Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Lidhu pas meje me fill të fildisht

558
Sigal

Nëpër vitet rinore, më ke ndjekur prej kohësh,
pas resë puplore,të këmishës fërfëlluar në mish,
pas imazhit planetar,që më sheh midis dy botësh,
pas zogjve që më ngrenë fole, në flokët e zinj.
Pak nga pak dhe unë rashë në dashuri, me ty.
më mbërtheve pas vetes me ngulmin tënd,
ndeze në fushëtirat e mia zjarrin, si asnjeri,
por mos më digj të tërën, e mos më çmend:
Ti më thua me afsh, se ke uri për dashuri,
të pish e të dehesh, në krojet e dëlirësisë,
vesën kristalore në të miat fshehtësi,
duke më çuar në shtigjet e tua të djalërisë.
Të them se ndiej idilin e pastër të dashurisë,
shkëndijën ndjellëse, që ndez çdo qelizë,
esencën delikate, që rrjedh në eshtër puhizë,
freskinë natyrale, që gjallëron çdo shqisë.
Ndiej nevojën e idilit të pastër të vajzërisë,
me trillin magjik, të rrëmbej pjalmin e jetësisë,
që mbjellë, çdo femër në luadhin e pjellorisë,
me vullnesën e perëndishme të amësisë.
Por,dua të lidhesh pas meje me fill të fildishtë,
pas këmishës puplore, fërfëlluar në mish,
pas yllit foshnjor, me dashuri të dyfishtë,
që pi kulloshtrën e qumështit të përjetësisë.