Suplementi Pena Shqiptare/ Katër Abetaret shkollore dhe katrahura me alfabetin e Shqipes

5003
Sigal

Abetaret shkollore janë ndërtuar me 46 shkronja të mëdha shtypi, nga të cilët 9 janë shkronja alternative me një formë të dytë grafike për një tingull, 37 shkronja të vogla shtypi; 72 shkronja të mëdha dhe të vogla dore dizenjuar nga analfabetë funksionalë; 2 shkronja shtypi, që nuk janë në alfabetin standard të shqipes. Rilindësit shpreheshin, se kur nuk ka një alfabet të njësuar nuk ka një komb.

  • Lënda bazë që shërben për të mësuar lexim-shkrimin shqip është alfabeti. Nxënësit e klasës së parë alfabetin e mësojnë në katër tekste alternativë:
  • Abetare + Fletore pune e modeluar, (botim 2004, “Shkronjë pas shkronje”); Abetare + Fletore e modeluar, (botim 2004, “ShBLSH e Re”);
  • Abetare + Fletore Pune, (botim 2011, “Mediaprint” );
  • Abetare + Abetare Pune, (botim 2012, “Pegi+Dukagjini”

 

Cili është alfabeti që mësojnë nxënësit në abetaret shkollore?

  1. Përdorimi në abetare i dy formave grafike të shkronjave dyshe të mëdha shtypi.

Shfletojmë tekstin Abetare + Fletore pune (botim 2004 ,“Shkronjë pas shkronje”). 

Teksti është ndarë në kapituj. Kapitulli i parë emërtuar Paraabetare është një përsëritje e shkronjave të mëdha të shtypit mësuar në arsimin parashkollor. Shkronjat e mëdha dyshe, nxënësi në parashkollor i ka mësuar në formën grafike; DH-GJ-LL-NJ-RR-SH-TH-XH-ZH. Kjo formë grafike mekanikisht është përdorur në 18 faqe të Paraabetares. Edhe shembujt AKULLORJA, MOLLA, PESHKU, RRUSHI, BINJAKËT etj, janë realizuar me formën grafike të mësuar në parashkollor. Njëkohësisht në anësore të çdo faqeje lexojmë edhe alfabetin e gjuhës shqipe realizuar sipas normës standarde; DhGj-Ll– Nj–Rr-Sh-Th-Xh-Zh (foto 1). Nxënësit ballafaqohen për të njëjtën shkronjë me një formë të re grafike të alfabetit, që nuk e kanë mësuar në parashkollor!  Vazhdojmë me kapitullin emërtuar Abetare. Në këtë kapitull janë vendosur dy tabela me 36 shkronja të alfabetit. Në faqen 19 (foto 2 ) shkronjat e mëdha dyshe të shtypit janë të formës grafike alternative -SH-XH- etj. Në faqen: Shkronjat e mëdha dyshe të shtypit janë realizuar në formën grafike -Sh- Xh -etj sipas alfabetit standard shqip.

Shfletojmë tekstin Abetare + Abetare Pune, (botim 2012, “Pegi+Dukagjini”)

Teksti fillon me alfabetin standard të gjuhës shqipe (faqe 4-5, ). Edhe shkronjat dyshe janë realizuar sipas alfabetit standard. Por në kapitullin e parë Paraabetare si alfabeti dhe temat mësimore janë realizuar me shkronja të mëdha dyshe të shtypit mësuar në ciklin parashkollor; DH, GJ, LL, NJ, RR, SH, TH, XH, ZH. Tema:- NË SHTËPI.   Shembuj:- DHOMA,  BANJA, KUZHINA,… Tema :-NË MËNGJES . – Shembuj :-ZGJOHEM,  VISHEM, … Alfabeti standard i vendosur në faqen 4-5 u harrua nga nxënësit, sepse mësimi i përsëritjes së shkronjave është realizuar me formën e dytë grafike. Edhe në kapitullin e dytë emërtuar Abetare përdoren dy format grafike të shkronjave të mëdha dyshe të shtypit. Shembull.: Në faqen 52 është vendosur: -Mësimi i shkronjës –Sh sh-. Ngjitur me temën është shkruar titulli i tekstit SHKRONJAT NË SHI. Përmbajtja e tekstit është ndërtuar me fjali nxitëse dhe pyetëse për të ngulitur shkronjën e mësuar, si: -Më shkruani bukur! Pse na shtrembëroni? Mos më ngatërroni! Mos më harroni!

