Suplementi Pena Shqiptare/ Lela Kokona: “Varfëria e marrëdhënieve”

671
Edhe pse po afrohej vera, koha për çudi u ftoh dhe stuhia e përzier me shi vazhdoi gjithë natën. Fundimi i frikësuar nga tërsëllima e gjëmimeve që pasonin vetëtimat paralajmëruese, mbylli grilat. Befas dëgjoi një zhurmë. Iu duk se era tundte derën. Ishte babai i tij, i cili hyri me çelësin e tij rezervë. Kishte ngrirë i tëri. Fundimi mbeti i shtangur ngaqë nuk e priste t’i vinte njeri aq vonë atë natë. 

— O baba, ç’të ka ndodhur? Pse dukesh si i alarmuar kështu ?
— E mor bir, kështu alarmohet i moshuari i shkretë, — dhe vazhdonte të shkundte mushamanë. E vari atë ndërsa shfrynte qetësisht.
— Po pse erdhe baba?, e pyeti sërish me padurim i kuriozuar Fundimi. 
— Një pyetje aspak mikpritëse për një baba, por meqë po më pyet, po të përgjigjem: “Për të biseduar me ty”. U lodha duke menduar. Kam ditë që përjetoj emocionet e asaj dite kur Albi na takoi në ashensor. Dukej qartë se babait të Fundimit, i kishte lënë gjurmë shqetësimi i reagimit të djalit të tij me Albin.
— Kush është ky Albi mor baba?
— Po gjitoni yt, o Fundim!
— Cili nga gjitonët quhet Albi? — pyeste Fundimi babanë.

— Eh mor djalë, sa më shqetëson kjo mendjemadhësia jote apo mendjelehtësia, indiferenca jote! I di unë emrin që nuk jetoj këtu me ty dhe nuk e njeh ti që e ke komshi. Vetmia është një dhimbje mor bir. Po të mbetesh krejt i vetmuar, pa asnjë iluzion, ky është pragu i vetmisë që të çon në greminë. Por, ai që zgjedh fillimin e një rruge zgjedh dhe vendin se ku të shpie ajo. Nuk jetohet vetëm mor bir! Ti gjithë jetën vetëm ke ëndërruar, vetëm ke fjetur. Ke menduar vetëm për vete, vetëm për momentin, “po le të bëhet ç’të bëhet në të ardhmen, se mendon babai për mua!” 

— Pse flet kështu baba?– Po ti mor bir, gjithçka që ke e ke në sajë të djersës time. Ti shkollën e ke në sajë të këmbënguljes time, se e kishe mëndjen vetëm për të ikur endacak nëpër botë. Kush do të merrte në punë mor djalë, pa ditur gjuhën, pa një zanat? Ti nuk di të planifikosh të ardhmen tënde duke pasur synime, objektiva por e merr jetën ashtu si të vijë.

— Mirë mirë, po përse erdhe xhanëm? 
— Po ja mor djalë, ai fqinji yt, të përshëndeti gjithë buzëqeshje, të foli, — ” si u gdhitë? Qenka ftohtë sot, s’po dashka të na vijë vera,” — ndërsa ti, vetëm sa ngrite vetullat. Shpirti vërtet mund të flasë dhe me anë të syrit, të puth dhe me vështrime, por njeriu i ngre sytë lart duke u përqendruar në shikimin e tij që ke përballë kur ai të flet, se ka domethënien e vet dhe kjo. Ato vetulla, nuk të përcjellin emocion, sytë — sytë, ta vështrosh në sy, kjo tregon interesim për personin që ke përballë, vlerësim, edukatë. Ti përcolle negativitet tek ai, shprehe mungesë të theksuar edukate, indiferencë, mendjemadhësi. E di ti se çka thënë me vete ai? –” Pse nuk ma kthen përshëndetjen ashtu si ta jap, o komshi?” dhe ndërkohë të ka vlerësuar peshën e gjykimit që ke. Nuk është gjuha e trupit, por fjala, ajo që krijon marrëdhëniet, ajo të krijon emocionet. Komunikimi është ndërtuesi i shoqërisë. Pa komunikim nuk ka marrëdhënie. Kështu nuk mund t’i kërkosh ndihmë komshiut po të kesh nevojë. Kur dëshiron të arrish të lartën, fillo nga më e ulëta. Me thënë të drejtën më frikëson shprehja e syve të tu me atë shikim mospërfillës.

— Ohu baba, e kam të vështirë të komunikoj me komshinjtë, më duket sikur do të hyjnë në privatësinë time, ashtu si bënin dikur fqinjët me njëri– tjetrin. 

