Suplementi Pena Shqiptare/ Lela Dardha Kokona: Murgesha që theu tabutë

794
Ishte një mëngjes i ftohtë tetori. Shiu binte rrëke. Hera sapo kishte zbritur nga trageti, endej nëpër rrugë pa drejtim për të gjetur një strehë. Sytë i vajtën te një ndërtesë e vjetër. Ah, sa mirë, kjo duhet të ketë qira të ulët..!– Thonë, që fukarenjtë kanë më shumë të zhvilluar sensin e humanizmit e nuk vdesin fukara në shpirt. Shpresoj të mos më lërë në baltë intuita ime,– mendonte me vete Hera. Piklat e shiut rrëshqisnin tatëpjetë xhamit dhe mbi shkronjat e një cope letre të vendosur nga brenda derës ku shkruhej: ” Jepet dhomë me qira”. Në derë u duk papritur një plak që qëndroi në mes të derës së hapur duke e dëgjuar me durim mënyrën e çalë të të folurit të gjuhës italiane të Herës. -Përshëndetje zotëri! Po interesohem për një dhomë me qira. Nuk di nëse më mundësoni ju një të tillë? 

-Hajde moj vajzë hajde!- iu përgjigj me një zë të butë .-Dëgjo moj vajzë, unë s’i honeps dot vajzat, të çajnë kokën me llafe. 
-Po unë nuk jam një e tillë zotëri! Jam një shqiptare që kam ardhur të vazhdoj fakultetin këtu. Quhem Hera,– i tha ajo. 
-Bravo, moj vajzë! Ëndrrat e tua i paske ujitur me optimizëm dhe zgjidhje për të kultivuar sukses. 
-Po ku më njohët ju zotëri që nxorët këtë konkluzion? 
-Ky ishte mesazhi qe më përcollën sytë e mi për ty moj bijë!.

– Dëgjo moj vajzë; unë jam zoti Serxho, një ish-pianist, e një dështak në jetë, por…dhe filloi të heshtte duke vazhduar me një tundje të lehtë të kokës. Hera e parë është që largohesh nga shtëpia, nga prindërit?

-Po zoti Serxho!

-Shpresoj të jesh një vajzë e mbarë- i tha dhe e drejtoi nga dhoma ku do qëndronte.

Biseduan për qiranë, ranë dakord për çmimin dhe kohën sa do të rrinte. Hera e fokusoi shikimin te ca libra të vegjël të mbështjellë me një copë lëkure. Ato këngë më japin motivin për të jetuar. Çdo fllad që ndjeja ndërsa qëndroja pranë dritares duke luajtur në piano, fërfëriste në veshin tim zëri i asaj që ëndërroja aq shumë, për atë dashuri të pamundur. Vjen një kohë e kërkojmë në memorien tonë, ato detaje të këndshme të moshës së hershme,është nostalgjia e përjetuar, vitet harrohen por jo çastet – fliste nën ritmin e çrregullt të frymëmarrjes z. Serxho. Dukej se gjithë kohës kishte udhëtuar në botën e mbushur plot me shqetësime e ëndrra. Ishte njohësi më i mirë i dhimbjes. Ndjente një fërfëllije shpirti me plot emocion që i riktheheshin në imazhe dhe vegime të asaj jete të jetuar. Pas një pauze,e prishi heshtjen: 

-A ka dashuri mëkatare, si mendon ti? A është mëkat të dashurosh? – E pyeti së fundi z. Serxho.

-Jo jo! Nuk di ç’të them, por mendoj se jo! 

-Po ja që unë jam mëkatar për dashurinë e marrosur por të pastër qelibar, megjithëse prapë them: ” Pse më quajti Ai lart mëkatar? – dhe ngrinte dorën lart nga qielli. Ndoshta nuk më dënoi Zoti por fati. Çfarë po flas dhe unë! Unë që nuk jam fare besimtar, kurrë nuk kam qenë aplikues i fesë me shpirt, nuk marr vesh fare nga ato punë…Shkoja në kishë vetëm për të parë një bukuri të rrallë që e mbulonte nën atë çarçaf të zi. Ëndërrimet romantike për atë vend quheshin dhe quhen ende marrëzi e mëkate. U zhyta keq moj vajzë, u rrëzova e nuk arrita dot të ngrihem. Hera kuptoi se shpirti i tij ishte i vrarë. 

-Ishte shumë e bukur z. Serxho? – iu drejtua Hera për të zgjatur bisedën me të. 

-Bukuria moj vajzë, është në sytë e atij që e sheh. Unë isha pianist në kishë, ndërsa ajo ishte soliste por murgeshë. Ajo quhej Luçia. Atëherë Hera mbeti pa fjalë, vetëm i nguli sytë zotit Serxho duke pritur vazhdimin e bisedës. 

