Suplementi Pena Shqiptare/ Miltiadh Davidhi: Lumenjtë e vrerit

378
Sigal

Lumenjtë e vrerit të vendit tim

Me dherat e trupit përmbytur me ujë,

Gjak e limfë, dolën nga shtrati.


Bimëzat e shpresës

Ndjehen të asfiksuara nga mungesa e ajrit.

Asnjë ëndërr s’mund të lulëzojë më.

E unë notoj ndër ta, për të

Shpëtuar trupin e shpirtin tim e të Atdheut.


Këpucët m’u bën varka të vjetruara

E arkivole plot me ujë,

E të pa vlera për të varrosur

Ëndrrat e mbetura gjallë.

Jo koha, por pjesët helmuese

Të trupit e mbytën Atdheun.


Këto e kanë përmbytur përherë,

E vendi im është një Laokoont i pushtuar nga

Gjarpërinjt’e lumenjve të vrerit të pjesës

Më negative të tij.


Më duhet të rikthehem mbrapsht

Dhe njëherë në njëqelizor,

Për ta filluar evolucionin e krijimit

Të njeriut nga e para,

E ta mbjellë në të gjithë vendin ëndrrën

E shpëtimit të njeriut,

Nga ky llum i pa mëshirë,

Nga këta lumenj vreri që mbjellin vdekjen

Ndër qelizat e trupit të Atdheut.


Janë nga më të egrit lumenj vreri,

Që shkatërrojnë historinë tonë

Lulëzuar ndër shekuj,

E që gjithë bota na e ka zili.


Lumenjtë tanë të vrerit ushqehen nga

Përrenj hakmarrës e injorance,

E s’pyesin për ndërtesa ëndrrash

Të mbjella me dritë yjesh, djersë,

E të vaditur me gjak brez pas brezi.


Njerëz të mirë!

Kujdes nga të pabesët gjarpërinj

Plot me helm,

Që po të kafshuan s’ke më shpëtim,

Kujdes,

Nga lumenjtë e vrerit të vendit tim!