë,
e kur shket tokës së shkretuar,
qanë mbi borën e sapo ngrirë.

Ty s’të frikëson ky mot me ngricë,
as korbi që të përndjek hutuar,
se tek shkon varreve pa pasur frikë,
mbi një kryq derdh lot urtuar.

Ashtu përhumbur ndër hi trishtimi,
e zhytur gjysmë nëpër mjegull,
tërheq zvarrë çdo çast hidhërimi,
se gëzimet rrinë shpirtit pezull.

E mes të vdekurve mjellmë dashurie,
flatron portës me dritë parajse,
shkund nëpër erë, ondet prej ngrice,
si shkund vjeshta gjethet pa naze.

Kur lotët mbinë bistak mbi varr,
lastar i njomë mbi buzë u var,
e rrënjët shtrive pllakës së trishtë,
dheut ku ish shpirt’ i fildishtë.

Dhe porsi fllad, me pjalm kujtimesh,
zgjon prej thellësive dashurinë,
e si të mos ngjallej në mes vajtimesh,
kur buza jote e zgjoi me rimë.

Dhe ja mes mjegullës të përpinë dy sy,
si dikur të robëruan me magji,
për perëndi, sa diell hodhën mbi ty! 
Se dimrin s’e do vejusha dashuri.