-Ajo dashuri më shkaktoi trazira të mëdha. Luçia nuk ishte si gjithë të tjerët. Njerëzit janë të njëjtë, por është virtyti ai që bën diferencën, — fliste duke i mbushur mendjen Herës se ajo ishe vërtet e veçantë. Për hir të dashurisë për atë shkoja në kishë, fillimisht çdo të Diel e më pas çdo ditë, herë fshehurazi e herë jo. Kishte një zë si të bilbilit, sy që i ngjanin ngjyrës së detit dhe hapësirës qiellore, sy që depërtonin thellë në shpirtin tim e që komunikonim lehtë me atë shikim që dukej se të hetonte deri në thellësinë e shpirtit. Pas disa kohësh dashuria jonë ra në sy të murgeshave të tjera, kështu që u bëra i padëshirueshëm në atë kishë,– dhe në mendje filloi t’i shfaqej dita e parë e njohjes me atë vajzë. Ishte një det i pafund kujtimesh, në të cilat filloi të lundronte. Po kalonte një nostalgji, një mall, teksa e përkundnin ato kujtime, dhe ndjente shtrëngimin e dorës së saj. Atëherë, vazhdoi të tregonte z. Serxho — më dërgon një letër ku më shkruante: 

I dashur Serxho! 

E pranoj sfidën edhe pse përbën një skandal të vërtetë për hapin tonë në dukje “të gabuar”. Por më parë do më duhet të bëj një provë, nëse koha që do të na përflasin do të jetë e gjatë apo… — dhe nuk zgjati shumë e mendimin për provë e bëri realitet. Në mëngjes, përpara se murgeshat të shkonin në mensë, mori një mace dhe në qafë i lidhi një fjongo të kuqe ku në fund të saj varej një zile që tringëllonte shumë. Kur murgeshat u ulën për të ngrënë, macja vërdallisej nëpër tavolina duke kapërcyer nga njëra tavolinë tek tjetra. Zilja e saj ushtonte pa pushim. Të gjitha murgeshat mbetën gojëhapur dhe nuk po arrinin të pushonin të qeshurat e tyre, ndërsa ajo vetë, qëndroi në një qoshe dhe vështronte të gjitha reagimet e tyre. Ky humor i kësaj ngjarjeje vazhdoi jo më shumë se tre ditë. Atëherë ajo më shkruan një letër ku thuhej: 

” I dashur Serxho! Kam vendosur të guxoj për dashurinë tonë, e cila nuk është një aventurë romantike por një dashuri që djeg, një dashuri e vërtetë. Ndoshta është një lajthitje e mendjes e një guximi prej të marri, por kjo forcë e madhe shpërthimi ndjenjash vullkanike e dashurisë më bëri të kuptoj nevojën e lirisë së ndjenjave të ndrydhura e të ndaluara duke i quajtur “mëkat”.që prek ndjenjat e një murgeshe. Jam e dashuruar marrëzisht pas teje i dashur Serxho. Është miqësia ime e parë me një mashkull. Nuk dua të di më fare për asgjë ,veç dashurisë që ndjej për ty. Po hedh një hap të marrëzishëm ndoshta, por dhe marrëzitë në këtë botë, kanë lindur për t’u provuar nga njerëzit që duan të guxojnë duke thyer çdo tabu. U ndjeva e pafuqishme përpara instinkteve të mia, të cilat e shpërfillën arsyen time. Ti tashmë frymon në trupin tim ,në shpirtin tim. Dashuria njeh vetëm gjuhën e ndjenjave që bashkon qeniet njerëzore dhe beson në një dashuri të pastër. Kështu ,prova ime rezultoi e suksesshme, nuk do vdesim ëndrrat tona për tre ditë që do shpërthej i ashtuquajturi skandal apo mëkat. Shpresoj që Zoti im do të më falë! Në mbrëmje në orën 12 të natës të pres i dashuri im Serxho. Amen! 

Më duhej të bëja zgjidhjen duke pasur të qartë arsyen. Më thërriste gjuha e shikimit të saj që kërkonte t’i jepja liri shpirtit, atë liri që nuk paraqiste asnjë rrezik. Por fati atë natë nuk ishte me ne. Sapo lëvizi atë shul të trashë e të hekurt të asaj porte të madhe, ndjeu një frymëmarrje të shpeshtë që e bllokoi atë zemër të plagosur keq, i ndaloi ato rrahjet e saj që po e bënin të shkulej nga kraharori duke e rrëzuar përdhe. Nga sytë e saj u duk një pikë loti.

-I dashur Serxho, Zoti thua më dënoi për mëkatin që bëra apo fati im i keq? – pëshpëriti Luçia dhe sytë e saj mbetën të stampuara te sytë e mi. Lotët e saj tronditën çdo zemër njerëzore. Pesha e dhimbjes, ishte shumë e madhe. Doja të kryeja aktin e vetëvrasjes në ato çaste, me vetëdije, mbaroi së treguari z. Serxho. Hera i kërkoi të luante në piano. Ato emocione, ato plagë të dhimbshme i ishin kthyer në vlera artistike.
Sigal