Suplementi Pena Shqiptare/ Mexhit Prençi: Për një drame historike dhe bashkëkohore, realisto-moderne

968
Sigal

Studim

  1. 1. “Ngjarjet e mëdha historike, personazhet realë, konfliktet e dramat e mëdha dhe lufta për liri, demokraci e drejtësi dhe për zhvillim e përparim mund dhe duhet të shihen nga dramaturgu jo vetëm si lëndë e parë burimore, si dëshmi e historisë dhe e bashkëkohores, por për të krijuar fikshën, realitetin artistik më të përsosur se realiteti i jetës reale”, siç do të thoshte Dritëroi.
  2. 2. Shekspiri, dramaturgu klasiko-modern më i madh i të gjitha kohërave, me dramat dhe tragjeditë e tij historike ka krijuar modelin e përkryer të veprës dramatike dhe tragjike, si në ide, vizion, shestim e strukturim dhe në krijimin e karaktereve të fuqishme të papërsëritshëm, duke pasqyruar thelbin e një realiteti historik të caktuar, me kontradiktat, konfliktet, dramat e mëdha dhe atmosferën e kohës. Françisko De Sanktis thoshte: “Atë që historianët s’e kanë bërë, e ka bërë me fantazinë e tij gjeniale Shekspiri. Mënyra si e ka konceptuar dhe trajtuar historinë e Romës duke dalluar dhe shprehur artistikisht shkaqet që e shpunë atë në dekadence, është hyjnore”.
  3. Modeli shekspirian do të ishte udhërrëfyes edhe për dramaturgët tanë aktivë të traditës dhe, sidomos për dramaturgët e rinj, për ta parë realisht jetën, si lëndë e parë e permbajtjes duke mënjanuar sociologjizmin vulgar, ideologjizimin dhe praktikat e vjetruara të paraqitjes së ngjarjeve dhe personazheve realë, si në një skenar filmi dokumentar, pa hyrë në thelbin e dukurive, konflikteve, ngjarjeve dhe në dramën e personazheve e në botën e tyre psikologjike. Kjo do të kërkonte nga dramaturgët analiza të thella dhe mjete artistike të shumta e funksionale, ndër to dilemat dhe enigmave si elemente artistikë që mbajnë ne tension lexuesin apo spektatorin.
  4. 4. Drama shqipe ka historinë e saj. Vlerat dhe jovlerat. Ajo ekziston si e tillë. Mohimi apriori nga disa drejtues të politizuar teatrosh, nga disa regjisorë kopjacë, po edhe nga kritikë e studiues delirantë antitraditë, nuk është argument, por lajthitje, absurditet, ndoshta dhe injorancë.
  5. 5. Në periudhën e Rilindjes dhe të Pavarësisëjanë shkruar dhe vënë në skenë shumë drama dhe tragjedi me temë historike, të cilat përshkohen nga ide patriotike, nga ndjenja të zjarrta atdhetarie dhe nga ideal i lirisë, demokracisë dhe procesit te shoqërisë. Karakteristikë e veçantë ishte se shumë dramaturgë ishin personalitete të shquara të kulturës, sidomos në periudhën e Pavarësisë. Për kohën kur u shkruan veprat e tyre luajtën rol shumë të rëndësishëm për ngritjen morale e shpirtërore të shqiptarëve, zgjimin e ndjenjës kombëtare, për rritjen e mirëqenies së njerëzve, zhvillimin e përparimin e vendit dhe dhe për qëndrimin kritik ndaj pushtetarëve të korruptuar dhe inkriminuar. Drama historike është kultivuar edhe në kohën e shtetit totalitaristo-socialist, liria krijuese ishte e kufizuar në aplikimin e mjeteve shprehëse moderne.
  6. Në të tre periudhat kohore që përmenda më lart, identifikimi i realitetit historik me dramën si vepër letrare ka gjymtuar këtë të fundit si në rrafshin e përmbajtjes ashtu edhe në atë të formave artistike dramaturgjike. Megjithatë disa nga dramat më të mira me temë historike kanë krijuar një traditë pozitive tek e cila mund të frymëzohen dramaturgët e sotëm. Ndërsa teatrot mund t’i ngjisin në skenë disa prej tyre me vështrime të reja regjisoriale, sidomos ato me temën e luftërave heroike të Skënderbeut kundër pushtuesve otomanë, për shpalljen e Pavarësisë, Lidhjen e Prizrenit etj., por edhe për drama sociale e familjare me tema të ndryshme të një kohe që transmetonin mesazhe lirie, drejtësie, dashurie njerëzore dhe mesazhe ku morali konsiderohet kryefjalë e kryefjalëve. Nuk janë modele për t’u ndjekur në rrafshin artistik, por nuk mund të mos vlerësosh frymën atdhetare të mishëruar artistikisht, ndjenjën e dashurisë për vendlindjen, për traditat dhe virtytet, identitetin, gjuhën shqipe, shpirtin luftarak në mbrojtje të truallit arbëror nga çdo armik.. Kjo inspiron dramaturgët tanë sot, ta bëjnë pjesë të vetëdijes krijuese këtë frymë.
