Suplementi Pena Shqiptare/ Laurant Bica: Lasgushi dhe filozofia

865
Sigal

LAURANT BICA

Doktor i Shkencave Filozofike

– Përkthimet me durim që bënë murgjit nëpër manastire nga greqishtja e vjetër dhe nga latinishtja na sollën kulturën e lashtësisë

FILOZOFIA NË POEZINË E LASGUSH PORADECIT

Ai zotëronte dhjetë gjuhë në atë shkallë sa edhe thurte poezi në to

Në fund të shekullit XIV, Urdhëri Domenikan pati meritën se ngriti Universitetin e Durrësit

LASGUSHI NDËRMJET KATËR POETËVE KOMBËTARË DHE BODLERIT FRANCEZ

 

LASGUSHI DHE FILOZOFIA

U bënë disa dhjetëra vjeçarë që poezia e Lasgushit është botuar e tëra në një vëllim (1990) nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri. Më vonë shtëpia botuese “Onufri” e ndonjë tjetër e botuan krejt veprën e tij në poezi e në prozë. Tani së fundi, dorëshkrimet e dixhitalizuara të këtij poeti në Arkivin e Shtetit janë vënë në disponim për këdo që dëshiron të njohë krijimtarinë e Lasgushit. Vepra e pjesëshme ose e plotë e poetit të madh vijon të botohet edhe sot në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e gjetkë. Letërsia lasgushiane vijon të begatohet si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë saj edhe me një sërë monografish kushtuar jetës dhe veprës së Lasgushit, madje numri i tyre po rritet shpejt. Studiues të huaj që merren me letrat shqipe kanë nisur të shkruajnë edhe për poezinë e Lasgushit. Në to dhe në artikuj të ndryshëm studimorë të historianëve të letërsisë, kritikëve letrarë, gazetarëve, po del në pah edhe përmasa filozofike e veprës poetike të Lasgush Poradecit. Mund të përmend psh z. Sabri Hamiti, z. Eldon Gjikaj, z. Luan Topçiu e ndonjë tjetër. Ndërkohë ende nuk kemi pasur qasje nga studiues të filozofisë. Për të kuptuar marrëdhëniet e një poeti si Lasgushi me filozofinë duhet të hulumtojmë për kulturën e tij të përgjithshme dhe atë filozofike në veçanti. Llazar Gusho si rrallëkush ka pasë aftësi të mëdha, ai zotëronte dhjetë gjuhë në atë shkallë sa edhe thurte poezi në to (frëngjisht, greqisht, gjermanisht, rumanisht etj). Si mjeshtër i poezisë shqipe ka gdhëndur vargje në të. Ai kishte në radhë të parë kulturën shqiptare pasi jetoi në Shqipëri e midis shqiptarësh në vendet e huaja, një kulturë popullore dhe atdhetare. Mandej ai u pajis me kulturën greke, si në shkollën fillore në Shqipëri ashtu edhe në Greqi, në Liceun Francez të atjeshëm. Lasgushit nuk i mungonte as kultura latine, që e nisi në Liceun Francez me shkrimtarët romakë (Ciceroni, Virgjili, Seneka etj), të cilët i lexonte edhe më pas. Letërsia romantike dhe iluministe frënge ishte gjithashtu pjesë e programit në Liceun Francez në Greqi. Më pas mësoi vetë italishten, u njoh me shkrimtarët e poetët italianë (Dante etj) dhe filozofë (Viko, Kroçe, Xhentile etj). Në Liceun Vlleh të Manastirit, ku kreu semimaturën dhe gjatë qendrimit në Rumani, ku Lasgushi ndoqi disa fakultete në Universitetin e Bukureshtit, u njoh me kulturën rumune (letërsi, art, histori). Gjatë dhjetë viteve të qendrimit në Austri (Vienë e Grac) ai u