Suplementi Pena Shqiptare/ Kazani, tepsia, grazhdi…dhe të tjera

Fejton nga Gëzim LOKA

-Ti je brenda në kazan, -më tha një miku im, kur iu luta të lexonte një shkrim timin të botuar nga një e përditshme e Tiranës, për një veteran të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Shqeva sytë nga habia dhe nuk kuptova gjë prej gjëje, edhe pse ka disa kohë që dëgjoj fjalimet e një lideri politik që flet ditë e natë për atë që ai e quan “kazani mediatik”. Ore nuk të marrë vesh, po nejse, ta zëmë se unë jam në kazan. Po ai veterani me katër plagë të marra në Luftën e Dytë Botërore dhe që nuk gëzon as pension pleqërie, edhe ai në kazan na qenka? Ai, miku im, është në ballë të kazanit… Si more në ballë të kazanit!? Si ta nxë goja, more! Atë të shkretin e ka mbërthyer paraliza dhe po iu afrohet të nëntëdhjetave…e ti, po kazan të thotë goja, sikur të ka nxjerrë jot ëmë jo nga barku po nga kazani! Kështu hidh e prit u rropatëm për një kohë të gjatë me mikun tim, i cili herë më fuste në kazan, herë më quante ballë kazani e herë, herë me lante, më thante e më rruante me “brisk berberi”. 

-More ku do të dalësh?- e pyeta. -Se për besë nuk po të marrë vesh hiç. 
-E ku tjetër përveçse te kazani? Kur je në kazan je dhe në tepsi, se janë vëlla e motër. 
-Nuk të kuptoj or mik, -ia ktheva, por të gjithë jemi diku: në mos qofshim në kazan a në tepsi, jemi në shportë a në kanistër, gjithësesi e kemi futur kokën diku, në grazhd a në torbë kali, nuk ka dhe aq rëndësi. 

-Ka rëndësi dhe shumë bile. 
-Mos u bëj naiv ose më saktë mos luaj naivin. 
-Pa hë më qafsh, më thuaj, më shpjego më hollësisht, se hiç nuk po të jap dum! 
-E çfarë të lypset të dishë?! 
-Mos i tharto trutë se sëmuresh… Po ja, kjo puna e kazanit, më ka marrë gjumin dhe mentë e kokës!

- Mësoje një herë e mirë: kazani është gjë e madhe…Shija dhe era e kazanit janë të papërsëritshme. Prandaj liderët tanë politikë të gjitha fjalimet i nisin me kazanin dhe i mbarojnë me tepsinë… Sepse bota vërtitet nga kazani tek tepsia, miku im, mësojë një herë e mirë dhe ngule vath në vesh!...