Suplementi Pena Shqiptare/ Luigj Gurakuqi, Figura kryesore e Rilindjes Kombëtare

1037
Sigal

Luigj Gurakuqi (Shkodër, 20 shkurt 1879 – Bari, 2 mars 1925) qe veprimtar i çështjes kombëtare, hartues dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet, arsimtar, tekstolog, gjuhëtar, diplomat, deputet. Është një nga personalitetet më të shquara të lëvizjes sonë kombëtare, arsimore e kulturore në fundin e Rilindjes Kombëtare dhe të fillimeve të Pavarësisë duke përjetuar ngjarjet më kulmore të jetës së vendit në çerekun e parë të shekullit tonë në shumicën e të cilave në mos organizator, qe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë. Lindi në Shkodër më 19 shkurt dhe u pagëzua më 20 shkurt 1879, u rrit në gjirin e një familjeje tregtare shkodrane, nga Pjetër Gurakuqi e Lezja (Tereza) e Kolë Prekës. Me edukimin e tij u mor në mënyrë të veçantë i ati. I ndodhur përherë pranë të atit, dëgjonte me vëmendje bisedat e diskutimet për ngjarje të së kaluarës dhe të ditës, për kryengritjet popullore dhe kush i udhëhiqte. Duke kujtuar këto vite, Gurakuqi student do të shkruante: “Më çohet mall me kenë në shpi e me ndigjue babën tue kallzue, si përpara, në ngjarjet e Pashallarvet të Shkodres, trimnitë e malcorvet e luftat e Malit te Zi, sende qi kishte ndî prej t’et e që edhe ai vetë shume kish pa“. Shkollën fillore e të mesme jo të plotë i ndoqi në Kolegjin Saverian në rendin tekniko-tregtar, prej ku doli më 1897. Më pas plotëson arsimin e mesëm në Kolegjin arbëresh e Shën-Mitër Koronës, ku pati mësues De Radën, që e frymëzoi për tërë jetën; ishte nxënësi i parë shqiptar aty. Takimin me të Gurakuqi e kujton: «Kam pasë nderin me qenë afritë prej Plakut të nderuem Jeronim De Rada. Tue u-gjetë përpara t’âmblit kangatar të Milosaut, të Skanderbeut Pafanë, tue ndie qortimet e këshillat e tija, tue ndigjue zânin e tij të fikët, qì bâhej mâ i plotë, e tue pa syt e tij të mekun kah ndezeshin e shkelqeshin, tue permêndë Shqipnín, unë gjith përmallue, nuk mujta me u ndalë pa lëshue, bashkë me dy pika lot, nji të puthun të nxehtë mbi at dorë që punoi sá e sá për Atdhé..!»

Aktiviteti patriotik e politik

Kur ishte njëzet vjeç hyri pjesëtar i shoqërisë “Bashkimi” të Abat Doçit. Ngatërresën e parë me autoritetet turke e pati, më 1904 epër këtë shkak më 1905 u shtrëngua me marrë malet për t’i shpëtuar ndjekjeve. Me shpalljen e Kushtetutës falen të gjithë ç’kishin bërë faje politike. Më korrik 1908 kthehet në Shkodër i pritur e i brohoritur, meqë me Hyrrijetin u dha një amnisti. Në nëntor merr pjesë në Kongresin e Manastirit, ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit. Bashkë me Fishtën ishte përfaqësues i “Bashkimi”-t, me Logorecin kishin mandat të përfaqsonin inteligjencën shkodrane, gjithashtu vetë Luigji kishte mandat të përfaqsonte arbëreshët e Italisë. Shkroi alfabetet e miratuar nga Kongresi i Manastirit dhe i zbuloi para delegatëve. Në tetor të 1909 u emërua drejtor i së parës shkollë normale që u hap në Elbasan, ku dha ndihmoi për vënien e arsimit mbi baza kombëtare. U krijua përvoja e parë e ngritjes së administratës arsimore shqiptare, u hartuan dokumentat e para shkollore, u ngrit një sistem i tërë i përgatitjes dhe i kualifikimit të mësuesve.

Shpallja e Pavarësisë

Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës u zgjodh Ministër i Arsimit dhe vendosi arsimimin e detyruar fillor për djem e vajza. Merr pjesë në Konferencën e Londrës më 1913, me Ismail Qemalin e Isa Boletinin.Me Luftën I Botërore Shkodra pushtohet nga ushtria malazeze, Luigj Gurakuqi internohet në Podgoricë nga 17 korriku 1915 deri në janar 1916. Gjatë pushtimit austro-hungarez, me praninë e Komparmatës XIX të komanduar nga gjen. Trollmann prej konsullit Kral vihet drejtor i përgjithshëm i Arsimit. Qe një nga themeluesit e Komisisë Letrare, më 1916. Profesori i Filologjisë romane në universitetin e Ljubjanës, më parë një Prof. E nderuar në Univ. e Gratz-it në Austri që bëri pjesë në punimet e kësaj Komisie, Radomir Nachtingall, e çmon lart Gurakuqin.

 Kongresi i Lushnjes

Idetë e tij i shtjelloi hollësisht në diskutime në parlamentin shqiptar dhe, posaçërisht n’artikullin “Bazat e bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëvet muhamedanë e të krishtenë”. Më 1921-1924 u zgjodh deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar, ku si një nga udhëheqësit e opozitës demokratike luftoi për demokratizimin e jetës së vendit. Për situatën e viseve shqiptare të mbetura jashtë kufijve ankohej se: “Na kanë marrë qytetet e na kanë lanë malësinë, na kanë marrë viset ma të çmueshme t’atdheut duke na lanë si një trup pa kokë”.Më 5 mars 1924 u sëmur rëndë nga një grip i fortë që e mbërtheu afro një muaj në shtrat. Shtypi i dha vëmendje të veçantë, aq sa Avni Rustemi i thoshte Dom Shantojës “Opozita po pushon: Kemi Gurakuqin e sëmurë”.