pajis me kulturën gjermane, që zuri një vend të veçantë në jetën e Lasgushit. Ai, pra, sikurse kolegët e tij në Austri e Gjermani morën edhe “dojç” kulturën. Është me interes që poeti ynë e studioi sanskritishten dhe lexoi filozofët që shkruajtën në këtë gjuhë të lashtë të Indisë. Kështu u njoh si askush tjetër me kulturën antike indiane, fetë e tyre (Brahmanizmin, Induizmin, Budizmin). Duhen përmendur përkthimet e Lasgushit nga anglishtja dhe rusishtja, por ndoshta edhe nga gjuhë të tjera sllave. Kultura lindore osmanoturke, perse dhe arabe nuk mund të mos gjente vend në njohuritë e gjera të Lasgush Poradecit. Për të nuk ishin të panjohura kryeveprat në këto gjuhë, sidomos poezia perse. Më tej, poeti ynë i shquar u interesua edhe për kulturën e lashtë (kineze, egjiptiane, babilonase, sumere). Duhet thënë se këto kultura, shumicën, ai i ka prekur në gjuhët origjinale të tyre! Etja e madhe për dijet bashkëkohore i siguroi njohuri historike, fetare (judeokristiane, islame etj), filozofike, letrare, artistike e shkencore. Kur ishte 20 vjeç dhe jetonte në Rumani, Lasgushi thotë se pat shfletuar edhe një broshurë për teorinë e relativitetit të Ajnshtajnit.  Kur Mitrush Kutelit i thanë dikur në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” se përkthen shpejt, ky ia priti: Nuk përkthej unë, por kultura ime enciklopedike! Po kështu mund të themi për Lasgushin, falë kulturës së tij filozofike të pasur. Vargjet e tij, poezia e poemat përmbajnë një dëndësi mendimi filozofik, që përfshin Vedat indiane në Lashtësi, vjen në Mesjetë e pastaj tr iIuminizmi Francez e Filozofia Klasike Gjermane, deri në filozofinë e shekujve XIX dhe XX. Sanskritishten, veç E. Çabejt, Shaban Demirajt, Petro Zhejit dhe Idriz Ajetit në Kosovë, zor se mund ta ketë ditur njeri si Lasgush Poradeci! Në një bisedë me z. Petraq Kolevica, duke treguar respekt për filozofinë antike greke, ai më tha: Shtatëqind vjet me radhë Greqia e Vjetër nxori filozofë. A ka ndodhur kjo me një vend tjetër në një kohë tjetër? Jo! Për Mesjetën më tha: “Përkthimi bën kulturën. Përkthimet me durim që bënë murgjit nëpër manastire nga greqishtja e vjetër dhe nga latinishtja na sollën kulturën e lashtësisë…E, ja, tërë këtë kulturë ata murgjit e përvuajtur të mbyllur nëpër manastire na e dhanë të gatshme falë përkthimeve” Diku tjetër ai përmend filozofinë romake, si Sexstus Empirikun, Senekën etj. Mjafton të lexosh romanin e Umberto Eco-s “Emri i Trëndafilit” (Dituria, Tiranë, 2012) për të marrë vesh se murgjit e Urdhërit Benediktin kanë vepruar në mbarë Europën. Në trojet tona ata punuan në Shqipërinë Veriore deri në Novobërdë të Kosovës, ku ngritën 30 Kuvende Benediktine, që drejtohen nga murgj shqiptarë dhe të huaj (italianë, gjermanë, raguzianë). Kuvende të tilla ka pasur edhe në Jug (Përmet, Këlcyrë). Një degëzim haset në Kabash të Pukës (Cisterianët). Me parrullën “Lutu dhe Puno!” këta murgj kanë qenë një vatër diturie në mes malesh…

Në fund të shekullit XIV, Urdhëri Domenikan pati meritën se ngriti Universitetin e Durrësit.