Cilën shkronjë duhet të mos ngatërrojnë shkronjën –Sh -apo –SH-? (foto 3)

Autorët kanë ngatërruar veten dhe nxënësit nuk dinë si të përgjigjen se cilën shkronjë nuk duhet të harrojnë!

E njëjta metodikë si mësimi i shkronjës –Sh-SH-është përdorur edhe për shkronjat Rr-rr. Dh-dh, Th-th etj. Temat mësimore janë me shkronja dyshe të mëdha sipas alfabetit standard. Titujt e teksteve përdorin shkronjat dyshe alternative ku lexojmë:- RRUSHI U POQ, DHËMBI I BARDHIT, THËNIA. etj .

Edhe në fletoren Abetare pune kemi përdorimin e njëkohshëm të dy formave grafike të shkronjave dyshe. Në faqen 61 në mësimin e shkronjës –Zh-zh -mësuesja lexon Zh e madhe e shtypit dhe zh e vogël e shtypit). Nxënësi plotëson në një rresht shkronjën -Zh –zh-. Në rreshtin e dytë sipas modelit të dhënë nga autorët mësuesja lexon – ZHA-ZHE-ZHU-ZHO-ZHY! Në rreshtin e tretë nxënësi sipas modelit të dhënë shkruan -zha–(foto 4).

Disa nxënës për rrokjen -ZHA-lexojnë –Z+H+A-!   Nxënësi nuk kupton asgjë, por shikon, lexon dhe plotëson në mënyrë mekanike rrumpallën e akademikëve, redaktorëve, komisioneve të miratimit të tekstit në vendosjen e shkronjave alternative brenda një ore mësimi.

Shfletojmë tekstin Abetare + Fletore Pune, (botim 2011, “Mediaprint”)

Teksti fillon me kapitullin Paraabetare. Nxënësit nëpërmjet pamjes vizuale të figurave tregojnë përmbajtjen e tyre. Temat e tekstit dhe emërtimi i figurave edhe në këtë tekst janë shkruar me shkronja të mëdha shtypi sipas mësimit në arsimin parashkollor dhe jo sipas standardit të shqipes.

SHTËPl, NË RRUGË, NË SHKOLLË, TRUMCAKU NDËRTON ÇERDHEN E TlJ. Ndërsa në kapitullin Abetare kemi përdorimin e shkronjave dyshe me dy alternativa. Hapim faqen 66-67. Tema mësimore:-Mësimi i shkronjës -Sh sh. Shembujt për të mësuar këtë shkronjë janë; SHlSHE, SHKALLË, PlSHlNË. Për të lexuar qartë rrokjet nxënësit po në këtë faqe lexojnë; SHl, SHU, SHE, SHË, SHY, SHO. Ndërsa në pjesën e leximit “Ditë me shi” përdoret shkronja Sh; Shpresa, Shpëtimi.

Loja me shkronjat dyshe është pothuajse në çdo faqe të Abetares. Edhe në temat e përsëritjes së shkronjave nuk kemi një vijueshmëri. të shkronjave dyshe. Në faqen 80 lexojmë Ll ,Nj, Gj, Rr,Th, në faqen 94 lexojmë, ZH, XH . Ndërsa në faqen 96-97 alfabeti me 36 shkronja të gjuhës shqipe për shkronjat dyshe realizohet sipas alfabetit standard. Në kapitullin e tretë “Pasabetare ” përdoren vetëm shkronjat dyshe të alfabetit standard.   Prindërit kur shohin vështirësitë që hasin fëmijët e tyre u drejtohen: – Mos e lodh veten! Kap ç’të kapësh!  Faqet e Abetares janë mbushur me shkronja dyshe alternative. Dhe në fund nxënësi i përdor dy format grafike të shkronjave dyshe të shtypit pa e vrarë mendjen.