  7. Orientimi i tyre nga ky pikëvështrim i temës historike nga koha jonë, do të ishte kahja e duhur për të ngritur ne nivele të reja më cilësore dramën historike, duke aplikuar edhe elemente te dramës moderne – çka është një mundësi reale për të talentuarit të shfaqin vetveten nga një pozicion i ri duke integruar realisten me modernen dhe tradicionalen, çka sipas meje, do të ishte prurje e re në formësimin e një tipi të ri drame historike shqiptare, realiste dhe moderne.
  8.  Dramat dhe tragjeditë e shquara për Teutën, Pirron, Gentin, Skënderbeun, Ismail Qemalin etj., edhe ato për ngjarje të rëndësishme me drama të forta të natyrave të ndryshme dhe me konflikt të ashpër dramatik e tragjik gjatë luftërave ekzistenciale si komb, transmetojnë mesazhe të gjithëkohshme si dëshmi e luftës për liri, pavarësi dhe identitet kombëtar çka kanë vlera historike dhe arkivore, siç përmban edhe drama e Hekuran Zhitit “Të mblidhemi në Lushnje” si vepra e parë dhe e vetme gjer më tani për Kongresin e Lushnjes. Vlerat artistike të dramave historike të traditës janë minore. Është koha që të synohet rritja e cilësisë, sipas një vizioni të ri për zhvillimin e dramës historike e cila të jetë realiste dhe moderne’. Dramaturgët e talentuar duhet të guxojnë të hyjnë në një konkurrim të ri, me vizion dhe alternativa të reja si në rrafshin e ideve, mesazheve, ashtu edhe në shestim e strukturim dhe të shfrytëzojnë fushën e formave të natyrës dhe të artit që nga vodevili e gjer te tragjedia, drama moderne e postmoderne dhe teatri totalisht i kohës.
  9.  Koha pa liri e socializmit po përsëritet në forma të reja, të një neodiktature laramane, ku autoriteti i Njëshit të çmendur, lolo, aventurier e gangster, i lidhur me banda, bandite e kriminelë është absolut. Pushtetarët dhe partiakët e sotëm shesin Shqipërinë, pasurohen e bëjnë jetë përrallore, ndërsa populli në grahmat e fundit, në ferr për së gjalli, zvarriten me rrasën e varrit mbi shpinë. Ky realitet dramatiko-tragjik përmban tema shekspiriane, të cilat janë lëndë e parë që ftojnë dramaturgët të krijojnë drama të reja realisto-moderne dhe tragjedi tronditëse.
  10.  Mjerisht ekziston keqkuptimi për raportin: jetë-art, kur një ngjarje apo personazh fikshën konsiderohen realitet real dhe jo reflektim i tij që shndërrohet në realitet Ky keqkuptim ekziston te disa dramaturgë, po edhe te studiues e kritikë që as vetë nuk dinë se çfarë janë dhe, – veprën artistike e gjykojnë me kritere jashtëletrare. Duke mos u ndalur te kjo praktikë amatoreske, mediokre, që është më shumë se padituri, do të theksoj atë që dihet: – realiteti jetësor nuk është identik me realitetin artistik madje as njeriu i jetës reale me personazhin letrar.Ato krijohen sipas fantazisë se arsyeshme të autorit, me mjete artistike të larmishme dhe magjike duke pasqyruar me art realitetin dhe botën shpirtërore të personazheve fikshën, pa shtrembëruar përmbajtjen substanciale të një realiteti të caktuar historik apo bashkëkohor.