Me të 25 doktorët e tij të shkencave , gjë e rrallë për atë kohë, ky universitet rrezatoi edhe në Europë. Rektor i universitetit ishte vëllai i princit arbër Karl Topia, Domenik Topia. Urdhërit Domenikan i përkiste edhe filozofi teolog i famshëm i Mesjetës Thoma Akuini. Skëndërbeut i kanë shërbyer anëtarë të Urdhërit Domenikan si vëllezërit Gjon e Pal Gazulli dhe Pal Engjëlli. Urdhëri në fjalë kishte në Durrës një Kuvend të vetin. Në Shqipëri kanë zhvilluar veprimtari katër urdhëra: murgjit benediktinë, domenikanë, françeskanë dhe jezuitë. Dy të parët iu kundërvunë sundimit sllav ndërsa dy të tjerët pushtimit osman. Ata ngritën në trojet tona vatra diturie që i shërbyen arsimimit dhe ndriçimit të popullit tonë në kohët e egra e të errëta të pushtimeve të huaja. Në një lice laik në Athinë që drejtohej nga vëllazëria e fretëve benediktinë mauristë të Lionit të Francës ka studiuar edhe Lasgushi ynë. “ Ishin përkthimet e murgjëve që përgatitën Rilindjen Italiane që e quajnë më kot Renaissance frëngjisht se Franca s’bëri gjë, Italia e solli Rilindjen (Europiane- shënimi im)”- thotë Lasgushi. A e ka njohur iluminizmin francez Lasgushi? Padyshim që po! Ai kreu një lice francez. Në Rumani dhe në Austri i dha provime për doktoraturë historinë e filozofisë të shekullit XVIII. Në bibliotekën e tij ndodhen vepra të enciklopedistëve francezë (Volter, Russoi, Didëro, Dalamber), . Larousse të ndryshëm që ai s’I hiqte nga duart. Sigurisht njohuritë e pasura filozofike të Lasgush Poradecit do të pasqyroheshin në krijimtarinë e tij letrare si poet. Vend të veçantë do të zinte filozofia klasike gjermane me përfaqësuesit e vet më të shquar (Kant, Fihte, Sheling, Hegel, Shopenhauer, Niçe etj). Në vargun e filozofëve përfshin ata të shekullit XIX dhe XX me rryma të tilla si pozitivizmi, neopozitivizmi, marksizmi e pragmatizmi, frojdizmi e intuicionizmi, ekzistencializmi dhe pragmatizmi.

FILOZOFIA TE VEPRA E LASGUSHIT NË PËRGJITHËSI

Duhet të marrim parasysh disa gjera kur flasim për lidhjen e veprës së Lasgushit me filozofinë.

1                    Disertacioni filozofik për doktoraturën mbajtur në Grac

2                    Cikli i poezive filozofike

3                    Poezitë e shkruara për dashurinë në përgjithësi

4                    Dy poemat filozofike “Kamadeva” dhe “Ekskursioni teologjik i Sokratit”

Në punimin e doktoraturës “ Eminesku i injoruar dhe ideologjia e tij popullore atdhetare” ai merret me studimin e veprës së kryepoetit rumun Mihail Eminesku (mbase me prejardhje shqiptare sikurse thotë Dhimitër Pasko). Shqyrtimi bëhet nga pozita filozofike dhe drejtuesit e tij janë profesorë të filozofisë. Llazar Gusho mori diplomën e doktorit për shkencat filologjike. Ai i shtoi studimit një kapitull ku shfaqet ndikimi filozofik i Kantit. Poeti rumun në fakt ka studiuar në Vienë dhe Berlin, fillimisht për filozofi, mandej për drejtime të tjera. Koha që Lasgushi qendroi në Vienë e Grac karakterizohej nga një atmosferë filozofike gjë që ndikoi në mbruajtjen e Lasgushit dhe Emineskut. Vetë Lasgushi përmend dy provime formuese, një për filozofinë e Kantit dhe një për historinë e filozofisë të shekullit XVIII. Në dy vëllimet poetike “Vallja e Yjeve” (1933) dhe “Ylli i Zemrës” (1937, 1939), posaçërisht poezitë “Vallja e Përjetësisë” dhe “Zemra e Përjetësisë” spikat boshti filozofik, që rrezaton në gjithë poezitë e tjera. Dhimitër Pasko, Andrea Varfi e të tjerë studiues (Eldon Gjikaj, Luan Topçiu) tregojnë burimet që kanë ndikuar gjerësisht në ciklin filozofik të poezive të Lasgushit:

1                    Kanti

2                    Përkimet me filozofinë e lashtë indiane (hinduizmin dhe budizmin)

3                    Teozofia (Helena Blavatski dhe Rudolf Shtajner).

( Vepra “Teozofia” është tashmë edhe në shqip)

