Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Të premtoj i dashur…

517
Sigal

…në këtë botë të egër, vetëm, kurrë nuk të lë,
edhe sikur vdekja më parë të më marrë
dhe dherave të tretem, do më mbetet pak zë,
të them fjalë dashurie, gatuar me zjarr!

 

Të premtoj i dashur, vetëm nuk të lë kurrë,
edhe sikur thellësive pluhur të jem,
jam grua besnike, të kam të vetmin burrë,
të vetmin në jetë të jetëve do të kem.

 

Të premtoj i dashur, vetëm, kurrë nuk të lë,
as kur gjumi netëve gjer në agim s’të zë,
një kurorë me puthje, një kurorë bukurie,
do ta vendos nëpër sy, me mall dashurie.

Të premtoj i dashur,vetëm, kurrë nuk të lë,
flutur gjaku do bëhem, të më puthësh ti,
sa herë të më kërkosh, edhe pa më bërë zë,
mbi buzë do të derdh një oaz me dashuri.

 

Në këtë botë të egër,vetëm, kurrë nuk të lë,
edhe sikur vdekja më parë të më marrë
dhe dherave të tretem, do më mbetet pak zë,
të them fjalë dashurie, gatuar me zjarr.