Suplementi Pena Shqiptare/ Kozma Gjini: “Ajo që nuk u shua kurrë”

803
Sigal

Gjimnazistja Ela Jani, me një libër ndryshe      

… Ela Jani është një zë i ri në letërsi. Është një zë ndryshe edhe pse ka një moshë fare të re. Besoj dhe shpresoj që e ardhmja e saj në tapetin e krijimtarisë letrare të ngjizet me vepra të frymëzuara dhe të guximshme. Ela është nxënëse  e gjimnazit “18 Tetori” Lushnjë. Është marrë me krijimtari që në adoleshencë. Krijimet e para: “Mbresë nga pushimet verore”, “Përkëdhelja ma zbut shpirtin”etj, i ka botuar në revistën “Grupsat”. Ka fituar çmimin e parë  për librin “We are who we are till the end”, në zhanrin fiction.

“Ajo që nuk u shua kurrë” është libri i parë i Elës. Subjekti pararinor, jeta, mësimet, pushimet, miqësia, shoqëria, koha e lirë, xhelozia dhe dashuria, janë ide që trajtohen nga një këndvështrim i ri, sipas mënyrës së vajzës, e thënë  ndryshe. Konfliktet bëhen të besueshme dhe trajtohen në mënyrë të tillë që e mbajnë peng lexuesin,  duke e motivuar atë që të zhbiroj drejt zbulimit të enigmës, fatit të heroinës dhe fundit të librit, që është edhe finalja e kënaqësisë estetike për lexuesin.

Linja e dashurisë, e tradhtisë, e shoqërisë, miqësisë, zënkat, urrejtja dhe falja janë skenarë të ngritur në art dhe të ngjallin emocione. Në qendër të subjektit është një vajzë me emrin Kejt e cila me ulje-ngritjet e personalitetit të saj, është pasqyrë e atmosferës që zotëron në shoqërinë tonë, ende në udhëkryq. Si çdo vajzë e moshës së vet, “si një fiksim imagjinar”, ajo simpatizon një djalë, fle në ëndrra dhe dialogon me veten për të ardhmen e saj. Ajo është tejet e sinqertë, e brishtë, me etikë dhe zhgënjehet nga realiteti, por që mban përbrenda vetes një rezervë shpirtërore për ta përdorur në momentin e duhur. Libri i Elës të  krijon përfytyrimin e një vajze simbol i mbijetesës.

Ajo që përbën risinë në librin e saj është se autorja trajton subjektin e avancuar të një rinie me ëndrra e të ardhme pa kufij, me një rini ndryshe,me jetë të lirë e të pavarur, me shoqëri e marrëdhënie të ndryshme racash, me personazhe të bardhë e të zinj, të ndryshëm në ide, të çlirët dhe në sekse me formim e interesa të ndryshme. Vajza ka trajtuar një subjekt sa jetësor dhe abstrakt e të vështirë, por ia ka arritur qëllimit. Gjithçka e ka stisje dhe jo përjetim. Ela, duket se ka një pasuri leksikore dhe informacion të tillë që na jep ligjërata që nxisin rrjedhshmëri dhe lexim të mëtejshëm.

Kjo tregon se ajo është një lexuese e rregullt e librit artistik. Dhuntinë krijuese ajo ua dedikon prindërve të saj, dr.Drianit e mësuese Enkeledës që i kanë futur dashurinë për librin që në moshë të vogël. Ka një imagjinatë ku përfytyrimi dhe realiteti ndërthuren bukur për të bërë befasinë letrare. Mbi të gjitha ka vullnetin, fantazinë dhe zotëron një leksik të pasur. Subjekti ndërthuret me ngjarje e fakte nga jeta e adoleshencës që erdhën bashkë me një shoqëri stresante, por që gjen rrugëzgjidhje e del nga udhëkryqi. Bullizmin askush nuk e pranon. Forca më e madhe për të bërë ndryshimin gjendet brenda nesh. Kjo përbën shtyllën e ndërthurjes së subjektit. Antigoni është një autore që i mëshon psikologjisë, ndjenjave, përceptimeve shqisore dhe marrëdhënieve të botës së brendshme rinore, çka përbën dhe aspektin hermetik të logjikës në krijimtarinë së saj.

