Suplementi Pena Shqiptare/ Lame Kodra: Pse e dua Shqipërinë!

1429
Sigal

 “Lame Kodra”, pseudonimi me të cilin u bë i njohur që në moshën 24-vjeçare, vdiq në vitin 1971 i internuar në Fier. Që në Plenumin e Beratit, në vitin 1944, Sejfulla Malëshova shfaqi kritikat e tij mbi linjën e Partisë Komuniste. Ai e cilësoi atë si një parti terroriste. Në 1947-n shkarkohet edhe nga funksioni i lartë shtetëror, ai i ministrit të Arsimit, me motivacionin e çuditshëm “për paaftësi”. Pas Konferencës së Tiranës, më 1956, për shkak të bindjeve të tij politike, ai akuzohet si armik i partisë dhe burgoset e më pas internohet, fillimisht në Ballsh, dhe më vonë në Fier, ku qëndroi deri sa vdiq më 11 qershor 1971.

Pse e dua Shqipërinë

 (Lame Kodra)

S’kam çiflik e s’kam pallate,
S’kam dyqan me katër kate,
Po e dua Shqipërinë
Për një stan nëTrebeshinë,
Për një shkarp e për një gur,
Për një gardh e për një mur,
Për kasollen mbi Selishte,
Për dy ara në Zallishte,
Për një lopë e për një gomar,
Për një Balo,një manar.
Unë e dua Shqipërinë
Si bari dhe si fshatar.
Unë e dua Shqipërinë,
Për tërfilin mi lëndinë,
Për një vajzë gjeraqinë,
Dhe për ujët që buron
Nga një shkëmb e gurgullon
Nëpër lisa gjetheshumë,
Edhe zbret përposh në lumë.
Unë e dua Shqipërinë
Për një lule trëndelinë,
Për një zok që fluturon,
Për bilbilin që këndon
Në ato ferra, në ato hije
Këngë malli e dashurie,
Këngë shpirti të helmuar.
Unë e dua Shqipërinë
Si poet i dhemshuruar.
Unë e dua Shqipërinë
Që nga Korça e Vraninë,
Ku del bujku që me natë
Me parmendë dhe me shatë,
Mbjell e korr me djell,me hënë
Dhe s’ka bukë për të ngrënë,
Ku nallbani dhe samarxhiu
Mjeshtri,kallfa e kallajxhiu,
Kërrusen dite e kërrusen natë,
që të hanë bukë thatë,
Ku hamalli nëpër skela
Ngarkon hekur dhe varela,
Këmbë zbathur,***** çjerrë
Punon vetëm për të tjerë.
Unë e dua Shqipërinë
Që nga Shkupi e Janinë,
Ku një popull derëzi
Heq e vuan robëri
Po ka shpirtin luftëtar.
Unë e dua Shqipërinë
Si shqiptar e bir shqiptar.

 

Sejfulla Malëshova lindi në Kaleshovë të Kelcyrës,më 2 mars 1900 dhe vdiq në Fier, në 9 qershor 1971, ku dhe u varros. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, kurse studimet e mesme i kreu në Itali në kolegjin e Shën Dhimitrit në Korone, atje ku dikur kishte studiuar edhe De Rada. Këtu së bashku me mikun e tij Odhise Paskalin botoi revistën “Studenti Shqiptar”, në të cilën botoi edhe vjershat e tij të para. Më pas kur do te studiojë mjekësi në Romë do të botojë poemën e tij të parë me pseudonimin ‘Kostandini’, në vitin 1923. Kthehet në atdhe një vit më vonë dhe do të jetë për gjashtë muaj sekretar i kabinetit të kryeministrit Fan Noli. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit do të emigrojë dhe në vitin 1926 do të fillojë studimet në universitetin “Lemonosov” të Moskës për filozofi, studime që do ‘ti përfundoje në vitin 1930. Pas një debati në organizatën e partisë të BS, ku bënte pjesë, do ta largojnë nga Moska dhe për tre vjet do të punojë në një uzinë në Kaukaz. Në vitin 1933 rehabilitohet dhe emërohet pedagog dhe dekan i fakultetit të filozofisë në universitetin “Lemonosov”. Ndërkohe që një vit më parë në vitin 1932 u martua me një moskovite me të cilën u nda pas tre muajsh për arsye divergjencash, duke vendosur kështu të mos martohej asnjëherë. “Nuk dua të krijoj më familje”, i deklaroi njërit prej miqve të tij, sepse unë jam revolucionar gjaknxehte dhe impulsiv. Në vitin 1934 pranohet në Komintern dhe me këtë detyrë vjen në vitin 1941 në Shqipëri dhe bëhet pjesë e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar, aktivitet që i siguroi një pozitë drejtuese në Shqipërinë e pasluftës. Në vitin 1946 do të jetë ministër i Arsimit dhe Kulturës në qeverinë e Enver Hoxhës. Ndërkohe që në vitin 1945 do te zgjidhet kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA), kryetari i parë i kësaj organizate. Po këtë vit do të botohet edhe vëllimi i tij poetik vjersha me pseudonimin letrar “Lame Kodra”. Në vitin 1946 për divergjenca të shumta që kishte me Enver Hoxhën në fushat e ekonomisë, kulturës dhe drejtimit të Partisë, përjashtohet nga ajo dhe shkarkohet nga të gjitha funksionet. Kështu intelektuali dhe njeriu më i mirarsimuar i Shqipërisë internohet në Fier, ku jeton për 24 vjet, duke punuar si magazinier në ndërmarrjen e grumbullimit. Pas një jetë të vetmuar, në 9 qershor 1971, Sejfulla Malëshova u nda nga jeta dhe u varros në varrezat e vjetra të qytetit. Në vitin 1993 një grup intelektualësh u kujdesën për rivarrimin dhe ceremoninë e munguar për përkthyesin e Internacionales, Gëtes dhe Nekrasovit, apo poetin rebel, siç i pëlqente ta quante veten.

 

SHTRËNGATA

Dëgjoni, dëgjoni,
Nga deti shikoni
Si shfryn e tërbohet,
Si vjen e zgjerohet
Në qiell, në dhé –
Kaluar mi ré,
Të zeza si nata,
Shtrëngata.

Nga zalli po ngrihet
Si mal, e përzihet
Me breshër, me shi,
Një pluhur i zi.
Dhe rrotull në det,
Në fshat e qytet
Përhapet rrëmuja
Dhe kuja.

Kush pyet për djalin,
Për lopën a kalin
Një plakë qyqare
Kërkon një manare
Një nuse shikon,
Mos duket përgjon
Në detin e largët,
Një barkë.

Po qielli dhe deti,
Të dy si tërmeti,
Dhe shpesët i ndjek,
Dhe barkat përpjek,
Dhe pemët rrëzon,
Dhe arat shkreton,
Dhe bie mandata –
Shtrëngata.