Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Çipi: Hala e peshkut

565
Sigal

Qyteti i Vlorës, qysh herët, ka pasur mjek të dëgjuar, të aftë dhe veprues, të përmendur si për arritjet e tyre në kohë epidemish dhe kapërcim rreziqesh emergjente, deri me ndërhyrje e operacione në raste tepër të vështira pa kushtet e një teknike të përparuar, po dhe për shprehje e qëndrime humane shembullore. Krahas kësaj, si pjesë e dalluar e inteligjencës së kohës, mjekët janë përmendur për shumë bëma gjurmëlënëse, që janë bërë pjesë e historisë popullore gojore. Kujtoj me dashuri e respekt dhjetëra mjekë, ndihmës mjekë e infermierë, që shërbyen me devotshmëri e humanizëm të thellë në rrethin e Vlorës: Në Spitalet e Vlorës, Selenicës, Himarës, Llakatundit, Bratit, Kuçit dhe Sevasterit, si dhe në të gjitha Qendrat e tjera Mjekësore, Farmacitë, Ambulancat, Maternitetet dhe Klinikat e shumta të Shërbimit Mjekësor, pa përjashtuar Klinikat Dentare, deri te ato në Qendrat e Punës e të Prodhimit, në Spitalin Neuropsikiatrik, si bazë e specializuar mbarëkombëtare, apo në Degën e Institutit të Kontrollit Shëndetësor dhe Laboratorin Obstetrikë dhe Epidemiologjik, në Seksionin e Shëndetësisë pranë Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, etj.  Nuk gjen se cilin të vendosësh të parin në radhë, nga mjekët e famshëm, që kanë shërbyer në Vlorë, po pa u trembur se gabojmë, le të përmendim, me këtë rast me nderim, emrat e Petraq Popës, që qysh në vitin 1920 vullnetarisht u largua nga Turqia për të ndihmuar luftëtarët vlonjatë të Luftës heroike të Vlorës në ekipin e Spitalit të Llakatundit; apo Sezai Çomon, që krijoi qysh në vitin 1921 Spitalin e Parë Psikiatrik të Vlorës; të famshmin Ali Mihali dhe pasuesit e tij emërmëdhenj Azduriani, Dhimitri, Nashua, Agalliu, Çupishti, Dervishi, Flloku, Pustina, Kauri, Shehi, Hysenbegasi, Kallfa, Shyti, Ashiku, Angjeli, Myrzabegu, Tepelena, Bendo, Papingji, Kutulla, M. Mihali, Isaraj, Beltoja, Sopiqoti, çifti Andoni, Bala, Osmani, Pavli, Gjidede, Gjoka, Nekiu, Iljazi, Konomi, Velo, Jazaj, Çela, Harizi, Papajani, Bisholla, Tetova, Gjodede, Dredha, Kapo, Kojdheli, Koçi, Papa, Gega, Muhameti, Islami, Mati, Hysi dhe dhjetëra të tjerë. Tani edhe për ta kaluar kohën me ndonjë gazmore, po edhe për të vërtetuar se “e reja”, zëvendëson pozitivisht “të vjetrën”, le të kalojmë te tregimi im i parë për “Mjekët e Vlorës”:

Një mjek i hershëm, që ka shërbyer në “Kohën e Zogut” dhe disa vjet më pas në shërbim të pacientëve qytetarë të Vlorës dhe të Fierit, ka qenë dhe dr. “Nauni”. Ai, si disa të tjerë mjekë profesionistë, për shumë kohë kishte Klinikën e tij private, ku shërbente për të bërë vizitat mjekësore dhe për të kryer ndonjë mjekim plagësh. Realizonte me sukses, gjithashtu, injeksione dhe operacione të lehta emergjente. Ai paguhej direkt, sipas shërbimeve që u bënte pacientëve dhe ky ishte profesioni dhe vendi i tij i punës, ku siguronte të ardhurat për të mbajtur familjen dhe për të arsimuar fëmijët e tij. “Petrua”, djali i tij i rritur ishte edhe ai student për mjekësi dhe në pritje të marrjes së një diplome mjeku kirurg në Itali, pushimet tre mujore të vitit shkollor i bënte në Vlorë, ku njëkohësisht edhe kryente stazhin e praktikantit edhe e ndihmonte babën e vet. Në një ditë krye jave, kur dr. Nauni mungonte, midis Petros dhe një pacienti të njohur, peshkatar të fshatit Nartë, u dëgjua ky bashkëbisedim:

Erdhe zoti Pandeli? Mirëserdhe dhe të lumshin këmbët! Ulu, rehatohu e çlodhu. Po këtë trastë, këtë radhë me levrek të freskët, që kam sjellë nga Narta për ju, ku ta lë?

