Suplementi Pena Shqiptare/ Klodeta Dibra: “Kjo është për ty”

506
Sigal

Kur dashuria sublime përjetësohet pavdekësisht

Poezi e Leonard Cohen-it, shqipëruar nga KLODETA DIBRA

Kjo është për ty,
është e gjithë zemra ime
është libri që do të t’kisha lexuar
kur t’mplakeshim.
Ti je gruaja
që m’bëri t’lumtur.
T’kam parë duke kundruar hënën,
e nuk ngurrove
të m’dashuroje bashkë me të.
T’kam parë duke sajdisur aktiniet
mbledhur midis shkëmbinjve,
m’dashurove bashkë me to.
Mbi rërën e lëmuar,
mes papërdhokëve dhe plazhit
m’bujte në një rreth
edhe më mirë seç bujtet një mik.
Gjithçka ndodhi
n’vërtetësinë e kohës
n’vërtetësinë e mishit.
T’kam parë me një fëmijë,
më shpure tek erëmimi
dhe përfytyrimet e tij
pa m’kërkuar gjak,
mbi shumë tryeza prej druri
t’stolisura me ushqim e qirinj,
mijra betime
solle n’shportën tënde.
Takova trupin tim,
takova lindjen time
deri sa u ktheva vocërrak
dhe i frikësuar mjaftueshëm
për t’lindur sërish.
T’desha për bukurinë tënde
M’dhurove më shumë se veten.
Ti e ndave bukurinë tënde,
është gjithçka kuptova këtë natë
ndërsa kujtoj pasqyrat
prej nga ku je zhdukur,
pasi u dhurove atyre
atë çka ato t’lypnin
për njohjen time.
Tanimë jam veç një hije,
po digjem
për t’mbërritur në cakun e fundmë të shtegtimit tim
dhe shkoj përpara
me energjinë e lutjes tënde
dhe shkoj përpara
n’drejtim t’lutjes tënde,
sepse ti je përgjunjur
si tufë lulesh
në një shpellë kockash
mbrapa ballit tim
dhe lëviz në drejtim të dashurisë
që ëndërrove për mua.
(Leonard Cohen, Kjo është për ty, shqip k.d.)