Suplementi Pena Shqiptare/ Kleo Lati: Nxito për të jetuar, jo për të vdekur

586
Sigal

Nxito për të jetuar, jo për të vdekur

Kleo Lati

Jeto me perspektivën e jetës, jo me atë të vdekjes. Nxito që të ringrihesh, jo që të biesh përsëri në batakun ku re një herë dhe ku në vend të zërave dhe melodive të bukura dëgjove zhurma, zëra të shëmtuar dhe kuatje të shëmtuara bretkosash. Të cilat më shumë ngjanin si vajtim për mungesën e jetës së bukur sesa ajo që ti ëndërroje dhe dëshiroje qysh kur ishe një adoleshente: një himn për jetën. Mendoje dhe endërroje diçka të përsosur në jetë, por u ndeshe me papërsosëmërinë. Por pikërisht, se përsosmëria nuk ekziston, kjo të jep mundësinë që të ekzistosh dhe të jetosh. Që të ndryshosh dhe të përmirësohesh. Jeta ta dha këtë mësim të madh, ndaj mos vajto atë përvojë të keqe që jetove, por lufto për të prekur kënaqësinë, suksesin, lumturinë, në jetën që ke përpara! Mos u vërtit brenda errësirës që të krijoi jeta dhe rrethanat e saj, por dil në dritë! Nuk ka një shteg të vetëm, por disa të tillë, që ti të mund dalësh nga kjo errësirë e thellë, e trishtë dhe torturonjëse, por mos prit që këtë shteg të ta tregojë dikush se nga duhet të kalosh, që më në fund t’i shpëtosh errësirës dhe t’i gëzohesh dritës.

Mos prit që dikush të të marrë përdore dhe të të udhëheqë drejt këtij shtegu shpëtimtar për ty. Shpëtimtari yt gjendet vetëm tek ty. Gjendet brenda teje. Askund tjetër. Ndiq rrugën e dritës që është brenda teje, se vetëm kështu mund të gjesh shtegun apo rrugën që të nxjerr në dritën e madhe të botës që është jashtë teje dhe rreth e rrotull teje. Pa këtë dritë të brendshme do të endesh qorrazi nëpër errësirë, pa ditur se ku mund të gjendet shtegu shpëtimtar.