Suplementi Pena Shqiptare/ Martin Cukalla: Mos m’u mërzit

102

mikut tim L.M.

natyrisht unë nuk jam një nga poetët e diellit
djalë fshati jam mësova poezinë
duke gjuajtur mëllenja nëpër ditët me dëborë
e duke dëgjuar këngë bilbilash
edhe kur era ma shfrynte ngricën nëpër fytyrë

më parë laps a penë dhe një fletë të bardhë grisur diku kisha
tani kompjuteri a një celular për udhëtimet e përditshme
më dëgjojnë rrahjet e zemrës dhe formojnë vargjet e poezive
ashtu si m’i jep jeta gdhendje në trung lisi nga një thikë
e vrazhdë e egër gjithnjë si asnjë tjetër gjë më dhëmbin venat

me frikën e përsëritjes në grykën e tharë nga kaq shumë
gjemba që mban dita jonë në shpinë
luftoj të mos jem një çekan që rreh e rreh i pamëshirë
atë delikatesë të zbehtë e purpur të dashurisë
e di mirë: lulet janë shpresa për një vjeshtë me fruta!

mos mendo se nuk dua të shkruaj a nuk mundem
të bëj vargje për yjet e qiellit të natës
që dashurohen nëpër barin dritë-hëne e të vesuar të majit
a për trëndelinën që lot lozonjaren nëpër puhiza erëkëndshme
dhe deh trupat rinorë të lakuriqtë e të djersur kënaqësive

mos mendo se nuk mundem a nuk dua të shkruaj
poezi diellore për butësinë e një dore vogëlushi
mbi faqe gjyshërish-petale trëndafili mbi qime të thara mjekre
a gishta vogëlushi mbi fletore ku shkarravitet jeta si do të jetë nesër
nëpër vatrën tonë me diellin e ulur këmbëkryq

ka shumë poema yje qielli të shkruara nga poetë diellorë
i kam lexuar të gjitha dhe kam qarë nga mallëngjimi
dhe kam nxjerrë nga sirtari ëndrrat e mia të rinisë
ca projekte të çartura dëlirësie të pa mort galaktika buzëqeshjesh
të largëta vërtet po që i kam mbajtur në dorë dhe i kam puthur

ka poetë që bëjnë qyqen breg më breg rrahin krahët e errësirës
klithin e qajnë vëllanë vdekur moti, harruar tanimë,
poetë të tjerë bëjnë bretkosat nëpër ligatina pushteti kuak kuake litanie
nëpër pemë poetët bilbila këndojnë e nuk rreshtin hëna u ndrit sqepin
e kënga merr mëngjeset kur arratiset gjumi e ëndrra sëmuret nga dita
mua më ka marrë përroi nuk ka breg që më pret rrokullimë rrokullimë
nëpër fatet e përbashkëta mos ndoshta zgjoj ndonjë dhembshuri njerëzore
për Njerëzit

mjegullat e metaforave mund të rrinin mrekullisht në buzëqeshjet e mia,
nëse jeta jonë nuk do më rrokullisej përpara gjunjëve duke ulërirë
kështu nuk mund të mos jem një segment jete që vështroj atë që dhëmb
e gjitha e qëndrueshme në gravitetin tim e në elegancën e thjeshtë
të çdo çasti që po soset me rrëmbim dhe i pa konsumuar

ndoshta duhet ta shohësh këtu dhe veten tënde
përgjegjësitë dua të them
ndoshta