Suplementi Pena Shqiptare/ Kostandin Dhamo: Duke shkuar te Lasgushi

755
Vdiq Lasgushi dhe, ne u nisëm drejt tij ! Por sa shpengueshëm e kaloja nëpër mend, apo edhe e shqiptoja fjalën e zezë vdekje! Siç duket, në rastin e Lasgushit,ajo nuk ta shkaktonte atë dhembjen e thellë ligështuese…Me një fytyrë tërë rreshta rrudhash të pafundme, alfabeti mistik, me të cilin incizohet mençuria,dhe,me sytë të mbetur përgjithmonë të kaltër,të kaltër, mu si ai qielli kur zbulohet befas sensualisht mes shirash të shkëndijshëm,poeti më shfaqej përpara jo i vagullt, por besueshmërisht i lëndët dhe i cekshëm, me dorën e ngritur lart për një përshëndetje lamtumire dhe, me ca xixëllima thuajse elektrike të një nënqeshjeje ndër buzët e pjerrësuara, nënqeshje që nuk iu shua kurrë, me të cilën, gjithë sarkazëm, gjithë mahi, por edhe gjithë përkujdesje e merak, dukej sikur porosiste : dashuroni, dashuroni në çdo çast të jetës, përndryshe, si mund të rrohet pa këtë shqetësim të ëmbël…

Po shkonim te Lasgushi
Të heshtur dhe të menduar.
Përgjatë Shkumbinit, në krah të të cilit shtillej rruga që po përshkonim, rrëzëllinte vjeshta me një dritë të praruar, të qetë dhe të përmbajtur si dekor ceremonish funebre, teksa era e herëpashershme,plot ahte dhe ngashërime, dikonte mbi rrufullat e ujërave të fryrë, gjethet, gjethet e krahasimeve të pambarueshëm të poetëve…
Të heshtur e të menduar
Po shkonim te Lasgushi
Lajtmotivi i gjetheve që binin 
Ngado regëtinte…
Atje,në Pogradec, buzë liqenit prej loti, apo majë degëve rënkuese të mështeknave të shkundura nuk do t’i gjenim më lejlekët dhe zogjtë e tjerë shtegtarë; ata sigurisht që mungonin tashmë dhe, nuk do t’i shihnim, ashtu siç nuk sheh edhe atë dashnoren e zëmëruar që nuk del më në takim…
Po shkonim te Lasgushi
Të heshtur e të menduar
Por gjer ku do ta ndiqnim ?
Pas varrimit, me t’u deklamuar shtërgu i fundit,që është kthyer në një de profundis i vërtetë shqiptar, aq më tepër ngaqë lutjet e mirëfillta të teksteve të shenjta, as që guxonte t’i zinte ende njeri me gojë, edhe pse vetë diktatori i pafe, tashmë ka më se dy vite e gjysmë që ka vdekur, do të lëshohesha i vetëm nëpër Pogradec, i cili, më të perënduar tretet e bëhet flu, si i pasqyruar n’ujë, kurse hëna farfuritëse pas kallamishteve frushulluese, është si ai syri i bukur ëndërrimtar pas leshrave të shpupuritura… 
Do të lëshohesha, do të lëshohesha, nëpër Pogradec ! Ah, çfarë do të thotë për një qytet të ketë një poet ! Një poet të madh lirik që të përjetëson po aq sa edhe veten e tij !
Do të veja patjetër edhe te kopshtet me mollë, kopshtet me aromën e nostalgjisë për Pogradecin. Ato do t’i mveshë së shpejti krahneza fine e brymës dhe më pas edhe krahneza lëbyrëse e dëborës dhe, atëherë do të kthehen në kopshte me dritë të kristaltë përralle…
Po shkonim te Lasgushi
Të heshtur dhe të menduar 
Dhe ishte vjeshtë
Po ç’mund të ishte tjetër ?
Lasgushi njihte veçse kalendarin e stinëve, ndërrimin e të cilave gati – gati e përgjonte si shumica e poetëve dhe, për rrjedhojë, e ndjente i pari, duke u prekur dhe duke u gëzuar hareshëm si fëmijë nga shfletimi magjik i peizazheve …
Dhe,kur ishte verë, jetonte verën, i përfshirë nga afshet erotike trillet dhe dalldia dhe, kur ishte pranverë,jetonte pranverën dhe, ashtu i ndezulluar, i hajthëm dhe gjithë vesk, si lastar i lëngëzuar, nxitonte të shihte bajamet e çelura dhe zogjtë e kthyer sakaq,që kishin nisur këngët e dashurisë majë pemëve apo arave që avullonin …
Dhe, kur ishte vjeshtë ; ah, kur ishte vjeshtë …
Një herë të vetme u shtir dhe pozoi Lasgushi dhe, dështoi shëmtueshëm me një farë vjershe që u stërmundua ta stiste, kinse për sukseset e mëdha të socializmit. Dështoi, por u tërhoq pas me vendosmëri dhe nuk u mëdysh më deri dhe sot e kësaj dite që mbylli sytë…
Dhe as që deshi t’ia dijë për planet pesëvjeçarë të zhvillimit, bllokadën e egër imperialisto – revizioniste, dekoratat, fletërrufetë,konkurset letrare, plenumet, kolektivizimin e bujqësisë …
Çfarë proteste !Në heshtje dhe me shmangie. Pa ballafaqime dhe përplasje, pa proklamatë dhe sherre, pa akuza të ndërsjella dhe, pa promemorie.
I vetmi institucion, që me sa dukej, njihte dhe pranonte Lasgushi, ishte Liqeni i Poezisë, të cilin e bëri ai të tillë,prandaj ndanë tij prehej dhe falej, frymëzohej dhe ndjente amshim…
Po shkonim te Lasgushi 
Të heshtur dhe të menduar 
Asonanca e psherëtimave të gjetheve
Me shkrehjen e ujërave
S’na ndahej e s’na ndahej
Por gjer ku do ta ndiqnim 
Poetin ?
11 Nëntor 1987 

Lasgush Poradeci
Dremit liqeri
Mi zall të pyllit vjeshtarak
Dremit liqeri pa kufi,
Ai ndaj fundesh u përflak
Posi me zjarr e me flori.
Posi me flakë-u ndez e kroj,
E vetëtiti plot magji,
E yll` i ditës perëndoj
Në qetësi dhe dashuri.
Tashti po shuhet nënë mal
Qytet`i ngrysur në të zi,
Po ndizen yjtë dal-nga-dal
Plot bukuri!Plot fshehtësi!
Në këtë ças perëndimor,
Ndaj po më dehen sytë-.e mi,
Kuptoj si shpirtin vjershëtor
Ma frymëzon një mall i ri.

MALLI
Syri-i bukur që t’u mvrenjt –
Syri yt që më lëndon
Do më lërë-a von a shpejt,
Do më lërë-a shpejt a von.
Sapo shpirti m’u dëlir –
Shpirti im i nxirë krejt –
Do më lërë me pahir
Syri-i bukur që t’u mvrenjt.
E do mbetem përnjëmend
Varfanjak si mbret pa fron:
Mbreteresha që më çmend
Do më lërë-a shpejt a von.
Do më lërë-a von a shpejt,
Do më lërë-a shpejt a von,
Syri i bukur që t’u mvrenjt –
Syri yt që më lëndon.
Do më lerë…A! po si –
Qoftë-ahere-ose tani –
Do të qaj aq dashuri
Që të humb me mall të ti?
Sigal