Suplementi Pena Shqiptare/ Miltiadh Davidhi: Fjalë të bardha

140

Miltiadh Davidhi

Fjalë të bardha

Bie kaq shumë dëborë
Në formë fluturash të bardha dashurie,
Sa fjalët e rrobat dimërore
Që kemi veshur ne dhe drurët,
Morën ngjyrë të bardhë,
Si ëndërr nuseje
Plot me flutura

Të tretshme mbi supe.

Tashmë,

Flasim vetëm me avuj të bardhë
Që ngrijnë si zambakë buzëqeshje
E befas shndërrohen

Në fjalë të bardha,
Që me zor shqiptohen prej të ftohtit.

Buzët, eh, vetëm buzët e petalta
Mbetën në ngjyrën e kuqe,
Buzëve s’u mbeti asnjë flutërz
E bardhë dëborë,
Asnjë kristal i ngrir’ e shenjë dimri.

Kambanat e jetës bien

…E unë eci duke pëshpëritur
Fjalë shpirti, fjalë dashurie, fjalë jete.
Tingujt treten
Larg si rrathë të padukshëm
E bëhen dritë
Që ndez qirinjtë e yjeve e të mendimeve,
E unë eci midis njerëzve e vetmisë
Në një rrugë plot aromë pranvere
Me shandanë yjesh mbi kokë,
Dhe një hapësire
Që i ngjan një kishe të pafund.
Kambanat bien e bien
Duke zgjuar tinguj drite e jete,
Se kambanat s’bien vetëm për ikjen
E valëzave të ajrit, kufomave të meteorëve,
Kambanat bien dhe për të zgjuar
Memorien e zemrës sime
Për të gjallët e mi, sado larg të jenë,
Për të zgjuar shqetësimin dhe dashurinë time.
Kambanat i ngjajnë zemrës sime,
Gjëmimit të shpirtit tim të lirë.
Bini, kambana të jetës, bini! Vdekjen e urrej.
Grimcëzat e tingujve tuja
Si vesë urtësie e dashurie
Lagin trupin tim, fijen e barit,
Dhe flokët prej hëne të ëndrrës sime të bukur.