Suplementi Pena shqiptare/ Mimoza Çobo-Krenaria e një gruaje

591
Sigal

 

 

Ajo grua po vuan, këlthet edhe qan,
s’pranoi ta trajtonin, si të ishte kurvë,
s’donte t’ia ndynte nderin një rrufjan,
një vemje e kohës, një palo burrë…

 

Mbeti pa të holla,ngeli edhe pa punë,
vellua e trishtimit, vel mbi kokë i ka rënë,
shpirti saj e di, se si e duroj atë kopuk,
që veç nga fjalët, turpi e kishte zënë.

 

Në kurthin e tij, si e rënë nga qielli,
s’mund të binte ajo grua, aspak,
kur i preku gjirin në çast ndjeu ferrin,
shuplakën flakëruese, që ajo i dha.

 

Por, ai i magjepsur hungëriu pas saj,
ngulmoi t’ia shtrydhte belin e hollë,
iu vardis qafës së bardhë, pastaj,
me dhunë t’i puthte buzën e njomë.

 

Në çast nervi e bëri bishë, atë grua,
kthetra shqiponje i nguli në fytyrë,
përplasi flatrat dhe klithi si fajkua;
S’ka lindur burrë, nderin të ma ndyjë!

 

Ajo grua po vuan, po vuan dhe qan,
veç një fjalë, ajo mund t’i thotë botës:
Bukuri e gruas s’është lodër për zuzarë,
është aureola, që i jep sharmin tokës.