Suplementi Pena Shqiptare/ Lela Kokona Dardha-Bixhozi

787
Ditët iknin njëra pas tjetrës, madje dhe muajt. Ana dhe Besniku shtynin kohën pa punë e pa asnjë perspektivë. Po prishnin dhe ato para që kishin kursyer nga ai emigracion në Gjermani.
– Ana, nuk mund ta pranoj idenë, se do të jetojmë këtu -tha Besniku me një zë të lodhur e të mekur. 
– Do të na shkatërrohet jeta në këtë vend. U ngrit e mori një gotë pije. Ana e vështronte teksa ai gëlltiste pijen me sy të perënduar. Dukej se në një segment të shkurtër kohor, ishte rrudhur e plakur. Nuk ishte më ai i riu energjik, optimist…Ai s’qëndronte dot në një vend , gjithnjë ishte në lëvizje. Tani dukej i tjetërsuar. I kishte ikur buzëqeshja. Në shtëpi ishte krijuar një gjendje e nderë. Ana qëndronte e lëshuar, me sy të trishtuar. Dhe ja, sot në mes të trishtimit dhe papunësisë! Besniku filloi të dilte herët nga shtëpia dhe të kthehej vonë. Dukej sikur jeta e tyre ishte zbrazur nga ndjenjat. Violeta filloi të dyshonte e të mendonte se diçka po ndodhte me Nikun. Kaluan disa minuta ashtu në gjendje nervoze. Ra zilja. Ana mori frymë thellë e nxitoi te dera. Ishte Niku. Ajo i hodhi një vështrim të rreptë. Ai, si i zënë në faj, uli kokën dhe u drejtua nga dhoma e nënës. Kishte pirë aq shumë duhan, sa kundërmonte e gjithë dhoma. 
– Ti diçka fsheh, kjo duket qartë dhe unë sërish jam e fundit për të marr vesh të fshehtat e tua – iu drejtua Ana, me hap të ngadaltë e me një ton qortues dhe për pak çaste si e .ngrirë. Nuk dinte ç’të bënte, të qante, të ulërinte të… Ajo e donte shumë Nikun, por i dhembte shumë sjellja e tij e pakuptueshme, mungesat e tij të gjata pa asnjë shpjegim. “Pse nuk më thotë asgjë? Si do të jetë puna? Mos ka frikë se më lëndon mua? Por unë nuk mund t’i duroj dot më këto sekret”, fliste me vete Ana. Shikimin e treti tej xhamave të dritares. Shqetësimi për Nikun sa vinte e shtohej. Dikush trokiti në derë. Vëllai Nikut nxitoi ta hapte. Për habinë e tij, ishte një shok i vjetër, të cilin Besniku shpesh mundohej ta shmangte sa herë e shikonte. 
-Mirëdita bukurosh! – përshëndeti ai dhe bëri të hynte brenda. Djaloshi e zuri hapësirën e derës me trupin e tij. Edhe shprehja e fytyrës së tij i dha të kuptonte se ishte i padëshirueshëm në atë shtëpi. 
-Desha të takoj Nikun, – vazhdoi ai. -Kam lënë një takim me të që dje, por ai nuk u bë i gjallë, u bëra merak, andaj dhe erdha. Djaloshi mbeti i hutuar për një çast, por shpejt e mblodhi veten. -Po ju si e gjetët shtëpinë tonë? – i tha vëllai. 
-Unë jam mik i vjetër, kam ngrënë e kam pirë në këtë shtëpi.
Nëna e dëgjoi bisedën, ai zë ia vrau veshin, diçka të hidhur i kujtoi. Ajo u ngrit ngadalë, bëri disa hapa nga dera. U përball me personin që qëndronte në derë. Ngriu në vend e u zbeh e tëra. E mblodhi veten dhe iu drejtua me zërin e mekur e të dridhur: 
-Po ti ç’don këtu?
Në sytë e saj kishte dhimbje dhe frikë. Iu afrua Anës që po afrohej për te dera, duke i kapur dorën me gjithë forcën që kishte, shenjë për të mos vazhduar më komunikimin me atë person. 
-M’u largo nga kjo derë njëherë e përgjithmonë! Të kam thënë ta harrosh këtë prag, mos e shkel më se ndryshe do të thërras policinë! 
Ai u hodhi të dyjave një vështrim përçmues, ironik, i vuri këmbën derës dhe nuk lejonte ta mbyllte. Pas pak, u largua. 