Shfletojmë tekstin Abetare + Fletore e modeluar, (botim 2004, “ShBLSH e Re ”)

Temat mësimore dhe ushtrimet praktike për secilën shkronjë dyshe të madhe shtypi janë realizuar sipas normës standarde të alfabetit. Sa të kuptueshme janë nga nxënësit shkronjat dyshe ndërtuar me dy alternativa? Pyetja që i bëjnë mësueses është: -Në tabelën e alfabetit kemi të renditura 36 shkronja, ndërsa ne mësojmë më shumë? Pse shkronja e dytë njëherë është H—dhe njëherë është -h–, ndërsa shkronja e vogël e shtypit nuk ndryshon? Po kështu edhe shkronja e dorës përdoret vetëm në një formë grafike? Mësuesit ndodhen para një situate të vështirë. Ata u kanë shpjeguar nxënësve, që për çdo tingull të veçantë kemi një shkronjë të vetme. Mësuesit nuk kanë asnjë vendim nga Ministria, asnjë udhëzim nga specialistët e ciklit të ulët në Institutin e Zhvillimit të Arsimit se si duhet të shpjegojnë 9 shkronjat dyshe alternative vendosur në abetare!

 Në vitet 80 Ministria e Arsimit dhe Kulturës nxori udhëzimin drejtuar të gjitha shkollave për ndryshimin e shkronjës së dorës -Z z- të alfabetit. Në abetaren shkollore dhe në përdorimin e saj shkruhej me lak të mbyllur poshtë vijës së fletores poshtë sipas stilit Vladimir skript. Udhëzimi shpjegon që në vend të kësaj shkronje të përdoret shkronja e dorës – Z – z-sipas alfabetit miratuar në Kongres (Për fat të keq këtë model e shohim edhe tani në kopertinën e tekstit “Gjuha shqipe 6”, botimet Albas). Deri më sot nuk kemi tekste për parashkollorët të miratuar nga Komisioni i Vlerësimit të Teksteve Shkollore në Ministri. Pse duhet t’i vendosim në kapitullin “Paraabetare” mësimet që kanë bërë parashkollorët me shkronjat e mëdha të shtypit? Kopshtet dhe klasat e para janë të tejmbushura me fletë me shkronja të mëdha dyshe DH-GJ-LL-NJ-RR-SH-TH-XH-ZH, Libraritë janë të tejmbushura me tekste dhe fletë me shkronja të mëdha dyshe që nuk janë të shqipes standarde!

Shpjegimi i mësuesve është sa për të dalë nga situata:

– Kur në një fjalë të gjitha shkronjat e shtypit janë të mëdha (kapitale) mund të shkruhen të dyja me shkronja të mëdha. Por si mund t’i shpjegojë mësuesja fjalët HUDHRA, SHOH, SHPREH, NJËMBËDHJETË, ZGJATJE etj., ku shkronja H dhe J përdoren brenda një fjale njëherë si shkronjë më vete dhe njëherë për të formuar shkronja dyshe?

Krahasojmë me abetaren shkollore të vitit 1957. Në asnjë rast nuk kemi përdorimin e dy formave grafike të shkronjave dyshe. Shkronjat dyshe të shtypit i përgjigjen alfabetit standard shqip.

