Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Shqiptarët e Francës në Luftën e Spanjës

239

(Në kujtim të ditëlindjes së shkrimtarit Petro Marko).

 

Fragment nga libri “Tek Frankët”,

 

…. Lufta e Spanjës shkaktoi një lëvizje të gjerë të grupeve të majta dhe vullnetarëve që shkonin nga shumë vende të Evropës, për të ndihmuar ushtrinë republikane të Spanjës kundër ushtrisë së gjeneralit Franco, i cili mbështetej drejtpërdrejtë nga Hitleri dhe Musolini. Nacionalistë, simpatizantë të majtë, komunistë shqiptarë u angazhuan në mbrojtje të Spanjës republikane dhe Parisi u bë një nga qendrat kryesore të kalimit të vullnetarëve shqiptarë drejt kufirit franko-spanjoll. Halim Xhelo, Llazar Fundo, Sefulla Malëshova dhe komunistë të tjerë anëtarë të Kominternit që ishin në Francë, kontribuan në këtë drejtim. Sigurisht, Sefulla Maleshova, Nako Spiru, Dhori Samsuri, Omer Nishani ishin përkohësisht në Francë, por rreth tyre u mblodhën jo pak emigrantë shqiptarë të pikëpamjeve të majta. Po kështu dhe shumë emigrantë shqiptarë që ishin në Lyon, Saint-Etienne, në pellgun e Loire-s apo në Paris. Emigranti Ilia (Eli) Jani ishte lidhur me njerëzit e KOMINTERN=it dhe ishte ai që krijoi grupin komunist grek të Lyon-it, (Première Groupe Communiste Grec de Lyon au monde“, siç e shkruante ai në atë kohë). Siç kujtonte ai, „në fund të dhjetorit të vitit 1936 erdhën në Lyon Veli Dedi, Xhemal Kada e më pas Skënder Luarasi. I prezantova me Komitetin e Lyon-it. I përcollëm tek stacioni i trenit. Në shkurt të vitit 1937 erdhi dhe Teni Konomi, i cili morri pjesë në mbledhjen e grupit tonë. U nis nga Marseille me një anije për në Spanjë, por rrugës anija u mbyt…“ Më vonë Ilia Jani ishte aktivist i “Kryqit të Zjarrit“, një lëvizje e majtë (“Croix de Feu“). Në kujtimet e tij, Petro Marko tregon rrugën që bëri nga Shqipëria drejt Francës, takimin në Lyon me Ymer Dishnicën, i cili ishte student në Lyon dhe qëndrimin për pak kohë në Belleville të Parisit, për tu nisur më pas drejt Spanjës. Llazar Fundo, i ardhur për studime për jurisprudencë në Paris që në vitin 1918 dhe pas një eksperience politike në Moskë, si dhe komunistë të tjerë ishin vendosur në atë kohë në një shtëpi në Près-Saint-Gervais, në periferi të Parisit. Në Paris ishte dhe Qeriba Derri me burrin e saj. Ajo shërbente si ndërlidhëse e Halim Xhelos me emigrantët e tjerë politikë shqiptarë në Francë por dhe në Shqipëri.


