Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Shëëët… ajo po flë!

92
Treni shkon
ndërsa ajo ballë meje flë,
një këmbë pak e ngritur
si skenë e një modeli
pështetur lehtë pas sediljes së saj,
treni shkon, xhamat piklojnë,
retë rendin me vrap
duke braktisur tutje
një pemë të harruar, zhveshur, fillikat
dhe qullur në shi,
ndërsa ajo, symbyllur,
shket tutje bashkë me endrrën e saj.
Ku shkon kjo vajzë, ku?
Në ç’krahë, në ç’brigje?…
Lë librin mënjanë dhe shikoj sërrish
këmba gjithnjë ngritur
dhe buzët e pulpta, të kuq,
gishtërinj të gjatë me manykyr nderur në ajër,
veç gjoksi i saj dihat
me frymëmarrjen e botës
dhe gjithë grave të dashuruara,
puthur, në ekstazë, si në gjumin e vonë,
poshtë një shekulli gri,
ashtu kruspull ajo lëviz 
gati për ta mbajtur në krahë
për t’ia çuar orakullit të Delfit,
pallto e zezë,
flokë të zeza,
buzë të kuqe kramoizi,
dhe meqë s’kam kalem,
meqë s’jam piktor
filloj ta skicoj me sytë e mi
i vizatoj vetullat, qerpikët,
zbres poshtë mbi faqet rozë,
prehem pak në mjekrën ovale të saj
dhe vazhdoj të vizatoj hiret
si të isha Man Ray
në dritën e atelierit të tij,
të vizatoj linjat e një të panjohure
në moshën e saj të artë,
si një Fornarina e Rafaelos,
një Simonetta e Boticelli-it,
apo si një Hendricke e Rembrandt,
me fytyrën e dashurisë së parë,
atje në sedilje
ku gjithë gratë e botës flinin atë çast,
në sytë e saj,
me këmbën pak të ngritur
një model arti pashë, një frut dashurie
që s’duhej kafshuar…
Shëëët, ajo po flë,
por papritur ajo u zgjua,
kthyer nga unë.
Buzët u hapen si petale trëndafili,
ajo më pa,
unë e pashë,
ajo qeshi miqësisht
por atëherë i ndrojtur mbylla sytë,
të flija në një tjetër botë,
te një tjetër grua…