Libri merr vlera të spikatura artistike edhe për faktin se në të pleksen artistikisht gjendjet psikologjike, e mira dhe e liga, dhimbja dhe revolta, depresioni dhe shpresa, përpjekjet për të dalë përmbi stresin e ditës. Këto përbëjnë unitetin e brishtë po aq edhe tërheqës të mbijetesës dhe bukurisë së artit të autores. Është një sprovë për të dalë me guxim jashtë natyrës dhe vetes, por e çliruar prej prangave klishe dhe i trajtuar ndryshe. Fundja, letërsia u përket letrarëve. Libri është një simbol, i luftës së të kundërtave brenda vetes që përcjell mesazhin se forca e brendshme është ajo që shemb tërë urat keqdashëse.     Emancipimi femëror është në esencë shqetësimi i moshës së rinisë dhe jo vetëm. Autorja e çon heroinën deri në buzë të greminës, por e ngarkon me kurajë për të përballuar rastin dhe me logjikë të ftohtë nxjerr arsyen përmbi emocionet. Miqësia e Kejt me Andrean, Sarën, Kristin etj., janë plotësuese të ideve, por boshtin e qëndresës e bën vet personazhi kryesor. Ky është më tepër një libër psikologjik që synon subjektin e luhatjeve të ndjenjave të moshës, stisur me ngjarje e episode të adoleshencës. Antigoni (Ela), e përshkruan bukur gjendjen shpirtërore të heroinës. Ajo e konsideron të shenjtë familjen dhe vendimin për shokun e jetës e merr pasi e ka studiuar mirë dhe ka kaluar përmes provash. Me një vështrim përqasjeje, të krijohet ideja sikur subjekti përligj mesazhin e Buscaglia-s “Të jetosh duke dashuruar veten dhe të tjerët, përfaqëson sfidën më të madhe, aventurën më ngazëlluese dhe krijuese të ekzistencës”.  Proza e saj është një apoteozë ndaj të ashtuquajturës “kohë moderne”, protestë kundër bullizmit e pabarazisë shoqërore ndërplanetare dhe këtë shoqëri në “depresion”  nuk mund ta shërojë  askush, përveçse vetvetja. Shoqëria jonë është ende larg realiteteve të romanit dhe këtu qëndron përparësia e trajtimit  ndryshe.

     Pra libri, vet Kejtlina, është metafora e  vajzës shqiptare në këtë katrahurë dhimbjeje, mbijetese e shprese, që përplaset me jetën kontraverse, metafora e Shqipërisë në udhëkryq e cila në këto vite ka synuar oksigjenin e dëshiruar evropian, përmes ulje-ngritjeve, sakrificave dhe rebelimeve për dritë, barazi e drejtësi.  Autorja u jep një mësim jo vetëm moshatarëve, por dhe lexuesit të rritur, se vetëm institucioni i faljes e qetëson shpirtin njerëzor. Fal dhe ndien qetësinë shpirtërore.

Autorja e pasionuar pas prozës, ditën e përurimit të librit, u shpreh:

“…. E kam thënë se “pa errësirën”, nuk do ta shikonim dot kurrë shpirtin tonë të shndriste kaq fort. Prej këtyre rrezeve buron  shkëlqimi i vlerave tona. ..Ne ndiejmë kaq shumë emocione dhe tek e fundit kjo na bënë më njerëzor. Pavarësisht se sa shumë të lënduar jemi, se sa shumë të braktisur ndihemi në vetvete, ose e konsiderojmë veten të tillë, asnjëherë nuk duhet të braktisim vlerat tona, atë që ne jemi. Ne do të jemi përherë mirë, pas tërë asaj errësire dhe dallgëve që duhen kapërcyer. Lumturia na jep krahë, por është dhimbja ajo që na mëson të fluturojmë.”