Suplementi Pena Shqiptare/ Leonora N. Lami: Doja të mbahesha diku

647
Isha e lumtur që e takoja përsëri. Megjithëse e vrenjtur nga pamja, në shpirt thellë në tërë qenien time e ndieja se isha e lumtur. Do isha përsëri me të. S’ka gjë se e nesërmja do të sillte gjëra të tjera. Mjafton që atë pasdite isha me të. Do bisedonim? Përse vallë do të ishte biseda? Për të sotmen, apo për të ardhmen…? E ndieja trupin të këputur dhe m’u desh të kapesha tek krahu i tij. Ndofta ai nuk e vuri re këtë. Atë pasdite dhe në mbrëmje ai ndofta nuk ka vënë re shumë gjëra. Aq më mirë për të… dhe aq më keq për mua. Ne ecnim të dy të heshtur dhe të vrenjtur. Doja të mendoja, të mendoja shumë gjëra po të mos thosha asgjë. Jo sepse nuk doja, po s’mundja. Si biseduam atë natë?. E ndieja që nuk isha mirë. Herë-herë gjatë bisedës sytë më visheshin me një cipë të hollë që s’më linte të shikoja qartë dhe që shpërndante ngrohtësi. Të qaja? Çdo të tregoja me këtë… Rrija një hap prapa, pastaj nxitohesha dhe kapesha pas krahut të tij. Atëherë gjithçka qetësohej. Isha e sigurt kur isha kapur, kur mbahesha diku, pra, s’do të bija. Dhe ecnim duke biseduar. Biseda vazhdonte ashtu siç kish filluar po tema kish marrë drejtimin e së ardhmes, ish bërë më e butë, më e ngrohtë, më lutëse. Po unë nuk doja ta pranoja. Unë pranoj më mirë të vuaj, të braktisem plotësisht dhe të mos pranoj mëshirë e padrejtësi. Në këtë gjendje shpirtërore më erdhën në mëndje vargjet që i quaja si parime të jetës sime: Sa të mundësh mirë të bësh,

Lirinë dashuro mbi gjithçka,
Dhe as para një froni,
Kurrë mos tradhto të vërtetën.

Gjithnjë këto vargje i shoqëroja me muzikën e Bethovenit. Unë e adhuroj Bethovenin. Ai ishte gjeni. Ishte njeri me shpirt të mrekullueshëm dhe ato që transmeton me muzikën e tij janë të parime morali për mua… Ne mund të ndahemi. Unë e pres këtë nga dita në ditë, nga ora në orë e pres ashtu siç pret i burgosuri dënimin me vdekje… Ai harron se kë ka pranë. Harron që ajo është gati të sakrifikojë gjithçka, gjithë jetën, gjithë rininë e saj për dashurinë që ka për të. Ai nuk harrin të kuptojë ndjenjat e mia dhe të sjell qetësinë midis nesh? Të paktën të kisha një fëmijë. Vetëm atëherë do të thosha se ndarja solli gjithçka që duhej. Pse vallë ai nuk e kupton që dashuria që kam për të është e pashlyeshme. Pse ai e harron se ne s’jemi më të fejuar, por të bashkuar përjetësisht. Këto gjashtë muaj që kaluam bashkë do të kujtohen gjithë jetën nga të dy ne… 

Nuk mund të shkruaj më, por vetvetiu me vinë në mëndje t’i drejtoj atij shprehjet e dashurisë njerëzore: Natën e mirë. Biseda jonë u mbyll. Doja të të thosha shumë gjëra. Po herë tjetër.

Për ty që të desha dhe do të dua gjithë jetën. Që do të kushtoj gjithçka.
Më do? Mendon për mua? Do më duash gjithmonë, gjithë jetën? 
Sigal