Suplementi Pena Shqiptare/ Kozeta Mamaqi: “Zambaku i egër”

1141
Kishte pesë vite që jetonte në atë qytezë, në jug të vendit. E kishin internuar për motive politike, mbas arrestimit të të atit. Punonte në fermë, në brigadën foragjere. Mbas punës së lodhshme, e kishte bërë zakon të mblidhte lule të egra për t’ia çuar mamasë dhe gjyshes. Lule, kur ato kishin kohën, apo dhe kaçka, kur ishte dimër, qe t’ua ngrohte shpirtin atyre dy grave që e prisnin me përkushtim çdo ditë, me kazanin e ujit gati për banjën apo pjatën e ngrohtë të drekës, që zakonisht kryhej në pragdarke.Në kasollen e brigadës foragjere, atë mëngjes, si përherë, bëhej apeli. Brigadieri caktonte njerëzit në punët e ditës, dikush te kavaletat e kashtës, të tjerë te gropa e silazhit për përgatitjen e ushqimit të kafshëve, të tjerë në prashitje të lakrës apo diku tjetër…Secili priste të dëgjonte emrin. Nalon, një mesogrua dhe atë, të internuarën, i caktuan në grumbullimin e jonxhës. Xha Todi do të punonte me to në korrje. Ishte një burrë i gjatë, i drejtë, i hollë, me flokë të rrallë, mbi të cilët mbante përherë një kasketë doku bojëqielli, të dalëboje. Edhe kostumi i dokut, që mbante veshur, ishte gjithashtu i kaltër e gati i zbardhur nga të larët e shumtë. Sytë i kishte gati transparent, aq të kaltër ishin. Ishte ndër të paktët burra të brigadës, por nga më të fuqishmit e që bënte punë nga më të specializuarat e më të rrëndat gjithashtu. Kishte pesë fëmijë dhe një grua të butë, që punonte po në fermë, por në një brigadë tjetër. Sa vjeç mund të ishte? E kush e dinte ? Që kur kishte filluar punë atje, e internuara kish dëgjuar që e thërrisnin ashtu, xha Todi, por përderisa nuk kishte dalë në pension, do të thoshte se nuk ishte dhe aq i vjetër. Grave e burrave, në atë qytezë nuk u vije dot moshë. Ata dukeshin të rënë e të plakur që të rinj, ndofta nga hallet e fukarallëku, nga punët e rënda që kryenin, në minierë apo fermë, mes diellit e shiut, erës e breshërit. Iu ashpërsohej fytyra e rrudhat u shtoheshin para kohe. Vetëm këto dy fronte pune ishin. Xha Todi mori rrugën për nga lumi, ku ishte parcela që do të korrte. Nalua dhe e internuara ecnin pas tij. Xha Todi mbante në sup kosën e gjatë e në dorën tjetër shtrëngonte trastën e bukës. Gratë kishin hedhur krahut, secila cfurkun e vet. Trastat e bukës i kishin varur mbi bishtin e veglës. Ecnin pas kosraxhiut, që kishte hap të madh e të drejtë. Nalua, një grua me mise të bukura, por që nuk i binin në sy nga rrudhat e parakohshme, prej nature, ishte grua që kishte muhabet. Rrugës, ajo molloiste për hallet e saj, për ekonominë e dobët që kishin, për çupat që rriteshin e donin të hanin. E kishte pishman që kishte katër vajza e s’kishte mundur të bënte dot një djalë. Burri i punonte në minierë e paguhej më mirë se ferma, por prapë, hë-hë, thoshte ajo…Ndërsa e internuara vetëm dëgjonte, madje nuk donte as t’i dëgjonte ato ankesa. Kishte frikë edhe t’i dëgjonte…Xha Todi nuk e hapi gojën fare gjersa arritën në parcelën e jonxhës. Në përgjithësi ishte natyrë e heshtur, por, me të internuarit, njerëzit atje bëheshin edhe më të heshtur. Në atë qytezë kishte shumë të internuar e vendasit ishin mësuar me ta. Kishin porosi të mos shoqëroheshin, ndërsa në vendet e punës ata do të ishin si gjithë të tjerët e do të punonin së bashku. E internuara e dinte, ndaj edhe ishte mësuar që, më shumë të dëgjonte.Kur arritën në vendin e punës, të tre vendosën trastat në krye të parcelës e po bëheshin gati për të filluar. Xha Todi, i shkoi vetëm një gur tehut të kossës dhe zbriti te jonxha. Me këmbët pak të hapura, gati pa u përkulur, filloi t’i binte bimës sa i hante krahu. Dëgjohej vetëm zhurma e tehut të mprehtë. Jonxha binte duar- duar e linte pas gjurmët e një qylymi jeshil të thellë, ndërsa në krahun tjetër, ku bima pritej, krijohej një si korridor me një të blertë më të çelët. Nalua dhe e internuara, me duart ngulur cfurqeve, ndiqnin pas kositësin, duke e grumbulluar jonxhën në pirgje- pirgje.Në pushimin e drekës, që bëhej në orën dymbëdhjetë, xha Todi la punën e mori drejtimin nga kreu i parcelës, te bankina. Gratë vijuan të mblidhnin jonxhën. Më pas, edhe ato vajtën e u ulën pranë tij. Ato i përzien bukët e gjellët që kishin marrë me vete, ndërsa xha Todi kish nxjerrë prej trastës bukën e tij të përditshme, që e shoqëronte me kos të holluar me ujë. Veç bukë me dhallë. Asgjë tjetër. Sa keq, mendonte e internuara… gjithë atë punë që bën e i duhet ta mbajë shpirtin veç me dhallë. Prindërit bënin sakrifica, që fëmijët të ushqeheshin më mirë se ta. Po kështu bënte edhe xha Todi. Ai e mbaroi bukën më parë se gratë. Mori çekiçin e kudhrën e filloi t’i binte tehut të kosës.

