Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Dëgjoje klithmën e gruas

795
Sigal

Dihet se gruaja është burimi i të gjitha dashurive në tokë. Është oazi ku lindin dhe cicërojnë zogjtë e vazhdimësisë epokale të brezave. Prej shpirtit të saj rrjedh hoja e pjalmuar, ku mjekohen e shërohen plagët e njerëzimit. Ndaj në një nga poezitë e mia të botuara në vëllimin poetik “Grua, je parajsa e tokës”, me të drejtë atë e kam quajtur Parajsë, sepse ajo është parajsë në tokë dhe do të mbetet përjetësisht e tillë. Gjithë qenia e saj është e magjishme, por mitra dhe gjinjtë, janë thesaret më të çmuar të saj dhe të krejt njerëzimit. Ngaqë shekujt kanë lënë vazhdën e tyre në sytë dhe shpirtin e gruas, ajo s’është gjë tjetër veçse frymëmarrja shpirtërore e universit, engjëll i dërguar në tokë nga Zoti, për t’i dhënë jetë planetit, është mishërimi i bukurisë dhe i virtyteve njerëzore, i mençurisë, dëlirësisë, trimërisë dhe sakrificës. Nga vetë natyra, gruaja është e vetmja qenie njerëzore që dhimbjen e kthen në dashuri, që flijohet për bijtë e saj dhe nuk e mposht asgjë. Teksa lind krijesën hyjnore, ajo ecën nëpër Luginën e Vdekjes dhe s’ka perëndi që e ndal, sepse ajo është vetë perëndi në tokë. Ia vlen të theksohet se gruaja ka qenë dhe është jo vetëm gruaja-nënë, por edhe gruaja-burrë që ka bërë epokë në historinë e Shqipërisë. Bëmat e gruas datojnë qysh nga koha e ndritur e mbretërimit të mbretëreshës Teuta e deri në ditët e sotme. Këto gra kanë bërë histori, kanë lartësuar emrin e Shqipërisë në shekuj, duke valëvitur në qiellin e kohërave, flamurin e qëndresës për liri e pavarësi, për emancipim, për dije, arsimim, kulturë dhe art. Gruaja ka qenë dhe është Zoti në sytë e çdo fëmije. “Burrat trima lindin dhe rriten vetëm nga nënat trimëresha”, thotë një fjalë e popullit. Kjo nuk është thjesht një thënie që vjen nga thellësitë e kohërave, por një mesazh hyjnor, jetësor e gjithëkohor, që vjen nga lashtësia veshur me bëmat, trimëritë, urtësinë, dhembshurinë dhe fisnikërinë e gruas shqiptare. Trimëritë dhe martirizimi i saj në të mirë të kombit dhe familjes, që është qeliza bazë e shoqërisë, kanë bërë që statusi i saj si grua, të kapërcejë kufijtë gjinorë dhe kombëtarë.


