Suplementi Pena Shqiptare/ Kosta Nake: E sotmja me gjithë lakuriqësinë dhe egërsinë e vet

513
(Romani “Ikje prej vetes” i Kristaq Turtullit)

Të pasqyrosh realitetin e ditës është një ndërmarrje e guximshme sepse lexuesi mund të ketë informacion dhe pozicionim të ndryshëm për të njëjtën ngjarje siç po ndodh rëndom. Shkrimtari Kristaq Turtulli ka zgjedhur fatin e instrumentistit Blerim Muzaka për ta bërë shprehës të goditjes që mori kultura dhe arti në këtë xhungël të mbërthyer nga ethet e pasurimit të shpejtë nëpërmjet rrugëve të shkurtra të drogës e prostitucionit dhe korrupsionit. Teksa artistët shembin urat e komunikimit mes tyre, krimi, mishëruar nga Çimi dhe Dako Damllaja, organizohet më shpejt dhe krijon metronë e vet të pushtetit. Fati i familjes së Matjusë, edhe pse është i veçantë si shenjat e gishtave të dorës, ka marrë po ato goditje në direkun e vet, si gjithë të tjerat, dhe e ka të vështirë t’u bëjë ballë tallazeve ekonomike dhe morale. Familja tradicionale humb imunitetin e vet, korja e saj mbrojtëse merr goditje të forta që arrijnë deri në zgjedhjen e rrugëve të ndryshme, madje të kundërta edhe brenda anëtarëve të saj. Kompozimi Matju – Flora e ka të parashkruar shpërbërjen e vet, por, më shumë se kaq, kjo shpërbërje është e dhunshme dyfish: Çimi e godet për vdekje vëllain e vet të thjeshtër, njerka e dëbon Blerimin natën duke e hedhur në rrugë, edhe pse është me një fëmijë të mitur. Ngjarjet në vepër fillojnë në një çast kulmor, pikërisht pasi Blerimi i ka pësuar të dyja goditjet e lartpërmendura dhe ato janë kaq mizore sa e ridimensionojnë botën shpirtërore të tij. Fantazma e princit të pianos, Mina Skënderit, i cili pati marrë po ashtu goditje fatale, bëhet bashkudhëtare në refleksionet që lidhen me marrëdhëniet ndërnjerëzore, ajo krijon në roman një realitet paralel dhe kthehet në parapëlqim për autorin edhe në vepra të tjera të tij. Nganjëherë shfaqet edhe imazhi i nënës Marikë për të theksuar kontrastin me figurën hipernegative të Florës. Pavarësisht nga linja kryesore e veprës, autori shfrytëzon çdo mundësi të shtrirjes së saj skenike për ta veshur me linja të tjera pjesore që i kontribuojnë krijimit të imazhit të plotë të shoqërisë shqiptare në tranzicion dhe të sjellë një galeri karakteresh, si figurat komplementare të mediokrit Ardit Lakuriqi dhe dirigjentit Roland Kaçurreli, Megi dhe Albana, Pilo Doraci dhe kopraci Baçi Masuri, Bali Hundëzorra dhe Maqo Spaho, Zenua i Elenës dhe dallaveraxhiu Mentor Samarxhiu, polici Lapi Binaja dhe banakieri Mandi Surxhi, arkitekti Mili Shëmitri si simbol i hershëm i goditjes të diktaturës ndaj vlerave. Romani është i mbushur me skena të zymta, me gjendje të rënda shpirtërore. Kur kemi dëgjuar nga foltorja e parlamentit fjalorin më të paimagjinueshëm, nuk ka si të mos e gjejmë këtë edhe në gojën e disa karaktereve që i përkasin saktësisht kësaj kohe. E vetmja dritë mbi këtë muzg është skena e fundit e librit kur Blerimi merr flautin, ia largon pluhurin dhe luan magjishëm si për të thënë se arti nuk mund të vdesë, ai ka qenë dhe mbetet ushqim i pazëvendësueshëm për shpirtin. Krahas Blerimit, figura tjetër më e plotë dhe më e realizuar është ajo e njerkës Flora që kthehet në një ilustrim ideoartistik, një nga argumentet për rrënjët e dramës së shumë familjeve shqiptare.“Ikje prej vetes” është një ngrehinë komplekse si vetë tranzicioni ynë i pafund, një libër ku fjala ka një peshë të rëndë dhe të detyron t’i rikthehesh për një shqyrtim më të kujdesshëm, një bashkësi gjuhësore e ashpër si mishërim artistik i realitetit me konflikte të egra në një shoqëri të shfytyruar nga mungesa e idealeve dhe makutëria për pushtet, pasuri dhe seks. 
Sigal