Suplementi Pena Shqiptare/ Letërkëmbimi i Dritëro Agollit me bashkëshorten e tij Sadijen

570
Elona Agolli, vajza e shkrimtarit të madh shqiptar Dritëro Agolli ka publikuar letërkëmbimin e prindërve të saj,Dritëro dhe Sadije Agollit. Sigurisht që është një emocion i madh për një fëmijë të lexoj letërkëmbimet e prindërve, mes rreshtave të mësojë dashurinë e madhe që ata kanë ndjerë për njëri – tjetrin.

Letrat e publikuara janë të e viteve të ’60, dhe Sadija i shkruan në to për një film të ri që ka dalë dhe seajo do shkojë ta shohë, i tregon edhe që e ka parë në ëndërr Dritëroin.

Vajza e tyre Elona ka kujtime të mrekullueshme nga prindërit e saj, një pasuri të cilën do mund ta lexoëj e rilexojë gjithmonë.

“I lexoja fshehurazi kur isha e re; e dija ku ishin vendosur dhe sapo mbetesha vetëm në shtëpi, hapja dosjen e përpija rreshtat e shkruara me atë kaligrafi që për mua ishte më e bukura në botë . Letrat e njohjes , letrat e dashurisë , letra të inatosura nga ndjenja xhelozie, por dhe letra ku furishëm shprehej aq bukur ajo ndjenjë fort e pakrahasueshme e dashurisë mes atit e nënës sime . Tani, e përlotur flas me vete: Jam me fat që jam krijesë e atit tim të admirueshëm e të nënës sime të rrallë.”

“Të përveçëm në gjithçka , prindërit e mij. Të lexosh letërkëmbimin e tyre është gjëja më mahnitëse që të bên të meditosh gjatë” ka shkruar Elona mbi këtë letërkëmbim.

Letrat
Kur dashuroheshim në kohën tonë,
Kur tretesha dhe digjesha për ty,
Nga njeri-tjetri letrat vinin vonë,
Kalonte dhe një muaj apo dy.
Po ndofta dashuria mbahej gjallë,
Se zjarrin mbanin letrat në udhëtim
Me bicikletë a mushkë apo me kalë,
Në vapë a shi, dëborë dhe thellim.
Kur dashuroheshim në kohën tonë
Me zor na vinin letrat fshat-qytet
Nuk kishim nëpër dhoma telefonë
Dhe në ëndërr s’kishte faks dhe internet.
Megjithatë më mirë që nuk kishte,
As telefon, as internet, as faks,
Se fjalë e nisur shpejt dhe mund ta vriste
Një dashuri të vjetër për një çast.
Kur të jesh mërzitur shumë
Këtu s’do të jem, do jem larguar;
Nën tokë i tretur si të tjerët,
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamarierët.
Dhe nëpër udhët ku kam ecur,
S’do ndihet kolla ime e thatë,
Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur
Një qiparis si murg i ngratë.
Ti do trishtohesh atëherë,
Se s’do më kesh në dhomë të gjallë,
Dhe, kur në xham të fryje erë,
Do qash me erën dalëngadalë.
Po kur të jesh mërzitur shumë.
Në raft të librave kërkomë,
Atje i fshehur do të jem unë,
Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë
Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe une do zbres, do vij pas teje;
Ti si dikur me mall do qeshësh,
Si një blerim pas një rrëkeje.
Nga vjen kjo muzikë?
Nga vjen kjo muzikë?
Vjen nga takimi i petaleve në lulet,
vjen nga ndeshja e dy zhuzhakëve të kaltër
atje ku kodra zë ulet;
po vjen dhe nga rënia e vesës ,
veçse kjo ndodh kur nata është e kristaltë
dhe pakëz e freskët.
Nga vjen kjo muzikë?
Vjen nga zërat e mijëra karkalecëve,
e mijëra bulkthëve,
që shkojnë si krushq në dasmë
të marrin nusen mes nuseve,
se ndofta për dasmë është e shënuar kjo natë .
Nga vjen kjo muzikë?
Vjen nga fërkimi i pluhurit të yjeve,
pluhur që tokën spërkat si shi i padukshëm
sipër shtëpive,arave dhe pyjeve,
që s’është aspak si shirat e bujshëm;
vjen nga gjoksi i deteve
që guduliset nga kurrizet e balenave dhe anijeve
dhe kruhet prej oktapodëve dhe peshqve,
prej gaforreve, breshkave dhe kërmijve.
Nga vjen kjo muzikë?
Vjen nga thërrimet e pluhurit tonë,
e pluhurit dhe hirit të trupave tanë,
prej kokrrizave që bëjnë jehonë
të dala nga të treturit që ikën e vanë…
Nga vjen kjo muzikë?
Sigal