Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Ahmeti: Delirium

742
Sigal

I thyer,
i errët,
i vrertë,
qëndroj, dritë lëshoj,
mjaltë rrjedh nga vrujet e mia.
I thyer në pikën më të dobët,
të të mbeturit vetëm,
që askujt s’i sjell dëm,
por mua më mbaron
prej dhimbjesh
që kullojnë ëmbëlsi
gjaku të shtypur
në vetmi.

Oh, gjeniale është kjo gjendje,
kur ndërsa kuptoj që gjithçka kam humbur,
lumturinë e pafundme ndjej,
të qenies sime
që e kam në dorë,
atë,
që s’mund të ma dhurojë
asnjë lavdi, kurorë.

Lavdi! Ç’është kjo fjalë?
Nga mbërriti tek unë,
si ka dalë?
Shpikje!
(Me siguri
ndonjë ambicion i dobët,
i panatyrë.)

Kthehem nga kthehem, te natyra mbërrij:
qëndroj, dua ta gjykoj, prapë tërhiqem.
Kaq i bukur dhe njëherësh i vdekshëm, njeri.
Kaq i zemërt dhe prapë i vetmuar.
Kaq fuqi dhe po aq dyshim…

Oh, papushim
shtjella inerte rivelon në ikje.
Çdo absolut relatoi papritur.
Vetëm bukuria, ajo, ka të drejtë
të pretendojë?

Përse ikni prej meje krijesa reale?
Në një përkthim të ikshëm e sotmja
në të djeshme ndërroi,
aq shpejt sa dot s’e konceptova
(thua ka jetë pa konceptim)?
Dëshira uritet për një të nesërme
që nuk është më imja.

Përse ikni prej meje krijesa reale,
jetoj një jetë sendesh gjithmonë të paqenë
dhe vetëm vetveten e kam në duar…
Oh, nuk ka lumturi si kjo,
por as pikëllim si ky s’mund të ketë.