Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: “Një dritare në blu”

525
Sigal

Tri poezi

Ti je një dritare në blu,

kanatet e hapura si një grua e bukur

që nga deti vjen,

ti je dritarja me sy blu dhe vetulla purpuri,

një dritare e çlirët, e hapur gjithnjë

për të parë njerëzit dhe botën,

nëse zgjatem shumë,

poshtë do gjej veç humnerën

ti je më shumë se një dritare…

26.09.2016

 

E rigjeta gruan!

 

Ti më erdhe si furi e dashur,

më zgjove papritur,

kur unë flija ende dhe sytë i kisha nëpër qiej,

më more mbi duar dhe më ngrite lart

si të isha një foshnje pa mbroje, apo engjëll,

ti, e ëmbla grua…!

Ti ishe një furi e dashur si kurrë ndonjëherë

dhe unë s’e përballoja dot detin tënd të trazuar,

as erërat e tua të fuqishme që përpinin çdo gjemi,

duhej të isha një Promete ta shuaja vrullin tënd,

llavën e shpërthimit që ndizte yjet e qiejt zjarrin

dhe flakët që digjnin gjithçka të brishtë që u dilte përpara.

Ti përvëlove gjithçka timen

buzët dhe gjoksin që përpëlitej

por jo shpirtin…

E rigjeta gruan dyzet vjet më vonë!

 

Ti po ikën…

 

Të thashë, mos m’i afro gishtërinjtë

do të digjen,

mos m’i afro buzët

do të bëhen plagë,

vetëm shikomë dhe puthmë me sy,

me sytë e tu të habitur,

pasi ti po ikën dhe s’do të kthehesh më,

shko, nxito, se mjegulla po vjen të të rrëmbejë

dhe fshehë nga unë,

edhe pse tani të kam në sy

se puthja e syrit është ajo që ngjizet

dhe që nuk shuhet

ajo që lë një plagë të ëmbël

shko, shpirti im i vrarë…

 

Aeroport, Malpensa.