Suplementi Pena Shqiptare/ Kozma Gjini: “Murgu dhe Andromaka”

1043
Murgu i kohëve moderne, një djalë simpatik, rreth të tridhjetave, me pakëz mjekër, serioz e fanatik, si i mbrujtur me ashpërsi bjeshkësh, mbylli portën e rëndë drusore të manastirit me forcën e supit, i vuri shulin e hekurt, fshiu duart në pantallonat dhe u çapit kërrusur për në shpellën e tij. Në një qoshe të oborrit të manastirit ndodhej një gur i bardhë i stërmadh, disa shekullor si një asteroid i dërguar prej zotit, i lëmuar nga erozioni, me disa vija të thelluara që skiconin bukur portretin e një nuseje të re në sisën e së cilës pinte qumësht i buzëqeshur një bebe. Kishte dëshmitarë që pohonin se, vite më parë, pavarësisht zvetënimit prej erërave të kohës, guri kishte shëruar lehonat që u ishte larguar qumështi i gjirit. Këto vitet e fundit, efekti mrekullibërës i gurit të shenjtë u rikthye e u rrit ndjeshëm, madje me një efekt magjik. Ndoshta se aty tashmë frymonte si murg një djalë i ri, jo vetëm i bukur, por edhe njeri i përkorë. Me kalimin e ditëve, te muri i manastirit, në mugëtirë, në një orar fiks, zgjatej një dorë, trokiste me zall në mur, varte një trastë me ushqime në degën e manit dhe zhdukej në errësirë. Ardhjen e kësaj traste, murgu e mori si një bamirësi. Andromaka, nusja e re e fshatit, e ndau mendjen, se e vetmja mënyrë për të hyrë në manastir… ishte, të përdorte dredhinë. Një pasdite fundgushti, sapo ra muzgu, u vesh me të lehta, njërën dorë e mblodhi me fashë të bardhë nga bërryli deri te gishtat, krahun tjetër e fshehu poshtë bluzës, veshi atletet dhe për një gjysmë ore u gjend te porta e manastirit. Murgu, me të dëgjuar trokitjen, u ngrit, ngjeshi armën në brez, eci majë gishtave në errësirë, vuri syrin mes një të çare dërrasash të portës dhe e mbërtheu paniku. E pyeti:

-Kush je ti dhe ç’e mirë të solli natën në manastir?
-Një nuse e re jam,-tha zëdridhur Andromaka.
-Dua të falem te guri i i shenjtë.
-Jo, jo! kundërshtoi murgu. Nuk të pritej deri nesër?
-Mos më lër ta gdhij jashtë, o njeri i zotit, -foli e prekur ajo dhe nga thellësia e shpirtit nxori një psherëtimë. 
-Ik! Ik andej nga ke ardhur! -foli prerë murgu dhe ajo ndjeu çapat e tij në largim. Nusja nisi të qante me dënesë, ënj-ënj-ënj…por fap e mblodhi mendjen, mori një zall dhe i ra portës fort gjashtë herë, me dy kohë: -Tak, tak, tak!Tak, tak, tak!
-Nuk largohem unë pa prekur gjirin te guri i qumështit! Murgut iu drodh trupi dhe ngadalësoi hapat. Qendroi. 
-Po… nuk bën, moj e marruar! Kjo është një përgjegjësi e madhe para zotit. Fjalët përhapen nga era e u ngjiten kot së koti njerëzve pas shpine, e jo më, të futesh natën në manastir.
-Nga halli e kam…Vëre dorën në zemër, o njeri i zotit.
-Shenjtëria e Tij më ka mbajtur gjallë!
-Edhe trasta ime!-bëri lidhjen që matanë portës ajo. 
Murgut, trak i bëri diçka në zemër. 
-Siii…? Siii…? -pyeti kureshtar ai dhe bëri sikur s’e dëgjoi çfarë tha nusja. Ndërkohë, shikoi në të çarën e portës. Para tij u shfaq silueta e një gruaje që kish mbuluar flokët me shami.

-Kam arsye të fortë që erdha vetëm në errësirë,- tha ajo me zë të ultë. I zënë ngushtë, murgu hapi pakëz portën sa nusja u fut brinjaz, i vuri shulin portës, dhe e shoqëroi nusen deri te guri i shenjtë. Sipas zakonit, ajo duhej të mbështeste gjirin te guri i qumështit, të falej dhe të largohej. Si u ul në gjunjë pranë gurit në atë errësirë pus, ku mezi dalloheshin vetëm siluetat e trupave të tyre, ajo i tha murgut me zë lutës:

