Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Bekuar ajo stinë!

632
Sigal

Bekuar qoftë prilli, kur u njohëm bashkë,
bekuar gjithë stinët, që do vijnë më pas,
për ty jam vesë, që shuaj kongjij të zjarrtë,
shkëndijë dashurie, që shpirtin ringjall.

Se pranverën gjej,  ku çel një bisk i artë,
pjalm lule blete,  mbledh me ligjëratë.
Ëmbëlsi burrërore, gjej te puthja e gjatë,
kur të pashë mes prillit, gjeta shpirtin binjak.

Se ti, më bën grua, zonjë më bën në çast,
shpirtin ma qetëson me fjalën e paqtë,
me gonxhen e prillit, tre qiej më ngjit lart,
venave rrjedh flaka e pishtarit të zjarrtë.

Pas çdo puhize derdh,  pak lot argjend,
një vel shkëlqimi mbi fytyrë zë vend,
lodhjen e ditës përcjell lehtë me këngë,
kur qeshim të dy, prilli çel lule në çdo kënd.

Me mua s’ka punë vjeshta, që stuhi lë pas,
as dimri i egër, që qelizat thanë në palcë,
as vera e thatë, që mollëzën zhurit për fllad,
veç gonxhja e prillit,  më njomëzon e ringjall.

Çdo rreze behari miklon,  me sy të flaktë,
me to spërkat trëndafilat, që çelin në gjak.
Për ty dashuria, s’është thjeshtë një frazë,
ritmin ndjek, të prekësh fundin, plot gaz.

Bekuar qoftë stina, kur u njohëm bashkë,
bekuar gjithë pranverat, që do vijnë më pas,
për njëri-tjetrin jemi engjëj në këtë parajsë,
unë zgjoj gonxhen prill, ti dimrin ndjek larg.