Për të shkuar në Spanjë, Petro Marko, një nga gazetarët më me kurajo të gazetës Bota e Re, udhëtoi fillimthi drejt Athinës, ku me të marrë një vizë, nga Pireu, me anijen «Theophile Gautier» u drejtua drejt brigjeve italiane e pastaj franceze duke zbarkuar në Marseille. Që andej, me tren erdhi në Paris. Të nesërmen në mëngjes ai takoi Llazar Fundon që punonte për revistën komuniste Regard dhe që jetonte me një gjermane në Rue Madame. Me Fundon ai shkoi në qëndrën e Kominternit për Ballkanin, në 8, Rue Combat, e drejtuar nga një jugosllav i quajtur Robert (në fakt Vukotiç). Ishte ai që e çoi në «Hôtel Belleville» ku mblidheshin «vullnetarët e lirisë», para se të niseshin në frontin e Spanjës. Në Paris, ku qëndroi disa kohë, Marko takoi Beqir Valterin, i cili i fliste për të ardhmen e Ballkanit. Në librin e tij Intervistë me vetveten, (Retë dhe gurët), Petro Marko tregon se në Belleville ishte organizuar një mbledhje e emigrantëve të Parisit. «Mbledhjen e hapi Fundo, i cili kërkoi që të tregoja për situatën në Shqipëri. Aty u njoha me Qazim Koculin, Rexhep Mitrovicën, Ali Këlcyrën, Kolë Tromarën, Aziz Çamin, Qazim Mulletin, Beqir Valterin, një djalë të Ismail Qemalit, Muharrem Bajraktarin e të tjerë». Djali i Ismail Qemalit, Qamil Vlora, i cili kishte qënë kryekonsull në Selanik dhe funksionar i lartë në Ministrinë e Jashtme shqiptare, meqenëse në vitin 1932 ishte akuzuar pa prova si anëtar i një organizate të fshehtë anti-zogiste, ai vendosi të largohej dhe të vendosej me gjithë familjen në Francë. Kështu ai shkoi në Beograd ku i bëri të njohur legatës shqiptare se autoritetet e vendit ishin sjellë mjaft keq me familjen e atij që shpalli Pavarësinë shqiptare. «Unë ika nga Shqipëria, – i deklaroi ai sekretarit të legatës, – me përshtypjen dhe bindjen e plotë se armiq të panjohur e kanë vënë si qëllim që të diskreditojnë e terrorizojnë familjen tonë duke e poshtëruar emrin e saj» … Në fakt, një nga vëllezërit, Ethem Vlora, njihej si kundërshtar i regjimit të Zogut, tjetri Qazimi, ishte burgosur, ndërsa një vëlla tjetër, Tahiri, që ishte në Paris, kishte vrarë veten nga mjerimi ku kishte rënë. Kështu Qamil Vlora me gjithë familjen erdhi dhe jetoi në Paris me ndihmën e senatorit Justin Godard, madje dhe u dekorua nga presidenca franceze me dekoratën e lartë (Chevalier d’honneur).
Petro Marko tregon se ajo mbledhje u kthye në rrëmujë, pasi nacionalistët filluan të grindeshin me të majtët dhe simpatizantët komunistë se kush duhej t’i bënte atentat mbretit në Shqipëri, se kush ishte më atdhetar se tjetri, etj. Në Paris, Fundo e shoqëroi atë të hipte në Eiffel për të parë kryeqytetin francez. Ai takoi gjithashtu Ali Këlmendin dhe Loro Brahimin, të cilët, bashkë me Fundon do ta shoqëronin në «Gare de Lyon», nga ku do të nisej drejt Spanjës për tu bashkuar me brigadat internacionale. Marko kujton se para se të ikte, Ali Këlmendi i kërkoi t‘i përkthente disa këngë ruse. ”Aliu më dha një fletore të re duke më thënë: shkruaj këtu poezi revolucionare!… Dhe në faqen e parë unë shkrova ”Viva la muerte!” I pakënaqur, Aliu e fshiu dhe shkroi: ”Viva la vida!” A e kupton, ti po shkon të luftosh që të triumfojë jeta!…» Kështu largohej Petro Marko me imazhin e atyre banderolave ku shkruhej me germa të mëdha: «Rroftë Fronti Popullor!»… Rroftë Republika Spanjolle!…» «Vdekje Fashizmit!»… «Vdekje Frankos, Musolinit dhe Hitlerit!”… “Rrofshin bijtë e proletariatit që shkojnë në Frontin e Lirisë!»…
Një atmosferë entuziazte i jep emigrantëve shqiptarë të Lyon-it dhe Grenoble-s dhe Petro Marko pas kthimit të tij nga Spanja. Pas qëndrimit në një kamp francez të vullnetarëve internacionalë të Spanjës, (Vernet), ai mundi të vijë në Paris. Përshkrimet e tij në këtë çast të pragut të Luftës së Dytë Botërore në kujtimet e tij Intervistë me vetveten, na japin një atmosferë të veprimtarisë së emigrantëve shqiptarë që ndodhen në këtë rajon të Francës. “Qëndrova në Lyon. U drejtova në Rue Montebello nr.8 aty ku dërguam dhe revistën Vullnetari i Lirisë. Aty gjeta Gaqo Dishnicën, Dhori Samsurin, Ilo Shahinin, të cilët më pritën me ngrohtësi… Pastaj shkova në shtëpinë e Sokrat Nushit. Aty ishin Valideja, djemtë e vajzat: Sanoja, Liloja, Kozmai, Gogoja dhe Ksenofoni…“
Në Grenoble, sëpari ai u takua me mikun e tij Dhimitër Shuteriqi, student. Marko merrte ndërkohë një ndihmë nga «Croix Rouge International» dhe filloi të punonte si kamarier në restorantin «Copé» në Rue Bayard 10, në një restorant që mbahej nga simpatizantë komunistë. «Ata më regjistruan në universitet në degën histori arti që të isha në rregull me policinë më ngarkuan të merresha me studentët. Aty u takova me studentët Dhimitër Shuteriqi, Mahir Domi, Biblil Klosi, Petrit Dakli, Petrit Merlika, Ilo Shahini, Ferdinand Pici, Manush Haliti, Alqi Nushi (nga Berati), Dario Arditi, (çifut nga Durrësi), Druga nga Durrësi, Petraq Qafoku. Nga punëtorët ishte familja e Miltiadh Kasnecit (Koka) nga Vunoi, që banonte në një shtëpi të vogël bashkë me të shoqen Katerina…» Në atë kohë, në një kamp përqendrimi në Pyrennés kishin mbetur ende Mane Nishova, Skënder Luarasi, Zef Prela dhe Mehmet Shehu. Të tjerë si Shaban Basha, Emrush Myftari, Justina Shkupi, Ymer Puka, etj, ishin mbledhur në Paris dhe ishin në një gjëndje të vështirë ekonomike. Petro Marko me shokët e tij në Grenoble, ku punonte si kamerier në “braserinë”, “Copé”, mblidhte ndihma për ta, siç tregonte ai. “Fillova të mblidhja ndihma në para, ushqime, veshmbathje. Një ndihmë më ka dhënë punëtori i ndershëm patriot Miltiadh Kasneci. Ai punonte në fabrikën e biskotave “Le Brun”. Më jepte me shumicë biskota të thyera dhe ua dërgoja shokëve. Mblidhte dhe veshmbathje, ushqime të tjera. Dy herë në javë bëja pako të mëdha dhjetë kilogramësh dhe i dërgoja… Zeqirja Rexha që studionte në Toulouse dërgoi disa herë ushqime e të holla“…