Suplementi Pena Shqiptare/ Migjeni: Puthja e Cubit

1000
Edhe një prandverë ka ardhë. Prandvera e 17-të për Dilen, e cila, e shtrime në bar, ndjeu se ka taman, as më pak as më tepër se 17 vjet. – Nano! Sa vjet kam? – pyeti nanën në shtëpi.

– Tashti i mbushë 17, bijo! – I tha nana me një dorë n’ijë e me tjetrën mbi sy, për m’u mprojtë nga rrezet e diellit. Edhe Dila, e shtrime në bar, ndjeu se ka taman 17 vjet. Ashtu e shtrime, shikon qiellën e kaltërt dhe ndigjon cingaret, një të dashit të grigjës ma e hollë, dhe tjetra e lopës me za ma të trashë. Çohet herë herë e shikon bagtinë dhe prap shtrijet, me një dëshirë të vokët në gji. Sa fort Dila që i ndjen të 17 vjetat në vete! Kur në të kapërthyemit e dëshirës, ven shplakët në krye dhe ma fort shtrihet, ndjen si nder veshë dhe nder tamtha i rreh gjaku rrjedhje të forta dhe e ban me ndie edhe me dishrue ma tepër. Atëherë Dila mbyllë sytë. Ashtu me sy mbyllë pret diçka. Buzët e saj të lagta e të çeluna për gjysë i terte flladi i lehtë. Para ksaj prandvere bani një dimën acar. Bora që tashti shifet si kunorë vetëm nder bjeshkët e nalta, në dimën kish mbulue mbarë tokën. E stuhia e tmerrshme s’kish lanë pa futë borën deri ndër shpella mali dhe zgavrriqe drunjsh. Në kët acarim dimri dhe bishët e malit zbriten nëpër katunde te njerëzit. Por kta nuk i priten mirë. Bashkë me bishët e malit zbriti edhe Cubi, i cili ishte tmera për ata që kishin ndigjue për të e që nuk e njifshin. Në besë, në buk’e krypë, i ati i Diles e mbajti cubin si mik. Dhe gjatë një mueji sa ndenji Cubi në shtëpi te saj, Diles iu ba se ky Cub nuk asht ai Cub për të cilin flisnin se vret, grabit, përdhunon. me të vërtet po at emen kishte; por jo nuk ishte ai. Cubit mik njezetekatërvjeçar i buzqeshej nana, i buzqeshej Prenda, e shoqja e re e vllaut, baba i fliste me za të butë e vllau këndonte me te. Cubi-mik ishte i mirë dhe të gjithë e nderojshin, Dila kanjëherë me dashje dhe pa dashje e shikonte në sy dhe kuqej, kanjëherë me dashje e pa dashje, tue bamë punë nëpër shtëpi, në të kaluem e prekte me krah dhe nga kjo prekje iu rritshin gjitë.

As nga armët e tija, rrypat me fishekë, pushka dhe revolja nga të gjitha këto Dila s’kish frigë. Një ndjesi e fshehtë rritej në zemrën e Dilës dhe sa ma shum ditë kalojshin aq ma e madhe bahej. Dhe ndiesia u ba dëshirë, dëshirë që të len pa gjumë. Por një ditë, kur dielli sa një pare e madhe sermi u çfaq në qiell, Cubi shkoi. E dila mbet vetëm me dashurinë për Cubin. Asht e flakët dëshira e Dilës në një ditë të shkëlqyeshme prandvere kur, e shtrime në bar, ndjen se si i rreh gjaku ndër dej. Asht edhe ma e flakët dëshira e Dilës kur i ka syt’e mbyllun e me andrim vezullues don me krijue ate që s’ka. S’ka… Nuk u pa ma Cubi. E 17 prandvera të saja janë 17 thirrje të nxehta të heshtura drejtue Cubit. Ashtu e shtrime dhe n’andrim Dila nuk desht t’i çeli syt’ edhe se ndjeu mbi trupin e vet një peshë dhe prishi dihatunin e nji mashkulli e mbi buzët e veta të përvlueme një njomsi. S’i çeli syt’. Ndoshta kish frigë të mos prishi ekstazën në të cilën kishte ramë… E kur ndjeu lehtësimin e trupit i çeli syt. Por aty s’pa kend. U hodh nga ana e majt. Dila u drodh. “Ai asht! tha – Cubi!” dhe u vue në ndjekje të gjurmës majtas. Si e dehun, gjithnjë n’ekstazë. La grigjen, as që i binte ndër mend, pse kërkonte Cubin. Doli në rranxë të malit shkambuer. E thirri me emën, por bashkë me këmbët e saja që përplaseshin prej shkambit në shkamb, q’ashtu dhe thirrjet e saja u përplaseshin – kot. Kur erdh muzgu i mbramjes nëpër livadhe dhe nëpër shkabmijt, ndigjoheshin thirrjet plot idhnim dhe dhembje: Dilooooo! Diloooooo! Diloooooo! 

Dy buzë…
Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fikën,
si fantazma hikën
ndër do bota të larta…
Dy buzë si tëpërgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën
në buzë kur mu njitën
andjet m’i trazuen,
zemrën ma tërbuen,
trurin ma helmuen
e në fund u mërguen…
Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një gruaje stërzane
një pjsë zemre më nxorne,
një pranverë të tanë më morne
dhe gëzimin ma vodhne…
Ato dy buzë të kuqe
dhe dy lote të mija
qenë shenja të dhimbjes,
kur më vrau bukuria,
kur më zu dashunia
e më dogji rinia.

KANGA E RINISË
Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand’ të shpërthejë me vrull…
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.
Thueja kangës, rini, pash syt e tu…
Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu
me zjarrm tand, rini… Dhe të na mbysi dallga
prej ndjenjash të shkumbzueme q’i turbullon kanga.
Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi
Kumbi i zanit të përplaset për qiellë
dhe të kthejë prap te na, se hyjt ta kanë zili
e na të duem fort si të duem një diell.
Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote.
Sigal