Si çdo grua shqiptare edhe unë, nuk mund të mos jem e indinjuar nga zhvillimet politike dhe shoqërore të vendit tim.
Nëse sot, do të lindte një Teutë ilire padyshim që politika shqiptare e udhëhequr nga një grua e tillë stratege, me fuqinë universale të mendimit, padyshim që do të arrinte të mblidhte gjithë bijtë e kombit në një sofër, ku të mbretëronte paqja e të realizohej bashkimi i forcave politike, të forconte sferat ekonomike dhe ato shoqërore pa cenuar interesat e larta të vendit. Gra të tilla politikane të zonja, të denja për kombin asnjëherë nuk i kanë munguar kësaj toke të lashtë, që i ka ushqyer ato, me eliksirin e qenësisë e saj. Nëse arrin të futesh në thellësitë e mistershme të syrit të çdo gruaje, do mahnitesh me çastin magjepsës të lindjes së agimit paqësor, do rrëqethesh nga dridhma e shkëndijës rebele, që lind si pasojë e ndikimit të jashtëm jo atmosferik, por njerëzor. Shkëndija rebele, kërkon të djegë të ligjtë që nxijnë tokën dhe qiellin më shumë se retë, të shtypë shushunjat e tërbuara që nuk ndiejnë të ngopur me gjakun e shqiptarëve, kërkon t’i japë dritë ëndrrave rinore që po rrëzojnë flatrat në humnerën e errët të kohës. Ajo shpirt-copëtuar, njëlloj si shqiponja luftëtare, martirizohet për krijesën e saj. I dhimbset loti që rrjedh nga sytë e fëmijës, i dhemb ai lot që fishk shpirtin dhe faqen e bukur të rinisë. Kjo tragjedi shqiptare, nxit lindjen e shkëndijës rebele dhe në syrin e trurin tim, ndaj me të drejtën legjitime që më jep arti poetik, unë poetja këta politikanë huliganë i ndëshkoj me varg. Ndihem e trishtuar që mitra e kombit nuk po lind më burra, por vetëm burracakë, gjarpërinj me dy koka që injektojnë helm e thithin gjak në trungun e kombit, ndaj çmendurinë, dua t’ua shtyp me varg.
Nga vetë natyra gruaja nuk është fortë si hekuri, por atë e kanë bërë të tillë vuajtjet, padrejtësitë, dhuna fizike dhe seksuale e ushtruar ndaj saj. Shpirti i gruas ka ndjeshmërinë e gjethes, derdh lot e qan në heshtje dhe për gjërat më të vogla, madje edhe për një puthje të vonuar apo për ëmbëlsinë e fjalës së pa shijuar. Por sa e brishtë dhe engjëllore është si krijesë, në çast mund të kthehet në djall, kur i preket dinjiteti, kur zemrën ia thyejnë në copa e ia shkelin me këmbë, sikur të mos jetë organi jetik që i jep jetë trupit dhe tërheq me fushën e tij magnetike e të magjishme zemrën e një burri. Gruaja shqiptare ka provuar shijen e ëmbël dhe të hidhur të jetës, ka derdhur lotin e varfërisë nga syri, ka ngjyer kafshatën në lëngun e hidhur të saj, është tretur perëndimeve për të ikur larg nëpër mjegullime, është tretur njëlloj, si ajo vala që përpëlitet pranë bregut të thatë. Mendoj, se e keqja që ka hedhur rrënjë të thella në shpirtin e njeriut, të keqen që ia mbollën me zor Atdheut gjer në eshtra, e shkul vetëm tehu i mprehtë i ndërgjegjes dhe i fjalës poetike. Fati im dhe i çdo gruaje, është lidhur pazgjidhmërisht me fatin e kombit. Ndaj unë gruaja poete, ngre zërin gjer në zenit, për të gjitha ato gra që kotheren e tharë të bukës e lagin me lotin e dhimbjes, për të mbajtur gjallë foshnjat e gjirit, për të gjitha ato vajza që mëngjeseve kërkojnë të thithin bulëzën e vesës, të ndiejnë aromën e lirisë, që shpresojnë tek rrezja më e nxehtë e diellit për të shkrirë zinxhirët e skllavërisë. Protestoj për të gjitha ato gra të përvuajtura që po u fiket kandili i jetës nga stuhia vdekjeprurëse e gjakmarrjes, për të gjitha ato nëna të dhembshura që zemra iu është tharë porsi bari i zhuritur nga dielli, për bijtë dhe bijat që ia kanë lënë prehrin bosh e pragun shkretë. Unë besoj në Zot, besoj lotin që ulërin në shpirtin e një gruaje, më pikëllon e revolton pellgu i gjakut të gruas që masakrohet barbarisht nga burri, si të mos ishte qenie njerëzore, si të mos ishte nëna e fëmijëve të tij. Brenda zërit tim oshtin klithma e mëmëzonjës Shqipëri, tingulli i përvajshëm i fëmijës jetim, rënkimi i zemrës së gruas së vrarë, që nuk e tret dheu, klithma e lotit pëshpëritës të vajzës së dhunuar seksualisht, që egërsisht ia këputën fijen e hollë të jetës. Ndaj me shpatën e vargut gris retë, që të zbresin në tokë perënditë: “Zëreni djallin se po këput filizin e njomë,
mitrën ia groposi, vezoret ia theu me dorë.
Sytë do përmallohen për një gonxhe në lulëzim
,
o Zot, çfarë bëhet kështu, në vendin tim?!…

 Çdo ditë e më shumë, ndiej si më tret loti i mëmëdheut, loti i embrionit që u vra në barkun e gruas, por më shumë më gjunjëzon loti i hidhur që rrjedh nga syri i foshnjës që kërkon të kthehet sërish në barkun e nënës. Kur gruaja nuk lind fëmijë, universi bie në agoni, agimet nuk vesojnë rrjedhës qetuar, perëndimi rozë fshihet në mjegullnajën e kohës, qielli dhe yjet errësohen, toka rënkon e mban zi. Kur vdes një grua, vdesin qelizat e trupit të kombit, thahen përrenjtë jetësorë të së ardhmes, se ajo është eshtra dhe palca e gjithësisë.