  11.  Në këtë proces të krijimit te veprës një rol thelbësor lot fantazia e arsyeshme dhe e jashtëzakonshme e dramaturgut në mishërimin artistik të ngjarjeve, situatave, rrethanave dhe personazheve realë, nëpërmjet artistikes dhe estetikes, pa deformuar të vërtetën e jetës. Një mbret tiran, kriminel dhe i pamoralshëm si Genti nuk mund të shihet jashtë natyrës së tij imoralo-tiraniko-kriminale shfaqur në realitetin historik. Duke zbuluar këtë thelb dhe veçoritë specifike si karakter, dramaturgu me imagjinatën e tij, me gjuhën e artit dramatik, realist, surrealist dhe absurd mund dhe duhet të krijojë jo tiranin e kriminelin në përgjithësi, por Gentin, i cili të jetë vetvetja e njëkohësisht të përfaqësojë tipin tiran të veçantë si figurë artistike.E që të arrihet kjo, çelësi magjik është mjeshtëria e lartë. Genti i autorit të skalitet që të jetë më i përsosur se Genti, real. Kësisoj bëmat dhe ligësitë e tij do të urreheshin fort nga lexuesit dhe spektatorët të cilët do të nxirrnin nga kuptimësitë e së keqes kuptimësitë e së mirës, siç do të thoshte Zherar Zhenet, çka modeli i të shëmtuarës sfidohet dhe refuzohet. Ky mesazh do të kishte vlerë të gjithëkohshme. Tragjedia “Genti” e Sherif Delvinës, e jep figurën e Gentit me art të nivelit të lartë, sa lexuesi jo vetëm e urren për bëmat e tij kriminale dhe amorale ndaj shtetasve, por tragjedia jep edhe atmosferën e kohës, shkaqet e degradimit politik dhe moral dhe përfundimin tragjik të vëtëndëshkimit, ku bie vetë në kurthet që u kishte ngritur kundërshtarëve. Mesazhi është universal: Tiranët i pret një fund tragjik. Herët a vonë nuk i shpëtojnë dot ndëshkimit fatal.
  12.  Tek një vepër tjetër dramaturgjike e nivelit të lartë “Epoka para gjyqit” e dramaturgut të mirënjohur Ekrem Kryeziu,autori ka rrokur temën e madhe të dramës së shqiptarëve kundër pazarllëqeve të Fuqive të Mëdha në dëm të Shqipërisë. Me gjuhën e mprehtë dhe të bukur të artit dramatik akuzohet një epokë e tërë për padrejtësitë ndaj kombit shqiptar. Në gjyq personazhet historikë realë Abdyl Frashëri dhe Sulejman Vokshi nga të akuzuar shndërrohen në akuzues në mbrojtje të Lirisë dhe Pavarësisë duke përcjell mesazhin: “Pa zgjidhjen e Çështjes Shqiptare nuk ka qetësi as Ballkani, as Europa”.(Ishin vitet tetëdhjetë kur drama u shfaq në Teatrin Kombëtar në Tiranë. Pas tre sekondash sapo publiku përthithi semantikën dhe mesazhin e artë të sentencës, ligjëruar magjishëm nga aktori unikal Kadri Roshi, salla ngrihet më këmbë dhe duartrokitjet e zjarrta vazhduan për pesë minuta. Figura që krijoi autori dhe shpirtëzoi magjishëm aktori Roshi arritën rendin e epërm artistik dhe estetik.
  13. Realiteti shqiptar që nga kohët më të lashta e gjer në ditët tona është një minierë e pafund temash, ngjarjesh, konfliktesh, dramash të mëdha e personazhesh të fuqishëm; – i begatë me figura historike madhështore edhe pozitive edhe negative. Aq sa është e madhërishme figura e Skënderbeut me idetë, vizionet, programet dhe bëmat e tij për liri, pavarësi dhe unitet kombëtar aq është e shëmtuar dhe negative figura e tiranit stalinist Enver Hoxha, një figurë dramatike dhe tragjike, komplekse, diabolike e sadiste, groteske e komike çka përmban një lëndë të pasur, do të thosha prej floriri, për të krijuar një dramë tragjike të dimensioneve të mëdha, të tiranit komunist shqiptar të cilit ndëshkimin ia dha populli duke tërhequr zvarrë shtatoren e tij.