-Nënë, Alban, ju lutem më tregoni misterin e kësaj të kaluare! -Dëgjoni, – u tha nëna të dyve,- unë nuk mund ta mbyll gojën para një të keqeje që mund të na ndodhë e që duhet parandaluar. Niku e theu heshtjen e tij duke i thënë nënës: 
-Nënë, çfarë ka për të thënë në këtë rast? — iu drejtua Niku me një shikim kërcënues e krejt i tjetërsuar. Dukej qartë që ai nuk donte të hapej kjo bisedë. Por, me gjithë këmbënguljen e tij, nëna filloi të tregonte për rininë e Nikut. Pikërisht, ai që sapo iku e futi Nikun në një rrugë që, po të mos ndërhynin miqtë tanë dhe unë, ai do përfundonte në burg. Unë punoja gjithë ditën në atë makinë qepëse për të nxjerrë bukën e gojës, për të rritur djemtë e mi jetimë. Ai e futi në një shoqëri të keqe, të cilët nuk punonin por luanin bixhoz. Atje mori të gjithë veset e këqija. Ai ishte më i madh në moshë, ishte lideri i grupit. Ky i bindej për gjithçka. Edhe ky filloi të luante bixhoz. Të gjithë lekët që unë fitoja në atë makinë, m’i harxhonte ky! Filloi të zhytej në borxhe. Ky “miku” e kërcënonte se do të hakmerrej, nëse ai nuk i jepte lekët që ia fitonte. Më pas më ra në sy, se ky filloi të vidhte në shtëpi sendet e mia me vlerë. Atëherë kuptova se djali im përfundimisht kishte rënë keq dhe se ishte në rrezik edhe për jetën.
Anës, iu zu fryma teksa dëgjonte rrëfimin e nënës. Tani ajo filloi të kuptonte vonesat e mungesat e gjata të Nikut. Atij i kishte ikur humori dhe dëshira për të qëndruar në shtëpi, ishte bërë dhe i pasinqertë në përgjigjet e tij. Anës iu duk sikur retë e zeza mbuluan gjithë shtëpinë dhe një stuhi e fortë do të merrte përpara jetët e tyre. Hapi dritaren, era e ftohtë sikur ia ngriu gjakun. Po i mpihej i gjithë trupi e po i arrinte deri në zemër. Shqetësimet, brengat, trishtimi e kishin pushtuar atë shtëpi, gjithçka tashmë ishte e zezë. 
-E tmerrshme! Edhe kjo na mungonte!- tha Ana dhe u lëshua në divan e tëra. Niku u ngrit e doli jashtë me nxitim, i zverdhur i tëri. Dukej se një rrymë elektrike kishte përshkruar gjithë trupin e tij Ana ishte bllokuar, e hutuar, e kishte humbur toruan plotësisht dhe nuk dinte ç’të bënte. Nëna e vështronte me dhimbje në zemër. 
-Ana, të dyja, do ta bindim të largohet nga ajo rrugë shkatërruese për të gjithë ne. Ai të do dhe vuan kur të sheh të brengosur.
Të nesërmen, Niku u kthye në shtëpi i nxirë në fytyrë e me vetulla të ngrysura. Pas tij, u duk një siluetë e gjatë që u përplas me vështrimin alarmues të Anës e të nënës së tij.
-Niku, kush është pas asaj dere që na rri si hije?- e pyeti Ana me një zë të frikshëm. Ai nuk përgjigjej, por iu afrua asaj duke i thënë se i duheshin urgjentisht një shumë e caktuar parash. 
Si?!-thirri ajo me një habi të papërmbajtur. Niku iu afrua Anës duke i mbyllur gojën. 
-Të mos dëgjojnë fëmijët dhe nëna. Pusho! kur të kthehem do të tregoj se përse më duhen, të premtoj, tani m’i jep urgjentisht! -Nuk kam ç’të të jap, ti i ke marrë të gjitha.-i tha Ana. 
Ai doli nga vetvetja, e kapi me forcë për krahu, e tërhoqi pothuajse zvarrë dhe e përplasi në krevat. Përplasja e kokës së saj, në një cep krevati, bëri që ajo të lëshonte një klithmë të përvajshme. Fëmijët u ngritën të tmerruar drejt dhomës, por ç’të shikonin? Grushti i babait i ngritur lart, po godiste nënën e tyre tashmë të mbuluar me gjak. Vështronin, herë njërin e herë tjetrin, të dy të dashur për ta. Shtangën nga ajo skenë që ngjasonte me ato skenat e krimit që fëmijët shohin në filma. Klithmat e fëmijëve e sollën Nikun në vete, e kuptoi se kishte dalë nga vetja, se në atë gjendje çmendurie mund të kryente një krim. Fytyrat e tyre të përflakura shprehnin dhimbje, zhgënjim, revoltë. Ra një heshtje e rëndë,e padurueshme. Ai u zmbraps i shpërfytyruar. Ana s’pati më fuqi ta mbante dhe u dorëzua. Ai mori paratë dhe doli vërtik. Ato para i kemi mbledhur me aq mund për fëmijët, duke larë wc-të e Gjermanisë për shkollimin e tyre. E shkuara misterioze e tij u zbulua tërësisht. Ai tashmë kishte humbur çdo sens mase e kohe, sa nganjëherë nuk vinte as në mbrëmje në shtëpi. Ana bënte përpjekjet e saj duke e kërkuar nëpër lokale e kazinotë e qytetit, por nuk i gjeti dot gjurmët e tij. Një natë, Ana vendosi të bisedonte me të duke e pritur gjithë natën. Në mëngjes ai u duk të vinte, dëgjoi derën që po hapej. 
