Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Nesër do të jetë vonë…

176

Oh,i dashur, sonte qenka çmendur vjeshta!
E thau sythin pjalmor që çeli mbi gjinj,
nën drurin e mollës më sulmoi me heshta,
petkun ma shqeu me gjithë kërthizë.

 

Nën të hollën dantellë me gjethe vjeshte,
fsheha gjoksin me kokrriza pjalmi,
por ajo më ndjek dhe nuhat në heshtje,
gjurmën që kundërmon aromë mali.

 

Lëkura nën dantellë po nxjerr shkëndija,
shkrumb do të bëhet deri në agim,
nëse s’vjen të shuash prushërimet e mia,
do gjesh vetëm hirin e universit tim.

Vrapo i dashur, lotoi sythi i dashurisë,
vjeshta e thithi, pa zbritur në gushë,
nëse pi qumështin, që po vlon në gjinj,
nesër do më gjesh, mes gjetheve humus.