-E ke sjellë për ne, gjithë atë trastë të madhe? Faleminderit, po kot u mundove. E po, futu te kthina anësore djathtas dhe vare te gozhda aty. Hiq dhe çizmet, që i ke gjithë baltë dhe vish një palë nallane të pastra. Dhe hajde e shtriu te krevati, që të të mjekoj plagën, se babai, miku yt doktor Nauni, nuk do na vijë sot, se ka ditën e shërbimit në qytetin e Fierit. (Disa nga mjekët e Vlorës, me grafik bënin vizita çdo ditë edhe në Spitalin e qytetit të Fierit).

-Nuk ka gjë, o vëlla. Fundja edhe ti doktor je, po unë e kam hallin se nuk po gjej derman, se megjithëse kam dy javë që mjekohem nga babai yt me emër të madh si doktor, ajo plaga, prapë me qelb është dhe megjithëse është e dhjeta herë që e ndërroj dhe e mjekoj, nuk kam përmirësim. Tani, qysh pardje, po ndjej edhe zjarrmi, që do të thotë se më ka hipur edhe temperatura.

-Do ta shikojmë, deri me lente zmadhuese dhe po qe nevoja edhe me mikroskop, do ta pastrojmë e kontrollojmë. Do bëjmë më të mirën.

-Mos duhet të jap lekë, se ndofta ai peshku që kam prurë nuk mjafton. Atë e solla me tepri e kënaqësi, po dhe sipas porosisë së doktorit sa herë që kam ardhur, (deri tani 10 trasta, afro një kuintal peshk). Mos gjëja dhe malli nuk zë vend dhe, si i thonë: Paraja e dhënë – puna e bërë, pra duhet të jap lekë të thata? Nuk kursej, veç më bëni derman, të shpëtoj nga kjo bezdi, që po më lë edhe pa punuar, tani kur vreshti do vaditur e do prashitur?

-Jo, more vëlla, me vlerën e peshkut ti na ke shpërblyer dyfish, po dhe na ke kënaqur shumëfish, se ai ishte shumë i mirë dhe fare i freskët.

Doktori, i ri dhe i pa djallëzuar, që e dëgjoi me vëmendje pacientin e tij, punoi gjatë dhe me kujdes mbi gishtin e infektuar keqas, dhe pasi e pastroi dhe e dezinfektoi e këqyri me vëmendje edhe me lentën zmadhuese. Ai konstatoi në thellësi të plagës, gati të mbuluar plotësisht nga mishi, një masë të huaj, si biçim gjilpëre. Tentoi ta tërheq atë me pincetën e sterilizuar dhe konstatoi se ajo ishte… një halë e madhe peshku. Në çast mendoi për babanë e plakur, ndofta tani të pa përshtatshëm më, për këtë mision delikat shpëtimtar të dhimbjeve njerëzore. E qortoi babin me vete në heshtje dhe i erdhi keq për vuajtjen e gjatë e të pamerituar të pacientit të vet. E pastroi dhe e mjekoi sërish plagën dhe pasi e fashoi, dhe i tha Pandeliut të duruar,

-Ttani mbaruan vuajtjet dhe nuk do jetë më nevoja për procedurë të re. As për ta paguar me lekë nuk do jetë nevoja, se ti e ke tejkaluar shpërblimin e punës sonë dhe ndofta neve të jemi borxhli. Të nesërmen në mëngjes, kur mjeku i ri po i raportonte për bilancin e ditës së mëparshme, kur i përmendi pacientin nga Narta, që sillte peshk dhe i theksoi gabimin e babait të plakur, me halën e peshkut të pazbuluar në plagë, dr. Nauni, sikur u nxi në fytyrë, e ndërpreu brutalisht të birin dhe i kërkoi llogari:

-E, ç’ë, pastaj. Mos do të më thuash se e zbulove dhe ia hoqe ti, sy mprehtë e mendje fyçkë, halën e peshkut nga plaga?

-Po, babi! Si mund të bëja ndryshe? T’ia lija në plagën e infektuar masën e huaj, sa të gangrenizohej e pastaj t’i pritej krejt gishti?

-E po, tani, ha lakra të bahçes tënde me vaj ulliri, se peshk gjoli me bollëk, si ai levreku i trastës, apo koce të freskët, siç na ka prurë herë të tjera pa para, nartjoti, nuk do gjesh më!