-Niku, duhet të bisedojmë, nuk mundem më të vazhdoj kështu. Fëmijët më pyesin gjithë kohës për ty Shiko, si je katandisur! E kupton që ke rrënuar gjithë familjen? Ti do të pendohesh, vetja jote do të dëshmojë kundër teje, por do të jetë vonë e do të kesh humbur gjithçka. 
-Unë jam në një moshë, që kam autonominë time të mendimit, kam mënyrën time të të menduarit e të jetuarit.–iu përgjigj Niku. 
-Ndërsa unë, e kuptoj ndryshe ecurinë e fatit e të jetës: dua të jem një grua e mirë dhe një nënë e mirë, për të cilën fëmijët e mi të ndihen krenarë. Do të vijë një ditë që, do të duhet t’ua shpjegosh fëmijëve të shkuarën tënde dhe atëherë, ti do të ndihesh i turpëruar. E vetmja mënyrë për t’iu kthyer jetës normale të mëparshme është, të dalësh nga kjo rrugë e gabuar, shkatërruese. 
-Ti kujton se unë jam budalla? -justifikohej ai si zakonisht. 
-Ke filluar ta përsërisësh shpesh këtë fjalë, më duket se nuk po njeh më as veten tënde. Nuk e kupton? Ti po fundosesh çdo ditë e më thellë në batak..Ai u struk pas saj në krevat, sikur kishte frikë nga diçka e filloi të fliste me lotë në sy, 
-Më fal Ana!- vazhdonte e përkëdhelte, e puthte…
-Ah, sikur të ishte një njeri që e kishte njohur për herë të parë, të mos dinte asgjë për të – mendonte ajo. Në moment i lindi dëshira ta konsideronte pikërisht si të tillë. Ndërkohë afrohet vajza, e zhgënjyer nga gjithë ajo skenë që pa e dëgjoi. 
-Eh, duhen para për shkollë baba! 
-Ik, puno!- i tha ai. 
-E mor baba! Sa ëndrra më rrëzove pa mëshirë! Sa shpejt fluturoi fëmijëria ime baba! Po, do të iki baba, e kam menduar dhe këtë. Por nuk di si do t’ i bëj gjithë ato para, me një rrugë të ndershme baba? Mos do më thuash, se me një rrugë të thjeshtë mbushet dora?– foli duke e parë babanë në bebe të syrit. Nëna lëshoi një klithmë të pashpresë. 
-Jam rritur mes shqetësimeve, anktheve, më vrave shpresën për të ardhmen baba! E di ti se jehona e vajtimit të nënës do të më shoqërojë deri në varr? E di mami se ti je e vdekur nga brenda edhe pse frymon.Ti s’do të jetosh baba, e s’ na le as ne të jetojmë, me atë virus të mallkuar bixhozi, që na avulloi buzëqeshjen gjithë familjes e na solli vetëm trishtim. Tashmë po marr përgjegjësitë e mia mbi shpatulla, duke siguruar vetë të ardhmen e jetës time. S’ mund të bashkëjetoj më me dhimbjen! -Po kush të ka rritur ty moj mosmirënjohëse? — i foli babai duke dashur të ngrinte dorën mbi vajzën e gjorë. 
-Dashuri, është ajo çka bën, sakrificat që bën për të dhënë nga vetja, aktualizohet me vepra e jo me fjalë baba. Kurrë nuk ishe bashkëveprues me ne, me mamin, nuk kontrollove njëherë se si ishim ne, ç’ formim morëm, zvogëloje aftësitë e tua, për të ndikuar tek ne. Nuk e ndjeje veten përgjegjës, por vetëm kritikues. Kurrë s’ punove mbi dobësitë e tua, për të na modeluar edhe ne ashtu si bën çdo prind baba! Ja, ku na çuan veprimet e tua, na shkërmoqi familjen, na u prish harmonia në familje… Tashmë jam e lirë të zgjedh reagimin tim përpara kësaj situate që na krijove ti baba! Ishte zgjedhja jote që na solli në këto pasoja ! Ky ishte mësimi që mund të marrësh ti baba, që nuk dite të reflektoje, por i thellove ato gabime. Ti, dhe shumë baballarë të tjerë si ti baba!.Nuk kam ndërmend të gjurmoj tashmë atë gjarpër helmues që na ka kafshuar . S’ka më asnjë dobi, vetëm se do të na çojë në shpërndarjen e helmit në të gjithë trupin. 
Sytë e saj të trishtuar, të lodhur pas gjithë atyre netëve pa gjumë i fshiu dhe iu drejtua nënës. Trupi i saj sikur thithte vetëm ajër të akullt. 
-Mos bija ime, mos ik, je ende e parritur mirë! Por ajo e përqafoi dhe u përhumb në flokët e nënës, duke marrë me vete aromën më të këndshme që kishte nuhatur ndonjëherë. Qofsh e vlefshme gjithmonë bija ime…!
Sa e tmerrshme eshtë kur babai yt të bën te vuash!
Sigal