Pesë poezitë e këtij cikli: ”Lënda e Jeta’; “Fryma dhe Qëllimi”; “Ndjenja dhe Njeriu”; “Njeriu dhe Zoti”” dhe “Përjetësia” përbëjnë një poemë më vete sipas Mitrush Kutelit, që trajton lëndën, materien, shpirtin, ndjenjat, Zotin dhe Përjetësinë, kategori këto filozofike. Lasgushi na jep, nëpërmjet artit mjeshtëror poetik, një sintezë të konceptimit të vet për zhvillimin psikofizik të jetës. Kjo sintezë përmban e i kalon njoftimet e një biblioteke të tërë librash filozofikë. Një burim tjetër për ciklin filozofik është edhe misticizmi sufist i Lindjes apo misticizmi islamik. Doktori i shkencave letrare Eldon Gjikaj më 2010 dhe një profesoreshë universiteti Brikena Smajli më 2019 trajtojnë këto ndikime në poezinë e Lasgushit. Edhe filozofi klasik gjerman Frederik Holderin, mik i ngushtë i Hegelit, që ka studiuar Empedoklin,  ka ushtruar ndikim të madh te Lasgushi, që veprën e tij e mbante dhe e shfrytëzonte në bibliotekën e vet. Duke kaluar në poezitë e dashurisë, vepra e Platonit “Simpoziumi apo Elozhi i Dashurisë” duket se ka ndikuar dukshëm. Dhe poezitë e dashurisë përbëjnë shumicën! Sipas kritikut Ali Aliu më tipikja është “Vallja e Yjeve”. Aty ka përkime me poezitë e Pjetër Bogdani dhe Hasan Tahsinit mbi Gjithësinë, në kuptim kozmogonik. Lasgushi ka qenë mendjehapur, i kulturuar dhe i apasionuar pas diturisë. Poezitë e veçanta për përjetimet vetiake dashurore mund të shihen edhe si raste të konkretizimit të dashurisë abstrakte, nën ndikimin platonian. Me të drejtë, Larousse francez e quan Lasgush Poradecin një poet-filozof, sepse në poezinë e Lasgushit pasqyrohet edhe kultura e thellë filozofike e tij. Që në lashtësi, filozofët (psh Lukreci) i kanë shprehur idetë e tyre filozofike në vargje. Këtë traditë me sa duket e vijon edhe Lasgushi. Mbetet që ky tipar të hulumtohet më tej në të ardhmen.

LASGUSHI NDËRMJET KATËR POETËVE KOMBËTARË DHE BODLERIT FRANCEZ

Lasgush Poradeci përpiqej të arrinte cilësinë më të lartë në poezi. Ai e adhuronte “Bilbilin e Shqipes”, Naim Frashërin, të cilit i kushtoi dy poezi dhe tre artikuj; kryepoetin rumun Mihail Emineskun, të cilit i kushtoi studimin e doktoraturës kur ishte në Austri dhe përktheu në shqip poezi të Emineskut; kryebardin gjerman Gëte nuk e hiqte nga goja dhe e njihte me rrënjë krijimtarinë e tij në origjinal; si dhe poetin e parë të Greqisë së kohës së re Dionis Solomos. Vetë e pohon se e njihte shumë mirë këtë poezi dhe vetë Dionisin. Pra, kemi një Lasgush ndërmjet katër poetëve kombëtare të vendeve ku u shkollua. Fridrih Shileri, poet-filozof e përmend me respekt Sokratin, por edhe poeti francez Sharl Bodler, si përfaqësues i simbolistëve, në librin “ Brenga e Parisit”, në njërën prej poemave të tij në prozë (Kur rrahim të varfërit) flet për Sokratin dhe Demonin si mbrojtës i tij. Ndërkohë Bodleri flet për Demonin e vet i cili ndryshe nga ai i Sokratit, e këshillonte në veprimet e veta. Sipas Bodlerit, filozofët në Athinë mblidheshin te Porta e Portikës. Lasgushi e njihte veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes”, po ashtu jetën dhe mjedisin e tij dhe pati jo pak ndikime prej tij, sikurse edhe prej katër poetëve kombëtarë të sipërpërmendur.