  14. Nga figura e Heroit Kombëtar Skënderbeut marrim mesazhin e krenarisë kombëtare për idealet e larta të këtij Burri Shteti, strateg i madhërishëm ushtarak, i cili sfidoi Perandorinë më të madhe të kohës dhe me guxim luftoi për lirinë dhe pavarësinë e vendit të tij; ndërgjegjësoi dhe bashkoi shqiptarët, të cilët u ngritën mbi interesat vetjake, për ato madhore të atdheut. Ndërsa nga figura e Qoftëlargut (siç e thërriste Prof i filozofisë Isuf Luzaj),- marrim mesazhin e njeriut-përbindësh të etur për pushtet absolut, për të qëndruar në fronin që kishte uzurpuar, u tjetërsua ne vrasës mafioz, katil. Vrasës i kundërshtarëve politikë, i bashkëluftëtarëve dhe bashkëpunëtorëve, dhunues i lirisë, drejtësisë dhe autor i varfërisë e mjerimit të popullit shndërruar në turmë-kope. Nga ky realitet mund të formësohet një dramë realisto – moderne e fuqishme tronditëse, me mesazhe të ndryshme, të larmishme që modeli i shëmtuar të urrehet në ekstrem, duke nënkuptuar edhe vetëndëshkimin tragjik të tiranit, pushtues të të katër pushteteve.
  15. Për ta realizuar artistikisht këtë figurë të këtij tirani unikal, dramaturgu duhet të synojë rendin e lartë artistik dhe estetik. Një dramë tragjike e tillë kërkon shestim dhe formësim me elemente artistike dhe figurative të dramës dhe tragjedisë historike dhe realiste, por edhe të dramës e tragjedisë moderne e post moderne, që kërkon dramaturg të klasit të parë, që të realizojë cilësisht dramatiken, tragjiken, groteskun, satirën dhe sarkazmën për ta dhënë figurën në kompleksitetin e saj. Këtu na vjen në ndihmë modeli shekspirian i krijimit të figurave të këtij dimensioni. Nga “Rikardi i Tretë” mund të mbështetesh në mënyrën si shestohet një figurë e tillë, si krijohet realiteti artistik tiranik, si jepet fryma e kohës dhe si strukturohet tragjedia apo drama historike. Dramaturgu dhe publiku më shumë mësojnë nga figura të tilla si Rikardi i Tretë se nga historia. Thithja e kësaj përvoje nga dramaturgët tanë dhe bërja pjesë e ndërgjegjes krijuese të tyre, do bënte që të shpirtëzohej drama tragjike, psikologjike dhe komplekse e tiranit, prej nga do të buronte kumti: “E keqja të mos harrohet, modeli i çdo tirani të refuzohet.”
  16. Duke u rikthyer përsëri te fantazia, roli i së cilës është parësor në të gjithë përbërësit e dramës, theksoj se, po kaq të rëndësishme janë struktura dhe arkitektura e dramës.Dramaturgët tanë nuk i kushtojnë vëmendjen e merituar këtij komponenti, as për dramën historike, as për tipat e llojet e dramës në tërësi.Dobësitë më evidente të kësaj dukurie janë: Shestimi i veprës më shumë narrative se dramatike, dramatizimi i ngjarjeve, episodeve, situatave e rrethanave pa lidhje organike, me shumë linja, problemeve, ngjarjeve e konflikteve, që e copëzojnë veprimin kryesor dramaturgjik duke zvjerdhur linjën kryesore, ku thjeshtëzimi dhe skematizmi gjejnë strehë.
  17. Edhe në këtë rrafsh Shekspiriështë udhërrëfyes. Në kryeveprat e tij gjendet modeli më i përsosur i unitetit dramaturgjik të veprës dhe krijimit të figurave komplekse artistike nëpërmjet një procesi ku ndeshja me veten dhe të tjerët zhvillohet jo në vijë të drejtë, por përmes një lufte të brendshme psikologjike plot enigma, mëdyshje, zigzake, dialogë të mprehtë, monologë, gjithë mendim, me gjuhë të bukur e me kolor, të cilat janë çelësa të mjeshtërisë si art shekspirian.

KONKLUZË :

Kultivimi i tragjedisë dhe dramës historike dhe bashkëkohore sipas ligjësive të brendshme të tyre, për ta pasuruar tipologjinë me tipe dramash e tragjedish sa më të larmishme, me vizione e qasje te reja, me struktura klasiko-realisto-moderne dhe alternative, nëpër të cilat përmbajtja të ngjizet në forma të ndryshme strukturore, shprehur bukur, – kjo do të sillte risi dhe cilësi në konceptimin dhe formësimin e dramave të tipeve të ndashme çka mesazhet do të ishin më të fuqishme, më emocionale duke u dhënë lexuesve apo spektatorëve kënaqësi shpirtërore, mendore dhe estetike. Kjo është kërkesë artistike për cilësinë e veprës dramatike e në të njëjtën kohë është mision për ta ngritur në art historinë e popullit me identitetin e tij kombëtar ku dama realisto – moderne të shquhet për nivel të epërm artistik, estetik dhe mesazhor.