Suplementi Pena Shqiptare/ Klodeta Dibra: Nata në ishull

470
Sigal

Gjithë natën fjeta me ty
ndanë detit, në ishull.
Ishe e brishtë (e egër) dhe e ëmbël
mes kënaqësisë dhe gjumit,
mes zjarrit dhe ujit.
Ndoshta tepër vonë
ëndrrat tona u ngjizën
në lartësim a në thellësi,
lart si degët që i shkund e njëjta erë,
poshtë si rrënjët e kuqe që ndërkallen.
Ndoshta ëndrra jote
u shkëput prej times
dhe në detin pa hënë
më kërkonte,
si më parë,
kur ende nuk ekzistoje,
kur pa të vënë re
lundrova bri teje
dhe sytë e tu kërkonin
atë çka tani
-bukë, verë, dashuri e zemëratë-
të dhuroj me të dyja duart,
sepse ti je kupa
që priste dhuratat e jetës time.
Fjeta me ty
gjithë natën, ndërsa
toka e errët rrotullohet
me të gjallët e të vdekurit,
dhe duke u zgjuar papandehur
midis hijes
krahu im mbërthente belin tënd.
As nata e as gjumi
mundën të na ndanin.
Fjeta me ty
dhe tek hapa sytë
goja jote e sapo zgjuar
më dhuroi erëmimin e tokës,
e ujit të detit, e algave,
e thellësisë së jetës tënde,
e mora puthjen e buzëve të tua
njomur prej agut mëngjesor,
sikur ajo të vinte
prej detit që na rrokte.

(Pablo Neruda, shqipëroi K.D.)