Suplementi Pena Shqiptare/ Mark Simoni: E famshme kjo strukturë dërrase?

530
Sigal

Pavarësisht prirjeve të mia në fushën e letërsisë dhe gazetarisë, (shkollimeve të gjata për to), megjithë librat që kam bërë si roman, ese, tregime, poezi, studime, përsëri thellë thëllë në ndërgjegjen time, bash atje brenda saj, rri e zgjohet herë pas’here dashuria ime për pikturën dhe jetën e piktorëve. Madje, në gazetat ku kam qenë, ka pothuaj aq shkrime për pikturën sa çkam dhe për letërsinë. Shkrimet e mia “Figura e Don Kishotit në pikturën evropiane dhe artet e aplikuara” si dhe “Omeri në katër kohë”, (për piktorin e madh Omer Kaleshi), janë përkthyer dhe botuar edhe jashtë.
Kjo lloj alkimie e imja me pikturën, më shtynë përherë drejt ekspozitave kudo ku kam qenë, drejt koleksioneve dhe atelieve, më shtyn të blej tabllo të ndryshme, (koleksioni im është me rreth 120 piktura), më nxit të koleksionoj albume piktorësh të mëdhenj, të mrekullohem prej telajove dhe aromave të bojrave.
I thashë tërë këto, sot, krejt i emocionuar, mbasi pikërisht sot, gjeta dhe preka kavaletin e një prej piktorëve tanë më të mirë, madje mendoj se më moderni ndër të gjithë, Edison Gjergo. Ky kavalet në foto është punuar qysh para se unë të lindja. Edisoni pikturoi gjatë, (“Epika e yjeve të mëngjesit” ju kujtoj se është vepër e tij), shkoi burgjesh, u kthye prej andej dhe punoi bojaxhi, i vetmaur dhe fillikat, deri sa vdiç në 1989. Por kavaleti dhe një dorë pikturash mbetën. Janë dhe sot. “Shpesh gjërat që bëjmë vetë, jetojnë më shumë se ne”,- thotë një estet
Kur qe 19 vjeç bëri ilustrimet e librit “Zërat e jetës” që konsiderohen si ilustrimet më të veçanta dhe tjetërlloji që kishte një libër shqiptar.
Nuk është anekdotë por e vërtetë, që pikturën e tij “Kënga e aksioneve” disa piktorë e admirues të Gjergos e kanë prerë copa copa kanavacën, dhe secili ka marrë nga një pjesë si antikuar e kujtim, bash ashtu siç bënin njerëzit në kufinjtë mes Gjermanive, ku merrnin copa gurësh nga Muri i rrëzuar i Berlinit.