Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Një meshë letrare e Atit për Birin

719
Dëgjoj Mozart-in, lexoj librin e Zija Çelës «Për dashurinë shkruhet vetëm pas vdekjes » dhe çuditërisht fjalët e Atit për Birin më ngjizen me muzikën në një «Mesha në Si», pasi dhe faqet e këtij libri i ngjajnë një meshe të vërtetë letrare. Siç shkruhet dhe në kopertinën e pasme të librit “Thonë se virtytet dhe talentet janë xhevahire të shtrenjtë që zbukurojnë njeriun. Nëse është e vërtetë, atëherë mund të them se gjithë kohën, sa rrojti, xhevahiret Dritani i mbajti në mënyrën më të padukshme, nën këmishë. Vetëm njëherë shkëlqeu një diamant i zi dhe kjo ndodhi me mortin e tij…” Në dukje të parë, vdekja e Birit nuk ka lidhje me Mozartin, por kur ai është një letrar, një artist, fjalët për të na bashkohen me marshet funebre, pasi ndodh, që edhe humbja, vdekja, të bëhet objekt arti, vetvetiu, nga dhimbja, nga adhurimi për Birin nga agu i jetës gjer në natën e errët të vdekjes. A nuk kishte thënë nëna e tij: “Biri im, ty nuk të vrau sëmundja. Unë e kam fajin! Që kur linde, dashuria që provova për ty qe aq e madhe, sa e ndjeva se do të humbisja para kohe. Që nga ajo ditë, ti rriteshe, të prisja, të përcillja, dhe unë qaja pa pushim çdo ditë nga dashuria e pamatë për ty! Biri im! Biri im!…” Nëse Dritan Çela nuk do kishte qenë njeri i letrave, nëse nuk do kishte qenë ai përcjellësi i letërsisë si përkthyes e letrar i eseve të mrekullueshme, ky libër ndoshta s’do ishte shkruar, por ai është shkruar në përkushtim të talentit të kryer që tashmë kishte marrë rrugën e madhe të letërsisë dhe artit, duke përcjellë në shqip letërsinë e Buzzati-t, Susana Tamaro-s, Pirandello-s, Eco-s Calvino-s, Moravia-s apo Schiascia-s… pasi ai ishte përcjellësi i pishtarëve të dritës dhe ndodh që në furtunat e mëdha flaka papritur të shuhet…Duke qenë larg Tiranës, unë nuk e njihja birin e mikut tim të vjetër, shkrimtarit të talentuar Zija Çela, thjesht kisha dëgjuar për të dhe përkthimet e jashtëzakonshme, por ky libër që lexova, jo vetëm më bëri të njoh “atë diamant të zi” që mbeti në botën e përkthimeve shqiptare, por dhe të dëgjoj një meshë të rrallë përkushtimi të Atit për Birin, një libër për t’i thënë atij ato fjalë që, siç duket, Ati nuk i kishte thënë më parë, fjalë dashurie e malli që përcëllojnë çdo çast dhe përtej vetë kohës. Po, “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes” dhe në këtë ngjizje të muzikës së Mozart-it që dëgjoj dhe fjalëve të tij e kuptoj sesa të pakufishme janë nganjëherë dimensionet e dashurisë…


Sigal