Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Verbëria e Homerit

151
????????????????????????????????????????????????????????

Thonë se Homeri ishte i verbër
botë e përhumbur
pa hënë e diell,
pa perëndime e furtuna detare,
në boheminë dhe verbërinë e tij
ai shkroi “Iliadën” dhe “Odisenë”
duke qarë mbi varret e hapur plagët e mëdha të Trojës
vaje për vrasjen e Hektorit dhe profecinë e Kasandrës
për dashurinë e humbur të Helenës së mjerë,
orakujt në Delf thonin se poetët duhet të jenë të verbër
që muzat tu japin ëmbëlsinë e zërit e të këngës
që stuhitë ti kthejnë në fllade
e të paqtojnë Eumenidet,
zëra hyjnorë për ti kënduar më bukur himnet
bëmat, blatimet dhe vdekjet e heronjve,
ndryshe si mund të këndohej kthimi i Odieseut
dhjetë vjet më pas,
si mund tu këndohej duarve të Penelopës
me pëlhurën e mos-harresës që nuk mbarronte kurrë,
si mund ti këndohej trupit të vrarë të Patroklit
që digjej buzë detit
dhe vajit të Akilit për të dashurin e tij?
Poeti Ksenokrit lindi i verbër
profecia bëri që ai të këndonte lirikat më të bukura të botës antike
veç diell rezëllinte në sytë e shuar të tij,
Akaio i Eretrisë u pickua në sy nga një bletë
dhe që atëherë bleta fluturake
u bë simbol i muzave,
Demokriti u verbua vetë
që të këndonte më bukur nga të gjithë
në terrin e mjegullt të natës së gjatë
oh, ç’dhimbje e ngazëllim,
oh, ç’dritë dhe errësirë e madhe,
ç’dëshirë e çuditshme të bëhesh poet
të shkëmbesh dritën e syve me fjalën…
Kështu vazhdoi kjo histori gjer në malet e Ballkanit
me bardët e verbër nga njëri mal në tjetrin
nga hanet e ftohta alpine në lugjet e verdha
shqiptarë, serbë, malazezë, boshnjakë
që këndonin sy-shuar epopetë e mëdha
bëma e zjarre që s’donin të shuheshin,
sy që këndonin mijra vargje mbi tokë
e mijra të tjerë nën qiej,
në mbretërinë e borës së pafund,
këngë për Mujon dhe Ajkunën
e cila ende pas kaq shekujsh vazhdon të vajtojë
këngë për endjen e parreshtur të motrës
që kërkon Omer Agën
që nga dhimbja e tmerrshme në natën që thyhet
kthehet në qyqe,
këngë epike në sytë e tyre të shuar…
Homeri ende udhëton në bjeshkët e kujtesës
me natën në sy
dhe këngën që nuk shteron në zemër…