Kujtojmë Kongresin e Manastirit. Më 14 nëntor 1908 në qytetin e Manastirit morën pjesë njerëzit më të ditur të kombit shqiptar. Kongresi u zhvillua për të vendosur, se cili do të ishte alfabeti unik i gjuhës shqipe. Në sallën e madhe u futën 32 delegatë të ardhur nga 22 shoqëri kulturore-arsimore. Ata ishin nga Shqipëria, nga komuniteti shqiptar në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Amerikë etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mih’tat Frashëri, që vinte nga dera e shquar e frashëllinjve. Nënkryetar u zgjodhën Luigj Gurakuqi dhe Gjerasim Qiriazi. Në ditën e parë të punimeve u krijua Komisioni i Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Kryetar i Komisionit u zgjodh Gjergj Fishta. Anëtarë u zgjodhën Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Bajo Topulli etj. Për të krijuar alfabetin unik, u morën në shqyrtim alfabetet që u paraqitën. Komisioni vendosi që fillimisht të përdoren dy alfabete; ABC-ja e Stambollit dhe ABC-ja Latine. Për disa shkronja që nuk ishin në alfabetin latin u vendos të bashkoheshin dy shkronja, si: S+h = Sh / s+h=sh etj, në këtë formë grafike. Alfabeti me bazë latine pati një përdorim më të gjerë dhe u përdor në atë kohë e në rrjedhën e viteve. Krijimi i alfabetit shqip i dha identitet kombëtar dhe u bë një nga faktorët që e radhiti kombin tonë përkrah kombeve të qytetëruara. Me këtë alfabet punuan shkollat e para shqipe. Më 1909 u hap shkolla Normale e Elbasanit që përgatiti mësuesit e parë. Ata u përcollën dituri nxënësve me këtë alfabet. Edhe akti i Shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, u shkrua me alfabetin shqip të miratuar në këtë Kongres.Ndërsa disa autorë tekstesh pa një miratim shtetëror ndërtojnë shkronja dyshe për një tingull me një formë të re grafike, e cila bashkëjeton në çdo faqe të abetareve edhe me formën standarde të alfabetit. Shkronjat dyshe alternative plotësojnë numrin 45 të shkronjave të alfabetit që mëson nxënësi.

  1. Përdorimi në Abetare i dy formave grafike të shkronjës –a – e vogël e shtypit

Shkronja e parë e alfabetit është A a.

Që në shkrimet e para duke filluar me Gjon Buzukun, deri në vitet 1957, përdorej vetëm shkronja e vogël latinea- e shtypit. Para Kongresit të Manastirit dhe gjatë zhvillimit të punimeve të saj kishte disa tendenca që në alfabet të përdoreshin edhe shkronja sllave ose greke, por kjo kërkesë u hodh poshtë. Për shkronjën –a– u miratua vetëm shkronja latine –a-.

Shfletojmë tekstin e shtëpisë botuese “Shkronjë pas shkronje”. 

Në faqen 20, lexojmë temën mësimore: -Mësimi i shkronjës –A- a -të shtypit. Kjo lloj shkronje – a – e vogël e shtypit, që është përdorur në tekst  është një shkronjë, që nuk figuron në alfabetin standard të shqipes (foto 5). Shkronja – a – është e stilit Century Gothic (shkronjë evropiane). Për çudi kjo shkronjë përdoret në të gjitha faqet e abetares dhe të fletores së punës. Pse??? Nxënësit mbarojnë Abetaren e përzgjedhur nga mësuesit pa e njohur dhe mësuar shkronjën – a- të vogël latine të shtypit  origjinal sipas standardit shqip.

III. Përdorimi në Abetare i dy formave grafike të shkronjës -I- ( I  l ).

Shfletojmë tekstin e shtëpisë botuese “Shkronjë pas shkronje”. 

kapitullin Paraabetare nga faqja 3-18 kemi përdorimin e shkronjës së madhe të shtypit –I-(Iriqi), sipas normës standarde. Ndërsa në fillim të kapitullit Abetare, faqe 19 (foto 2), për shkronjën –I– është vendosur shkronja–l– e vogël e shtypit (lepuri). Ndërsa në faqen 21 tema mësimore “Shkronja -I -i-” realizohet, sipas shkronjës standarde të alfabetit. Në faqen 54 në temën mësimore “Përsëritja e shkronjave të mësuara, kemi përsëri shkronjën –l– në vend të shkronjës –I– të madhe të shtypit.

