Suplementi pena shqiptare/ Libri “Gjykoj”, testamenti i dallgëve jetësore që po lë me gjallje poeti Çerçiz Myftari

530
Përparim HALILI
Jemi mësuar, që për njerëzit e mirë të shkruajmë e të japim “dekorata”, pasi ata ikin nga kjo jetë, kur në fakt atyre u duhet bërë nderimi duke e përjetuar vetë atë emocion, pra që ata të derdhin lot prej nderimit e jo të vlerësohen pasi janë derdhur lot për ta! Këtë realitet e përjetova kur morra librin “GJYKOJ” të mjekut poet Çerçiz Myftari! Askush në Dragot të Tepelenës dhe në krejt vëllazërinë e miqësinë e tyre, nuk mund të parashikonte se më 27 dhjetor 1939, dy njerëzit e ndershëm e punëtorë deri në sakrifica sublime për të arsimuar dhe edukuar fëmijët, bashkëshortët fisnik nga “derë” fisnikësh, prindërit Nasip e Hatixhe Myftari do të sillnin në jetë një pasardhës dinjitoz, si njeriu i mirë e kontributor shoqëror, mjeku dhe poeti Çerçiz Myftari, të cilin me sa duket, “melodia përkëdhelëse” e përnatshme e rrjedhës së Vjosës që i shkonte deri tek koka e djepit ku përkundej, krejt natyrshëm i zgjoi ndjesinë e poetit, ndjesi që atë e ka mbajtur “peng” edhe sot pas 78 vitesh, duke mos e braktisur penën e krijuesit të përditshmërisë që përjetojnë njerëzit, mes të cilëve ai jeton! Edhe sot, kujtohet oborri me trëndafila i shtëpisë së Nasip Myftarit në Dragot të Tepelenës. Mjeku poet, shkrimtar, eseist, fabulist e krijues fjalësh të urta, i urti Çerçiz Myftari, jashtë lakmisë dhe grandomanisë së metropolit, ka vendosur ta vetë-perëndoj vullnetshëm jetën e tij mes njerëzve të qytetit Memaliaj, ku ka shërbyer prej afro 50 vitesh me stetoskopin dhe zemrën e tij të madhe, qëndrim të cilin e shpreh natyrshëm e me koshiencë në librin e ri “Gjykoj”. Libri i ri i “doktor Çeços” është një përmbledhje recensionesh, profilesh njerëzore, takimesh, mbresash, jetëshkrimesh, fjalësh të urta, dhimbjesh për njerëzit e humbur ndër vite, lumturi për të ardhurit pasardhës, cikle me poezi e përralla të cilat janë “pigmenti” i krijimtarisë së tij. Libri nis refleksionet medituese, se përse shkruajmë, jetojmë e punojmë, duke u mbyllur me kapitullin kushtuar familjes! Në këtë libër, Çerçiz Myftari sjell realitetin ashtu siç jetohet e jo ashtu siç ëndërrohet apo lustrohet. Në pjesën kushtuar familjes, që nga prindërit e deri tek nipërit dhe mbesat, Çerçiz Myftari sikur “thyhet” përballë atyre që e sollën në jetë dhe kthehet në “shërbestar” i përkushtuar e i lumtur i atyre që solli në jetë. Në libër ai flet për motrën Lulëzime, nuse në Pëllumbajt e Skraparit, por që në moshë të re la pas 2 fëmijët Eduard e Linda. Por më pendueshëm, ai duket sikur gjykon veten e tij për motrën e shtrenjtë Dallëndyshe Katiraj (Myftari), modelin e një nëne të përkushtuar e gruaje tejet të vuajtur prej sakrificash ekonomike, e cila i vetë-iku shpejt nga jeta, pse jo edhe për shkak të indiferencës së të gjithë atyre që e kishin dhe e bënë pjesë familjare, gjë të cilën vëllai poet e ka bërë personazh dhimbjeje e krenari në shumë vargje dhe kujtime! Për librin dhe jetën e Çerçiz Myftarit, me shumë kënaqësi mund të shkruanin edhe poetët tepelenas Izet Çulli, Luan Meta, Pertef Liçaj, Petrit Ruka, Manushaqe Çela, Xhezo Canaj e shumë të tjerë! Por ja që këtë “CV” të tij po e bëj unë, ndoshta edhe për motivin, që “doktor Çeçua” ma ka imponuar shoqërinë e denjë, por edhe për faktin se qysh fëmijë e deri sot, ai dhe bashkëshortja e tij Dylbere, kanë manifestuar e manifestojnë respekt të madh për familjen tonë. Dhe jeta qenka e tillë, që vjen një ditë, të vlerësosh atë që të ka vlerësuar pa asnjë interes, siç po bëj unë sot, jo thjeshtë për librin e tij, por për modelin njerëzor e shoqëror që na ka ofruar e po na lë si “testament” ky njeri! .
——————————————————
Librat e botuar
1. “Lundërtari” 
2. “Gega i Labërisë” 
3. “Mbretëresha e Bletëve” 
4. “Fytyrën lumi e lënë det” 
5. “Më thërrasin engjëjt “ 
6. “Prushit vatra e mallit” 
7. “Njerëz të fatit tim” 
8. “Gjethja e këngës” 
9. “Çaste të jetës sime” 
10. “Më ngacmojnë mbresat” 
11. “Gjykoj”
Vlerësimi
Dekoruar me Urdhrin: “Për Shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore të Klasit III”
Sigal