Suplementi Pena Shqiptare/ Liliputët që shkatërruan letërsinë

868
Nga Kozma GJINI
Politika e humbi “lojën” me shkrimtarët. Duan apo s’duan “liliputët”, Tetori vazhdon të mbijetojë me emërtimin e së kaluarës si “Muaji i letërsisë”. Si duket, asnjë force politike e viteve të pluralizmit nuk gjeti arsye që ta ndryshonte këtë emërtim. Gjithsesi, “liliputpolitika”, me heshtjen e saj ia ka vënë kazmën letërsisë dhe arteve. Le ta argumentojmë. Në provimin e Maturës Shtetërore, pak vite më parë, gjimnazistëve u qëlloi të krijonin një “ese” të një autori, të cilin nuk e kishin studiuar në shkollë. (Dihet që perlat janë jashtë programit). E kundërshtuan nxënësit këtë fakt, por ese-ja duhej bërë…U desh një ndërhyrje nga jashtë për të hyrë në temë… Në këtë katrahurë që është letërsia e sotme shqipe, në këtë papërgjegjshmëri jurish përzgjedhëse shkollore dhe jo vetëm, nuk ka zot që ta futë në brazdë letërsinë, e cila është tejngopur nga prurjet e sojshme, sa u ka hequr trurin edhe lexuesve të rritur, pale gjimnazistëve apo më të vegjëlve. Hidhni vështrimin si janë kthyer në vitrina trotuaresh librat e të mëdhenjve: Agolli, Kadare, Arapi, Shuteriqi, Jorgaqi, Godo, Kongoli… etj… Është e pabesueshme të dalësh në idenë se letërsia e “fillit të kuq” paska qenë më e organizuar në botim, qarkullim e shpërndarje se sa letërsia sotme. I kam testuar të gjitha shkollat 9-vjeçare e të mesme të nënprefekturës duke kërkuar librin “Arka e djallit” të Dritëro Agollit dhe, përjashto bibliotekën e qytetit, në asnjë shkollë nuk gjendet libri i Agollit. Pa asnjë mëdyshje, kjo gjendje është edhe në shkallë vendi. Botohen pak tirazhe dhe ato qarkullojnë në një numër të kufizuat librarish. S’ka biblioteka në disa shkolla. Shprehemi se konkurrencën e bën vetë libri, kurse përzgjedhjen, lexuesi. Ok!Po ku do ta gjejë lexuesi librin e Agollit, kur ai çohet vetëm në dy-tre librari të Tiranës dhe atje, në qytete e fshatra, tek lexuesit ku jetojnë 75 % e popullsisë, nuk i dinë as titullin? Normale është kjo? Një paketë cigaresh sot mund ta gjesh në çdo skaj të Shqipërisë, kurse një libër s’i kalon dot caqet e një qyteti. Përderisa edhe librat e autorëve më me emër të vendit nuk shkojnë tek lexuesi i gjithëskajshëm, kjo është për t’u alarmuar. Kur një libër nuk lexohet, do të thotë se është inekzistent. Është apo s’është libri një pasuri e kulturës kombëtare? Brezi i ri, për fat të keq, ka një njohje sipërfaqësore mbi letërsinë e sotme shqipe. Atëhere ku janë angazhimi i Ministrisë së Kulturës, i Ministrisë së Arsimit, i DA, ZA, e drejtorive të shkollave? 

Kjo ndodh, kur për fat edhe kryeministrin e kemi artist. Të gjithë duhet të shqetësohemi për fatin e librit sa ende s’na ka përfshirë vala e mbytjes së letërsisë nga fjalët e huaja. Të vjen keq që LSHA është katandisur në atë gjendje zogjsh pa fole. Politika e shkatërroi, kush tjetër. “Liliputët” shkojnë e vijnë, kurse letërsia mbetet. Një organizëm i zgjedhur në mënyrë të vullnetshme dhe me asnjë kompetencë ligjore, pa asnjë aset financiar, e ka tejet të vështirë funksionimin në shkallë republike. Kur Lidhjen e drejtonte i ndjeri, Z. Morava, u ngrit edhe një komision që përgatiti një draft në mbështetje të shkrimtarëve dhe të vetë letërsisë, por që fatkeqësisht mbeti në letër. Kush do ta vërë në vend nderin e LSHA dhe ta bëjë atë konkurruese e bashkëpunuese me simotrat në Ballkan e Evropë? Klasa e “liliputëve” bën sikur s’e di rolin e pazëvendësueshëm të letërsisë në formimin e njeriut dhe ndërtimin e vendit. Z. Sinani! Sensibilizimi juaj i Ministrisë e Parlamentit nuk solli ndonjë risi, me gjithë përpjekjet tuaja. Mendoj që Lidhja në krye nuk është nevoja të ketë doemos një prodhimtar të profilit Kadare apo Agolli, ja rashë e vdiqa. LSHA është treguar e paaftë t’i imponojë një draft Parlamentit dhe kështu i ka lënë shkrimtarët në hije. Kryesia e LSHA duhet të ketë në stafin e saj shkrimtarë me iniciativë, të guximshëm për t’u përballur me këdo që nëpërkëmb të drejtat e shkrimtarëve, këmbëngulës, që zotërojnë artin e organizimit, të sakrificës, të kenë gjunjë dhe gjuhë dhe jo të druhen kur të trokasin te zyra e ministrit apo se harxhojnë pesë lekë në telefon. Qofsha i gabuar, po më shumë aktive ka qenë në veprimtaritë kombëtare “Shoqata Kombëtare e Shkrimtarëve të Letërsisë Shqipe për të Rinj e Fëmijë” e drejtuar nga z. Sazan Goliku, (sot nga z.Riza Braholli), se sa LSHA-ja. Kujt i takon që të mos rreshtë së trokituri dyerve të pushtetit që shkrimtarët e çdo rrethi të mund të gëzojnë të drejtat më elementare, sepse i kanë dhënë kaq shumë kulturës së vendit, edukatës dhe zhvillimit të njerëzimit, saqë eruditi i kohës e ka çuar në pika kulmore rëndësinë dhe vlerësimin e librit dhe të shkrimtarëve, duke thënë se “…njeriu është ai që krijoi librin, por edhe libri e krijoi njeriun”. G.F.Hegel. Kritika profesioniste po vuan krizën e saj përpara derës së Ministrisë së Kulturës, e cila e ka detyrim përgatitjen e elitës së kritikës letrare-artistike. Në këtë vështrim, mendoj që vetë shkrimtarët, në radhë të parë ata të Tiranës, duhet të bashkohen në veprime konkrete për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe t’i bëjnë presion organeve qeveritare për një funksionim institucional. A ka komb pa gjuhë e pa letërsi? Zhdukini këto dy shtylla dhe keni zhdukur kombin. Asimilimi i një kombi vjen nga asimilimi i gjuhës së shkruar dhe të folur. Institucioni i gjuhës së shkruar dokumentohet tek libri. Këtë e kanë pohuar edhe vetë politikanët tanë, madje duke cituar “Daniel Penna-n” i cili thoshte : “Kultura dhe letërsia konsiderohen shpirti i një kombi”.
Sigal