-Të falem, o njeri i zotit, më ndihmo pak! M’i zbërthe pakëz komçat e bluzës dhe nxirma pakëz gjirin jashtë. Ti e shikon që unë jam invalide. Murgu, i çuditur me çka po i dëgjonin veshët, shkrepi çakmakun dhe ndezi qiririn.”Breee!, breee!” bëri ai, kur pa se nuses i mungonte njëri krah, kurse tjetrin mendoi se duhej ta kishte të thyer. Nusja i lutej mes ngashërimesh: “Të lutem!” Murgu ndërroi mendje. Shtrëngoi nofullat sa i kërcitën dhëmbët, bëri kryqin dhe vetëtimthi me krahët që i dridheshin, ia futi dorën në gjoksin e saj shpuzë dhe iu drodh trupi, sapo mollëzat e gishtave i prekën butësinë e mishtë të nuses së pafajshme, iu ndez dora, gjaku në damarë po ia shkatërronte trupin i përflakur prej ngrohtësisë femërore. Kurrë në jetën e tij s’ishte pushtuar prej emocionesh përvëluese nga prekja e mishit të një femre. Pas pak, iu shfaq para sysh imazhi i Zotit…tundi kokën si i zënë në faj, i bëri zap emocionet, në sekondë ia nxori gjirin jashtë dhe i fryu dorës së vet si të largonte shpuzën përvëluese. -Vazhdo shpejt! Shpejt…!Shpeeejt…! Nusja e re e mbështeti gjirin pas gurit dhe trupi iu ndez flakërimë: ca prej turpit që po mashtronte një njeri tejet të sinqertë, por më tepër prej prekjes së gjirit nga dora e burrit të huaj. “Dora e burrit të huaj të përvëluaka më tepër se e burrit të shtratit” tha ajo me vete. Murgu bëri të stepej, kurse ajo i lutej me zë drithërues që të qëndronte aty afër, se ai duhet ta ruante prej të fiktit që mund t’i binte…Për pak minuta mbretëroi qetësia e ritit të faljes mbi gur. “Eh! qumështi im!”, belbëzoi ajo. Pastaj ajo u ngrit në këmbë:

– Faleminderit shumë! Ta shpërbleftë zoti! -tha nusja me butësinë qetësuese të zërit joshës dhe ia nguli sytë, gati t’i thoshte se aventura e saj ende s’kishte filluar. Ajo i bëri pyetjen befasuese: 
-Po tani?
-Në portë! -u përgjigj prerë murgu, duke i bërë me dorë në drejtim të portës.
-Nuk po ma fut gjirin brenda? -iu lut me ledhatim ajo me trupin që i lëkundej si gjethezë dafine dhe më kot i ishte dukur sikur murgu ishte zbutur. 

-Edhe për këtë po më kërkon ndihmë?-tha i trullosur murgu. Ai s’ tundej nga vendimi i tij, ndonëse nusja kishte një fuqi të madhe joshëse. Andromakës një mendje i punonte që t’i hidhej sipër e ta mbyste me të puthura…, por s’parashikonte dot fundin. Prandaj i qahej e i lutej si të ishte me çrregullim mendor. Ajo mbështeti faqen në kraharorin e tij si e alivanosur dhe në këtë çast ai u çudit se ajo me të dyja duart e saj të lira po e shtrëngonte fort trupin e tij. “I mjeri unë!” psherëtiu murgu teksa ndiente të rrahurat e forta të zemrës së saj. E ndodhur para një njeriu trung, pa ndjenja, që s’lëshonte pe, nusja s’kishte kohë për të humbur, u ul në gjunjë gati t’i puthte këmbët, ngriti fytyrën sipër, e penduar, me duart në gjunjët e tij dhe iu rrëfye me përgjërim,duke qarë me dënesë.. 

-O njeri i zotit! Më fal se deri tashti unë të kam gënjyer!…U..u..unë…. ! U..u..unë…në të vër-te-të…!Asaj po i mbahej goja…Unë…s’është se s’kam qumësht në gji. Unë në të vërtetë s’kam asnjë fëmijë. Unë kam nevojë për një fëmijë. Unë po digjem për një fëmijë. Unë dua një fëmijë!……dhe iu shfaq parasysh jeta bashkëshortore 10 vjeçare…ec e jaket dhe lutjet në faltoret më të dëgjuara të vendit, por pa rezultat…Dhe nusja mes ngashërimesh ia fërkonte faqet, e ledhatonte, ia puthte dorën murgut me shtrëngime pas gjoksit të vet, kurse ai ndjeu një rrëkezë të ngrohtë loti t’i rrëshqiste te krahu. Murgu u bë si i xhindosur:

-Çfarë? Çfaaaarë? Para zotit, çfarë marrëzie po më dëgjojnë veshët!? Më paske gënjyer? Ky është mëkat! Si munde ta bësh këtë gjynah?
-Ndryshe ti nuk do të ma hapje portën, o njeri i zotit, -klithi përgjëruar me dorën në zemër ajo, me mendimin se preja po i rrëshqiste nga duart. Por…unë dua një fëmijë, o njeri i besës. Unë po vdes për një fëmijë. Vetëm një bebe dua nga zoti. Një dhe vetëm një. Ky s’është gjynah, por sevap. Guri të bën me qumësht, kurse burri të bën me fëmijë…la të kuptohej qëllimin ajo…