– O burra !- tha më pas, kemi punë për të bërë. Kaq ishte gjithë e folura e atij burri hijerëndë. Nalua dhe e internuara u çuan pas tij, duke e ndjekur për të mbledhur pirgje-pirgje jonxhën, që binte përtokë nga krahu i fuqishëm i xha Todit. Punonin të tre. Pa folur. Në heshtje. Dëgjohej veç fishkëllima e kosës, që binte pa mëshirë mbi kërcejt e jonxhës dhe cfurqet, që kruanin tokën për ta mbledhur bimën e njomë. Kishte mbetur edhe pak pa korrur ende nga parcela tre dynymshe me jonxhë e grupi vijonte të punonte në heshtje. Një çast, xha Todi e la kosën, u përkul përpara e diç kërkoi në një dorë jonxhe që porsa e kish rrëzuar përdhe. Kur u drejtua, mbante në dorë një zambak të egër ngjyrë vjollce, shumë të bukur. U kthye nga gratë dhe iu drejtua të internuarës me emër: 

– Merre këtë lule! E di që të pëlqejnë. E internuara u çel e gjitha në fytyrë. Iu afrua xha Todit. Mori lulen që i zgjati ai. E falënderoi. Nuk priti që ai t’i kthente përgjigjen e falënderimit e, aq më pak, ndonjë buzëqeshje. Ai ishte i tillë, në dukje, gati i gurtë. E internuara e çoi me vrap lulen pranë trastës së saj dhe u kthye te jonxha, për ta mbledhur edhe atë pjesë që u kishte mbetur. Nuk ndjehej më e lodhur. Ishte aq e gëzuar që kishte marrë atë zambak të egër. Kuptoi që brenda atij “shkëmbi”, që rrëzonte me forcën e krahut jonxhën e njomë, por me kërcell të sertë, ishte një zemër e butë, e ndjeshme, që në këtë rast s’konsideroi as luftën e klasave (asaj i ishte bërë zakon që ta shihte veten në raport me këtë parametër të shpifur).Mbaruan punën e që të tre morën rrugën e kthimit, secili në drejtimin e vet. E internuara kthehej në shtëpi me lulen e bukur në dorë. Ajo, gati përherë e mbushte dorën me një tufë me lule mali, lule fushe, të bukura si ato. Por, si ky zambak s’kishte gjetur kurrë. Vërtet lule e rrallë, aq e bukur dhe në të njëjtën kohë e komplikuar në ndërtim, me petale me forma të ndryshme, me një kombinim ngjyrash, të vjollcës së thellë, vjollcës së çelët, të së verdhës e të jeshiles së hapur. Zambaku i magjishëm ia kishte shkundur lodhjen. Ajo po kthehej më e lehtë nga puna. Mendoi një çast, duke vënë buzën në gaz :- A i kishte dhuruar ndonjëherë në jetën e vet, xha Todi, ndonjë lule gruas së tij, Angjelinës? Kjo i dukej disi e pamundur ta besonte.
Pëllumb Çuni

Si arma bosh
Si arma bosh,
Më mbetën disa vite,
Ku tremb veten time, 
Dhe fytyrat e miqve.
Si arma bosh,
Jeta varur në krah.
Në cilën betejë,
I zbraza fishekët?
Si arma bosh,
U shkreha në jetë.
Plagosa veten time,
Nuk qe plagosje e lehtë!
Në kalin e malit
U shkëputa nga eshtrat
E tymta të qytetit.
Dhe hipa në kalin e malit.
Restorant lulesh
A farmaci, më je mali im.
Tretesh për shëndetin tim.
Unë tretem për vetminë,
Që e përtyp vetëm, mali im.
Nuk të mbaj dot mbi shpinë
E të sjell në qytet, mali im.
Qyteti do të bëhej më madhështor.
Më pak i egër e më miqësor.
Sigal