MURGU ILUMINIST I LIQERIT

Lasgush Poradeci dhe poema e tij “Ekskursion teologjik i Sokratit” (1975)

 

Prof. Skënder Luarasi i thosh një ditë prof. Eqerem Çabejt:“Me Lasgushin ka ndodhur diçka e çuditshme. Kur ishte i ri, bota thoshin ‘Po vdes, po vdes, Lasgushi. Tashi, që është plak thonë. More, po rron, po rron Lasgushi! Ndërsa mua më duket se Lasgushi është bërë i përjetshëm. . ”Dhe me të vërtetë “murgu iluminist i liqerit” siç e kanë quajtur dashamirët, për gati gjysëmshekulli, krijoi dy poema si dy monumente përjetësie për veten dhe si dy kulte që duhen të falen shqiptarët: poemën “Ekskursion teologjik i Sokratit” me kultin e Njeriut në qendër dhe “Kamadevën” (perëndi e lashtë indiane e dashurisë) me kultin e Dashurisë. Pra shqiptarët, pasardhësit e pellazgëve të lashtë hyjnorë, që u shfaqën që në agim të njerëzimit, duhet të mos u ndahen këtyre dy kulteve që sigurojnë vazhdimësinë e racës njerëzore e janë të lidhur fort njëri me tjetrin. Mesazhi është krejt i qartë: shqiptarët, në s’i vënë një emër të tyre perëndisë së dashurisë sikurse te grekët e romakët, patën një perëndi që s’e ka asnjë popull në botë për diturinë me emrin kuptimplotë URIDIA (Uri për dije). Edhe Lasgushi, në gjurmë të popullit të vet, ka qenë sikurse shprehet vetë “një krimb librash”, që e donte dijen fort. Studiuesja shkodrane Brikena Smajli, doktore e shkencave letrare, në një libër të saj shkruan: “Ai (Lasgushi) është poeti më i plotësuar nga pikëpamja e edukimit por edhe nga më aristokratët për kulturën e tij poetike…ka në qendër edhe një hierarki kulturore e kuptimore, ka vetëdijen dhe njohjen e thelluar të kulturës së Europës dhe më gjerë, që nga Vedat e deri te autorët bashkëkohorë. Si rrjedhojë edhe leximi i poezisë së tij është një lexim i kulturës së njerëzimit”“ Ndryshe nga autorët francezë (këtu ajo ka parasysh Sharl Bodlerin me të cilin e krahason Lasgushin), cilësia e të cilëve mbi përkueshmërinë sjell një revolucion në poezi, ‘revolucioni lasgushian’ në poezinë shqipe ende pret të ‘projektohet’”. Rrezatimi i murgut iluminist të liqerit, vizionar si ai, ishte jo për dje e për sot por për të ardhmen, për shekuj. Dy poemat e fundit që i ‘gdhëndi’ dhe i ‘limoi’ si ai janë dy gardianë që përcjellin mesazh për të ardhmen e shqiptarëve e të njerëzve në përgjithësi. Prandaj s’është e rastit që për një poemë të veten ai zgjedh filozofin më të madh të gjithë kohëve, “babanë e filozofisë” e të filozofëve, Sokratin, që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e filozofisë e të mbarë njerëzimit. “Murgu” Lasgush ishte e do të mbetet një njeri me ideale të mëdha të mishëruar në jetën e veprimtarinë sa qe gjallë, ashtu edhe në poezinë e veprën e tij, për t’u përjetësuar. . Do shqyrtoj vetëm poemën “Ekskursion teologjik i Sokratit”. Autori nuk merret me atë pjesë që ka hyrë në historinë e filozofisë e të letërsisë me titullin “Apologjia e Sokratit”, ku ai mbrohet vetë gjatë gjyqit. Pas asaj mbrojtje u dha dënimi me vdekje me pirje helmi. Me titullin e poemës Lasgushi kap jo momentin e fundit por jetën e Sokratit, bën një ekskursion në të. Po pse teologjik? Sepse Sokrati u akuzua për propagandë kundër fesë politeiste zyrtare të shtetit të Athinës së Vjetër. Ishte akuza kryesore.