-I betohem deri në varr besnikërisë sate…m’i fut pakëz gjinjtë brenda se po dridhem nga të ftohtit. Dhe ajo, ënj… ënj…ënj…,s’pushonte së qari. Murgu po çuditej me vendosmërinë e kësaj gruaje që i qante shpirti me dënesë prej mungesës së lindjes. “Prandaj kjo e paska gurë të fortë gjirin”, mërmëriti ai. Sytë e saj po kullonin nga lotët, po ku shikonte ai në errësirë. Atëhere nusja kuptoi se s’kishte kohë për të humbur, vendosi të nxiste më tej elektrizimin… i mblodhi fuqitë, ia kapi atij të dyja duart me të sajat, ia tërhoqi e ia futi mes gjinjve dhe ia shtrëngonte fort…fort…mes ngashërimeve me qëllim që tjetri të dehej mendsh prej të nxehtit të mishit të saj dhe u çmend nga gëzimi, kur ndjeu mollëzat e gishtërinjve të tij që po lëviznin gudulisshëm poshtë hireve të saj… po e shtrëngonte nusen e re fort…pas trupit, pastaj ai e rrëshqiti dorën edhe pakëz më poshtë, i preku thithkën paksa të gjatë me mollëzat e gishtave…iu mbush pëllëmba, ndjeu gjakun që i lëvizi me shpejtësi marramendëse në damarë, e përshkoi një dalldi çorientuese… si rritje temperature dhe i humbi ekuilibri… iu ngroh pëllëmba…iu dogj krahu, i përvëloi shpatulla, të dyja duart i morën flakë, kraharori iu bë shpuzë, trutë po i zienin në pikë vlimi dhe gjithë trupi i mori zjarr e flakë… Tani, ishte ai që po fliste në marrje goje, si i lëkundur, e po tretej notuar mes mendimeve të dyzuara…të turbullta… Ajo tani sa s’po fluturonte. Errësira e mbushte me fuqi e i jepte guxim. E kuptoi se atij iu ngjallën ndjenjat…dhe si e dehur prej dëshirës seksuale, mbështeti faqen në faqen e tij, ndjeu frymëmarrjen e tij tërë ankth, ia qarkoi duart rreth qafës, u ngrit majë gishtave, ia afroi gjoksin sa hiret… prekën te buzët e tij. Tani, ai i nënshtruar prej mëkatit, shijoi kripën dehëse të thithkës…e pa vetëdije vuri organin e shijes në lëvizje qarkore frenetike… e kishte përfshirë në thellësi gjoksin…dhe dëgjonte zërin e mekur të saj: “edhe tjetrën…edhe tjetrën!…” kurse ajo ndjeu se po njomej… Të dy i gllabëroi humnera…atij i doli vetja jashtë kontrollit dhe arsyeja u dorëzua përpara emocioneve… Po përjetonte çaste magjike ardhur pas një kthese shpirtërore. Ngriti kokën teksa lëvizi një gjethez dafine… e puthi nusen prapë me vrull të ri në buzë, në gushë, në gjoks…një herë, dy herë, tre herë… dhe u ndje i dehur e pa orientim…sikur yjtë të kishin ndaluar lëvizjen…Si në një vals lumturie, me dorën e tij pas shpatullave, trupi i saj u përkul lehtësisht paksa brinjash si një pendëz në fluturim…gërshetat i prekën tokën, sytë i kapën lart në qiell një shkëputje meteori…dhe bari i njomë po digjej flakë prej temperaturës së lartë të trupave të paqtë që jetonin dëshirën e shpenguar….Atij i qe zgjuar pjesa më e fshehur e brendësisë së vet…dhe e përfshiu nusen me një vrull të ri të papërmbajtur… Tani nusja u bind plotësisht dhe ndjeu se vërtet murgu i ri, nga egërsirë, ishte bërë njeri i gjallë… i zbutur…i dorëzuar pas linjave të saj trupore…në lëvizje duarsh përfundi…dhe përjetoi magjinë e një rrufeje shkarkuese si vetëtimë që ia përshkoi fundtrupin vrullshëm tejpërtej… 

-“Më mjerooove! Më mjerooove! Më mjeroveeeeee! dëgjonte rënkimin zhvirgjërues të murgut nusja e re dhe e zhytur thellë në kënaqësinë shpirtërore vetjake e shtrëngonte murgun me të katër gjymtyrët pas trupit gjithë afsh e zjarr të saj…dhe ndjente përfundi ëmbëlsinë e një goditjeje magjike të shfrenuar në djegie zjarrmie… shtyrë prej një tjetër dashurie… më të madhe se çdo dashuri,…asaj për vazhdimësi…! 
Sigal