— Jo, ajo kohë nuk vjen më, kishte dhe ajo arsyet e veta, nuk dua të dal sot në atë temë.. Vetmia që ke zgjedhur ti mor bir, të gërryen, është e egër, e ndjen në frymëmarrje. Je i rrethuar me njerëz e të ndjesh vetmi e izolim. Babai ra në mendime për pak çaste duke shtrënguar buzët. 

— ” Ti mor bir, ke nevojë të reflektosh, nuk është jeta vetëm veshje luksoze siç bën ti, e përçmon njeriun e thjeshtë, e sheh nën këmbët e tua. Vlerësoi njerëzit nga formimi , nga idetë që kanë e jo nga ato çfarë materiali kanë. Duket se ke humbur thelbin e jetës, sikur je në një vakum. Ti ke një llum iluzionesh në mendjen tënde dhe njohja e realitetit është pavetëdija jote……..Dëgjo mor djalë: -Nëse unë jam ai që kam dhe nëse unë e humbas atë që kam, atëherë cili jam unë? Askushi. Pra ky je ti. E shikon që s’je as për atë punë që unë e ngrita me djersë e ti po e rrënon çdo ditë, e tani thua se këtu nuk jetohet. Po secili le të qëndrojë në të ndryshmen e vet pa ndërtuar mure aq të larta me njëri – tjetrin. Jetojmë në një kohë të shpikjeve të përditshme të cilat mundësojnë marrëdhënie ndërnjerëzore në të gjithë botën, telefon, celular, internet, që lundrojnë mbi kokat tona, që janë në shërbim të njeriut, një kontakt i lehtë dhe i përnjëherësh, megjithatë njeriu ndjen vuajtjen nga vetmia e izolimi. Keni krijuar një varfëri marrëdhënie ose kontakte shumë të ftohta, sidomos ju brezi i ri. Njeriu ka nevojë t’i shtrëngojë dorën njëri– tjetrit, një shkëmbim fjalësh, një buzëqeshje, apo një dorë humane të vendosur mbi sup. Njeriu është qenie njerëzore humane. A nuk e ndjenë nevojën për shkëmbime komunikimi me miqtë e sidomos me ata që mendojnë njësoj si ty? Ky është një fenomen i panjohur më parë tek ne.

— Po lëre pastaj gafën tjetër, që ti nuk din kush je dhe identifikohesh në emër të dikujt tjetër.
— Çfarë po thua baba, ç’janë këto akuza që më bën? – fliste nën zë si i zënë në faj Fundimi.
— Jo, fatkeqësisht nuk janë akuza por reale.- vazhdonte babai mjaft i shqetësuar e i revoltuar të fliste duke drejtuar drejt të birit gishtin tregues.

— Je si ata njerëz, që mbahen nën hijen e të tjerëve, të babait, vëllait, kushëririt duke u lavdëruar e pritur privilegje apo ofiqe pa pasur vetë qoftë dhe një vlerë, mjaftohen me të shkuarën apo vlerat e atyre që i kanë fituar me punë e dinjitet. Harrojnë se duhet të krenohen me vlerat e tyre dhe harrojnë të thonë se kush janë vetë apo kush kanë qenë gjurmët e tyre, të mburren me atë që është. Këta nuk e shohin me optimizëm jetën.– Më thanë se ke shkuar te drejtori im gjithë mburrje : 

— Unë jam djali i Skënder x , kam nevojë për…….dhe ai si tu përgjigj?- Mirë, atë e njoh dhe kam respekt për vlerat e tij, po ti kush je?– Ja kështu më tha:– Dil o djalë nga ato privilegje të pamerituara që mban në mendje dhe zhvillo personalitetin tënd, profilin tënd, karakterin tënd, sillu si një person i përgjegjshëm. Ti, ke krijuar mite se s’ke vlerat e tua që të mburresh e të krenohesh për atë që je. Ti paske humbur besimin në vetvete. Beso me optimizëm, reago me energji ndaj të tatëpjetave të jetës… Pse ke frikë të bësh një hap drejt së panjohurës, të paprovuar dhe i shmangesh duke menduar se do të paraqitet ndonjë rrisk dhe trembesh. Për ty, vetëm e vjetra e përjetuar është e parrezikshme. Në çdo hap që bën, t’i sheh rrezikun e dështimit.
— Ti s’je asgjë tjetër, por një njeri i braktisur, i boshatisur. Ti je njeri i paformuar e kurrë s’ke qenë vetvetja . E vërteta është e hidhur, por ti duhet ta pranosh.

Shpresoj që këto që të thash, të të shërbejnë për një reflektim serioz.


Sigal