Suplementi Pena Shqiptare/ Mexhit Prençi Përshtypja, kritikë e pastër?! …

694
Sigal

(Debat i kritikut X, me profesorin Y të filozofisë që e konsideron veten filozof )

———-

 Nga fjalori i gjuhës i shqipe (1980) citoj: “Përshtypja është mbresë që na lë në ndërgjegjen tonë diçka që shohim apo dëgjojmë, diçka që përjetojmë e zakonisht ruhet për një kohë të gjatë (apo të shkurtër M.P.)

1

Zanafilla e debatit të Y dhe X ishte spektakli i tragjedisë “Hamleti” të Shekspirit, ku Luiza Xhuvani interpretonte Hamletin… Profesori i filozofisë që e konsideronte veten filozof, nuk pranonte që një grua të interpretojë Hamletin. Madje i vinte pikë mendimit që vinte nga përshtypja e tij, ndonëse nuk ishte profesionist as specialist në rrafshin e dramaturgjisë dhe teatrit. Nga padia në këto dy rrafshe, artikulon me tone të larta, se asnjë grua në teatrin botëror gjer më tani nuk ka luajtur Hamletin.

2

Kritiku X i artit & teatrit e kundërshtoi, madje vlerësoi interpretimin e Xhuvanit, e cila krijoi një Hamlet, sipas vështrimit të saj, me vlera, relative, që hante diskutime për cilësinë artistike, po nuk u ndal këtu, por te semantika e fjalës “përshtypja” që Y e konsideronte “kritikë e pastër”..

***

X,… ndërmjet të tjerave i thotë: “Koncepti juaj për përshtypjen është një perceptim dhe përjetim i çastit empirik, i mungon arsyetimi dhe kompetenca profesionale”.

***

Debatuesi Y e humbi drejtpeshimin dhe me arrogancë i thotë X: “Ti s’mund ta kuptosh se përshtypja është “kritikë e pastër”… Kjo është diferenca ime me ty, Unë jam në sferat e epërme të dijes, ti në në të ulëtat…

***

I përgjigjet me qetësi dhe shpoti debatuesi X: “Dyshoj që as profesionin e mësuesit të filozofisë nuk e zotëron, le më ta konsiderosh veten filozof. Nga mosnjohja e vetvetes je tjetërsuar në një njeri ‘i sëmurë për mend’, – në një personazh komik që i jep lëndën e parë një dramaturgu të të bëjë protagonist të një komedie groteske që aplikon ironinë, satirën, sarkazmin por edhe farsën e bufonadën. 

3

Te spektakli i “Arturo Ui-së”, gratë aktore që loznin personazhet burra, respektivisht, e para Ernesto Romën, e dyta Xhiviolën, e treta Xhirin – qeshën me pseudokritikën tënde. Madje qeshën më të madhe kur ti me arrogancë u the, mos t’i zbardhnin dhëmbët. 

***

Nga sedra e sëmurë dhe deliri i madhështisë së marrëzisë, nuk ishe “në metro” siç thotë Jovan Bregu te “Pallati 176”, shpirtëzuar nga mjeshtri i humorit, artisti elitar, Roland Trebicka.. Po ti nuk haje pykë, nuk dije të arsyetoje, …çka e skalite me vërtetësi jetësore dhe artistike portretin tënd të vërtetë.

4

“Unë shkruaj “kritikë të lartë.” – trashe zërin dhe si bariton këndove fjalët – kritika e lartë është përshtypja e parë. Ajo është filozofia e përshtypjes. Vetë përshtypja është forma e pastër e kritikës së lartë. Madje, madje përshtypja si kritikë e lartë është krijimi i krijimit… Dhe pikë..”

***

Aktori që interpretoi Arturo Ui-në, në çast hodhi pëshpërimën: “Luajti nga fiqiri filozof qafiri” Në sallën e spektatorëve shpërtheu një e qeshur masive që u shoqërua edhe me duartrokitje. Ai vuri borsalinën në kokë dhe doli nga salla… e mbajti portieri për krahësh, se desh ra nga shkalla… Në veshët e tij gjëmonin të qeshurat e spektatorë e në sallë.

5

Në realitetin e sotëm shqiptar shumëkush nga mosnjohja e vetvetes, e konsideron veten, jo ai që është në të vërtetë, por ai që jeton në ëndrrën gënjeshtare të tij. Kjo qasje e gabuar në nënvetëdije e nxit njeriun që s’njeh vetveten, – të promovojë ëndrrën për të qenë dikush dhe këtë e konsideron si realitet. Kjo është një sëmundje ngjitëse për cilindo që s’ka imunitet dhe integritet, pa përjashtuar edhe disa filozofë, kritikë, shkrimtarë, artistë prof., dok. & akademikë…

6

Në një shoqëri të qytetëruar demokratike gjithkush është i lirë dhe ka të drejtë të japë mendime, por, sipas meje, askush nuk ka të drejtë të vetëquhet kritik i prozës, poezisë dramës, teatrit, regjisurës, aktrimit… duke mos qenë profesionist apo specialist në asnjërin prej këtyre rrafsheve.

***

Mendimet opinionet, përshtypjet empirike, amatoreske kanë vlerat e tyre relative, për një pjesë të shoqërisë me nivel të ulët dhe nuk i prishin punë askujt; ndërsa ato të mediokërve, janë të rrezikshme, nëse bëhen publike, sepse pëlqehet nga shumica e shoqërisë, e cila sipas filozof Isuf Luzajt, shoqëria njerëzore 75% është mediokre dhe fiton si shumicë, duke sfiduar pakicën elitare.

7

Sipas meje, nuk ka kritikë të lartë apo të ulët, por vetë fakti është apo s’është kritikë, siç thoshte Lasgushi për poezinë. Kritika si e tillë, është e drejtimeve, qasjeve dhe tipave të ndryshme e të larmishme si: kritika tekstore, psikanalitike strukturaliste, semiologjike, sociologjike, marksiste-leniniste & kritikë moderne, post-moderne, post-post-moderne & performatiste.

Si konkluzë:

Njohja e vetvetes në shoqërinë tonë është problem substancial, për njeriun në çdo fushë të jetës sociale, politike, të kulturës, dijes e shkencës dhe të letërsisë & artit. Tjetërsimi i njeriut në ‘njeriuc’ vjen nga mosnjohja e vetvetes.

***

SOKRATI, në fund të jetës së tij tha: “Di një gjë, që s’di asgjë”. Ndërsa sharlatani i realitetit tonë të sotëm lot rolin e njeriut absurd që di gjithçka, madje pa qene kompetent në asnjë fushë.