Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Në gjirin tënd jam krenare

640
Sigal

E ëmbël toka me rrudha imcake,
oaz mrekullie që buron ar,
në gjirin e saj linda e jam krenare,
aty shndërrohem në qelibar.

Kodra të buta më rrinë mbi krye,
flokëve më derdhen kurorë,
nëpër gjunjë shket ngazëllyer, 
gjethja e rrapit shekullor.

Ndiej jehonën e lashtësisë,
kur zbret lehtë përmbi fushë,
perlat e bardha të Apolonisë,
më lidhen gjerdan në gushë.

Ndiej flladin që frymon heshtur,
kolonave antike pambarim,
e përjetshme thellësive mbetur,
melodi hyjnore e vendit tim.

Se tek rrjedh, si vjershë lirike,
ikën e vjen vala pareshtur,
përmbi flokë kokrriza kripe,
m’i hedh deti duke qeshur.

Ndiej kur rrjedh lehtë në buzë, 
shushurima e Gjanicës , 
shpirtit më ulet e ëmbla muzë, 
më shkrinë copat e ngricës.

Sytë m’i lag,me vesë fushe,
flladi erëmirë i Myzeqesë, 
flokëve cicëron një gushëkuqe, 
më ngjall gjirit një shpresë.

S’kam faj pse të dua si veten,
o ëmbëlakja, vendlindja ime, 
shpërgënjve të tu u bëra poete,
ndaj thur vargje me ligjërime!