Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Gjarpëro nën lëkurë, edhe në vdeksha…

746
Sigal

Oh, gjarpëro nën lëkurë, edhe në vdeksha,
i shtrenjti im, me rrënjë, në gjak,
mos u frikëso, nëse të lidh në eshtra,
me fijet magjike që shpirti ka.

Se vetëm fryma jote, më mban gjallë,
vdekja mërgon, kur të kam pranë,
pranvera zbret në luadhin e gjirit, ngadalë,
që të pushtojë zemrën, me fllad.

Oh, gjarpëro nën lëkurë, edhe në vdeksha,
i shtrenjti im, me rrënjë, në gjak,
shpirti s’bie në gjumë, edhe në fjetsha,
kërkon shpirtin tënd nëpër natë.

Kur hap portën e zemrës, vërshon si lumë,
ëmbëlsisht rrjedh nën lëkurë,
se rrënjët e tua, gjejnë ngrohtësi tek unë,
thithin eliksir e të bëjnë burrë.

Oh, gjarpëro nën lëkurë, edhe në vdeksha,
i shtrenjti im, me rrënjë, në gjak,
flutur parajse ,një ditë, në u kthefsha,
nën lëkurë gjarpëro kongjill i zjarrtë.