Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Fragment nga “Epistolari”

758
…. Tani që kam mbaruar Ferrin, jetën e shoh ndryshe. Tani jam dikush tjetër dhe lus Zotin që Danten e takova përsëri, këtu, në këtë ishull të humbur. Kush mund ta mendonte se një ditë do të gjendesha këtu dhe të përktheja Ferrin? Se do të jetoja çdo ditë me këtë vepër gjigante të letërsisë botërore? Thuamë! Dante më mësoi si ta kuptoj këtë jetë efemere. E di shpirt që ti vuan më shumë se unë që kam përshkuar me mendje të gjitha rrathët e Ferrit, duke parë se ç’është në të vërtetë njeriu, njerëzimi, se ç’është mungesa e lirisë dhe se sa vlerë ka dashuria njerëzore. Shpesh pyes veten: Vallë kjo ka qenë natyra njerëzore që në mugëtirën e kohërave?! Vallë, kështu është krijuar ky njeri për të rrënuar qytete, qytetërime, të cilat janë ndërtuar me aq mund kohë më parë nga të tjerët; të vrasë biri të atin, fqinji-fqinjin, që njeriu të gëzohet për krimin?! Përse u shfaq Neroni, përse u shfaqën mizorët e mëdhenj si Denisi i Siqelisë e të tjerë me rradhë, inkuizitorë, diktatorë, dhunonjësit e mëdhenj të lirisë? Përse?… E megjithatë, unë dua të besoj se e keqja nuk është totale. Dante, në fund të fundit kishte besim tek njeriu dhe dashuria. Dhe unë, kam besim tek të dyja. Njeriu mund të mbruhet ndryshe, të ndërtohet ndryshe përmes kulturës, poezisë, muzikës, artit. Ndër të tjera, në këngën e fundit, Dante shkruante: 

“Kapu fort më tha mjeshtri im, me frymën që i merrej si ajo e një njeriu të përndjekur: në shkallë të tilla ne do të ngjitemi për ta lënë këtë vend të kaq shumë të këqijave…”
Ah Bruna, kur unë do të largohem një ditë nga ky ishull dhe do të vij tek ti, kur unë do të kthehem vërtet nga ferri drejt dashurisë tënde që e tejkalon Parajsën, atëherë bota jonë do të jetë ndryshe, ne do të dimë të ndërtojmë jetën tonë, të gëzojmë fëmijët tanë dhe të kemi një të ardhme tjetër. Ky është një dimër i egër që po kalojmë, një dimër i tmerrshëm plot rrufe që shkatërrojnë jetë njerëzish, e megjithatë, unë kam besim. Dante kishte besim në të ardhmen. Unë kam besim tek pranvera. Ne do ta shijojmë jetën tonë edhe pse vonë. Furia do të kalojë. Tani po të nis disa vargje që i shkrova mbrëmë nën dritën e zbehtë të pishës, të cilën e titullova “Mesnatë në fund maji”. Ja çfarë kam shkruar:

“Ishte mesnatë kur porta e rëndë trokiti
– Nxito më tha vdekja, erdha të të marr!
Ndërsa unë mbeta një çast pa frymë.
– Që tani ?… Ah, jo !
Dhe portën ia përplasa fort.
Tutje, sikur gjysma e botës u shemb.
– Ç’është kjo zhurmë? – më the ti e përgjumur
kur të erdha në shtrat.
– Ishte era, – të pëshpërita,
dhe rashë përsëri krah teje si të ishte nata e fundit,
ti flije e mërmërisje në gjumë, në ëndërr,
kushedi ç’fjalë perëndie.
– Çudi, sot deheshim në diell!…
Kështu unë rrija e të vështroja gjer në ag,
të mbaja lehtë mbi qerpikë që të mos zgjoheshe,
të mbaja në cepat e buzëve që më digjnin,
të putha një mijë herë pa të prekur
dhe nuk e di pse gjoksi më fryhej,
nuk di pse gjaku më vërshonte ndër deje,
ndieja përrenjtë e gjakut që derdheshin,
dhe një zë orakulli që më thirri.
Atëherë, në ag, të thashë me pëshpërimë :
– Zgjohu dashuria ime, lulet e kumbullës kanë çelur
si fustani yt i martesës,
zgjohu ta bëjmë ditën më të gjatë
dhe natën më të shkurtër,
zgjohu të përqafojmë sërish miqtë tanë,
dhe ata që na kanë bërë të vuajmë,
ç’vlerë ka të urresh në këtë botë që vërtitet drejt errësirës së madhe,
pra eja, dua të të mbaj majë gishtërinjve, në krahë,
dhe kështu të eci gjer në cepin tjetër të botës,
aty ku s’ka më horizonte,
të eci me një karafil në gjoks,
gjer në forcat e mia të fundit…”
Të përqafoj fort e ëmbla ime… ”Lux in tenebris” … ”Drita mes errësirës”.
Sigal