Suplementi Pena Shqiptare/ Merita Gjoni: Libri dhe…Unë

820
Përsiatje
E dua librin, vlerën, aromën e tij. Mbaj mend çdo libër, që kam lexuar e mbajtur në duart e mia. Po sikur, libri të donte të fliste, a do të më mbante mend mua? “Po, po, të mbaj mend, -klithi një zë brenda meje. -Ti, një vajzë e vogël rendje drejt meje, më ndiqje e më gjeje kudo, që isha: në bibliotekën e shkollës, në sëndukët e vjetër, në kokat e divaneve të shtëpive të shoqeve të pallatit, në vitrinat e dyqaneve. Skuqeshe, kur më kërkoje. Por zemra të rrihte fort nga kënaqësia, kur mundi yt i rrëmimit dilte me sukses… Mbaj mend, se si më trajtoje me butësi, me kujdes. Më rrotulloje këtej e andej, si një arkeologe që, nga çasti në çast, pret zbulimin e radhës. Më ndreqje, kur dikush më kishte keqtrajtuar. Grisje lehtë, me majën e lapsit, pjesë të qenies time, që të pëlqenin dhe, hera-herës, e kuptoja që Ti doje, që Unë, të të merrja e të të çoja në tërë përshkrimet e mia. Kam parë qepallat e tua, kur rëndoheshin dhe, me një vështrim dashamirës, i thonim njëri-tjetrit: Natën e mirë! Pasditeve, takoheshim çdo ditë, përshëndeteshim dhe hynim në botën tonë, në imagjinatën tonë më të bukur, në atë aromën e fletëzave, që kërcenin faqe më faqe, në rëndësinë e fjalës dhe rrinim ashtu, së bashku, për shumë kohë. Më quajte mik të ngushtë, siç kishe shoqet e tua, sepse Ti, e kishe kuptuar, tanimë, vlerën dhe rëndësinë e shoqërisë. Fillove të më “marrësh nëpër gojë” me shoqet e tua dhe t’u flasësh aq mirë për mua, sa të them të drejtën ndihesha krenar. Më njohe shumë shpejt me shoqet e shokët e tu dhe u kërkove që të më kishin mik, ashtu si edhe ti. U kërkove që, edhe ata, të më kishin mua për vizitë në shtëpitë e tyre. Po ndihesha i mrekulluar, me miqësitë e reja e të shumta, që më ofrove Ti,mikja ime. A e mban mend atë pasdite, kur qaje me dënesë për një prej personazheve të qenies sime. E kam fjalën për Enrikun, për historinë e tij të trishtë,prej të cilit Ti mësove se çfarë është ditari e fillove të mbash një të tillë? E mban mend se, sa herë ke qeshur me të madhe se Unë në qenien time kisha edhe personazhe trazovaçë, humoristë e lloj-llojesh, që ty të rrëmbenin me prapësirat e tyre? E mban mend kur, Ti, thoje se e kam vendosur që do të bëhem “fiks”, si ky personazh e pas një takimi tjetër ishe e luhatur, se kujt dëshiroje t’i ngjaje? Gëzohesha pafund, me dilemat e tua dashamirëse, për t’u bërë e mirë me listimet, që u bëje personazheve pozitive. E mban mend se si, nën zë, dënoje shtrigat, katallanët dhe ujqërit, për të këqijat që bënin? Edhe në këto raste, gëzohesha me ty, kur trembeshe dhe kur lumturoheshe, që ata e pësonin dhe më mbyllje tërë qejf, për fundin e lumtur. Ah po, se ndoshta harroj: Fillove të mungosh në ndonjë nga pasditet. Unë isha aty mbi tavolinë dhe të vështroja, kur Ti shkruaje përshtypjet e tua për Mua. Unë zgjatesha, shikoja e lexoja, se si Ti përmblidhje titullin, autorin,personazhet, idetë e mesazhet për Mua e Vëllezërit e mi. Lidhja jonë u bë e fortë, e ngushtë, aq sa unë dhe shumë nga vëllezërit e mi, vendosëm të qendronim në bibliotekën e shtëpisë tënde. Aty Ti na fshije nga pluhurat shumë shpesh, sepse doje që ne të shkëlqenim gjithnjë. Nuk të kam treguar një “sekret”, mikja ime. Por tani, që je rritur, dua ta ndaj me ty. Ti nuk kërkove asnjëherë asgjë nga unë, u kujdese për mua gjithnjë, më çove në sa e sa duar, në sa e sa zemra. Kur Ti flije e përsëri ëndërroje legjendat, tregimet, përrallat, novelat, poezitë e romanet e qenies tsime, në fshehtësi, Unë të dhuroja vlera artistike e njerëzore: komunikimin e qartë e të saktë, dashurinë për të bukurën, dhembshurinë për më të dobëtin, guximin për të përballuar sfidat dhe vullnetin, për ta gjetur rrugën drejt suksesit. Mbaj mend njëherë,kur një tis errësire e dhimbjeje të mbështolli.Unë erdha te Ti,mikja ime dhe të solla dritën time, që të duhej, për t’i shpërndarë retë gri. T’i pëshpërita në vesh fjalët, që populli e filozofët e shquar kanë shkruar nga përvoja e tyre: për trishtimin e humbjes së njerëzve të dashur,dështimin në hapat që ke zgjedhur, rrëzimin e forcën për t’u ringritur,besimin,shpresën e sigurinë, që e nesermja do të vijë më e lumtur dhe plot ngjyra. U gëzova shumë për Ty, kur gjete forcën për t’u ngritur,për të hapur një faqe të re, për të buzëqeshur dhe për të besuar te vetja: PO, DO T’IA DAL!. Unë e dija se kjo do të ndodhte, sepse të njihja Ty,botën tënde, aspiratat e tua dhe ndikimin, që ndër vite, Unë kisha lënë te Ti. Sepse Ti kërkove e lexove shumëçka, që Unë i përfshiva në qenien time, si dhuratë për të gjitha fushat e jetës. Jam shumë i lumtur, që të shoh sot, kur ti përballë ke një brez të ri dhe u flet e u flet, plot pasion e dashuri për Mua, për rëndësinë, miqësinë dhe vlerën time. Të jam mirënjohës, mikja ime. Të kam shkruar me shkronja zemre, në sëndukun tim mijëvjeçar, përkrah tërë brezave, që u strukën në hijen e diellin tim!” I yti, thesari më i shtrenjtë.
Sigal