Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Martohu i dashur me mua!

454
Sigal

Përse yjet bien në koma, kur ti s’je me mua,
pse ylli syrit tënd, në syrin tim është shuar,
pse grinden retë në retinën e zjarrtë të hënës,
pse ndihem keq, kur s’të kam pranë zemrës?!

 

Jo, i dashur, s’i ngjaj aspak bistakut të tharë,
as buzët që kanë shijen e shegës së çarë,
djelmoshat vardisen, t’i rrufisin, si ti atëherë,
por buza s’pranon ta puthin djem të tjerë.

 

Udhëve rrinë në pritje, kush t’më puth më parë,
por unë jam pizmatare, mendjen e kam ndarë,
o martohem me ty ose do vesh petkun e beqarisë,
kur të kesh etje, eja të pish gjinjtë e dëlirësisë!

 

Ç’të ka shkrepur në kokë, që s’martohesh me mua,
bisqet e vajzërisë këpute për pasionet e tua,
lëngun e dëshiruar pive nëpër gurgullima intime,
pive ajkën e palcës, që rrjedh në eshtrën time.

 

Vallë, thënia e Sokratit, s’të duket aspak me vlerë:
Martohu, patjetër. Martohu në jetë, një herë!
Se martesa mban kurorën e dashurisë hyjnore,
në shpargun e saj lindin e rriten krijesa njerëzore.

 

Edhe sikur dherave, nën tokë, të tretem harruar,
engjëll do vij, nëse më thërret për t’u martuar,
ëmbëlsisht do të pushtoj, që t’më dëshirosh si grua,
se mitra s’tretet, pa bërë ti, fëmijë me mua!