Kjo lojë e shkronjës –I -l- vazhdon dhe në alfabetin vendosur në krye të çdo faqeje. Nga faqja 20-42 është vendosur shkronja –I– standarde, ndërsa nga faqja 44-94 në vend të saj është shkronja –l-. Edhe në fletoren Abetare pune në faqen 4 përdoret shkronja –I-, ndërsa në alfabetin vendosur në faqen 62, 64 përdoret shkronja –l– në vend të –I-.

Shfletojmë tekstin e shtëpisë botuese “Mediaprint”. 

Si në tekstin Abetare dhe në Fletore pune në vend të shkronjës –I – të madhe të shtypit (Iriqi) përdoret vetëm shkronja -l –e vogël e shtypit , lepuri (foto 6 ).

Në mësimin e shkronjës –L-l –nxënësit hasin vështirësi kur mësojnë se shkronja –l-e vogël e shtypit, e mësuar si shkronja –I– e madhe e shtypit përdoret edhe për një tingull tjetër. Nuk arrijnë të dallojnë se kur tingulli –l–duhet të lexohet si –I– dhe kur duhet të lexohet si –l-! Nxënësit mbarojnë Abetaren e përzgjedhur nga mësuesit pa e njohur dhe mësuar shkronjën -I- të madhe të shtypit sipas standardit shqip.

Shkronja I-e përdorur në dy forma grafike plotëson numrin 46 në mësimin e shkronjave të mëdha alternative të shtypit për një tingull përdorur në abetaret shkollore.

Shkronja –I- e madhe e shtypit është mjaft e qartë që në “Ëvetari” i Naum Veqilharxhit (1844), dhe në alfabetin e miratuar në Kongresin e Manastirit. Autorët e teksteve nuk kanë ballafaquar shkronjat miratuar në Kongresin e Manastirit me shkronjat e vendosura në abetare. Autorët e teksteve janë të ndërgjegjshëm për përplasjen e dy shkronjave, sepse në një tekst faqe 30 lexojmë emrin lliri në vend Iliri. Shkronja e parë –l -është me ngjyrë të zezë, ndërsa shkronja e dytë –l-është me ngjyrë të kuqe. Topin ia lenë në derë mësueses. Nxënësit nuk e lexojnë dot emrin lliri pa një shenjë dalluese dhe shpjeguese të mësueses.

   Kush mban përgjegjësi për ndryshimin e alfabetit? Ministria që me gjithë vërejtjet e shumta që nga viti 2004 dërguar nga mësues nuk ka analizuar dhe diskutuar asnjëherë për abetaret që qarkullojnë lirshëm? Vetëm në vitin 2015 kjo ministri i dha porosi të prerë shtëpisë botuese “Pegi” të ripunojë abetaren e përbashkët mbi bazën e vërejtjeve të ardhura. Ndryshimi ishte i dukshëm. Krahasojmë abetaren e vitit 2012 me abetaren e vitit 2019. Pothuajse në çdo faqe janë hequr shkronjat alternative –l, a,g– duke u zëvendësuar me shkronjat standarde etj. Ministria a duhej të udhëzonte dhe shtëpitë e tjera botuese për të rishikuar tekstet fituese, që kanë gabime të njëllojta në alfabet me Abetaren e përbashkët? Nëse do të korrigjoheshin dhe tekstet e tjera nuk do të vazhdonin nxënësit të mos njohin shkronjën –a- dhe -I- sipas standardit të alfabetit shqip.

-Mbajnë përgjegjësi autorët e teksteve që kanë ndryshuar alfabetin standard? -Mbajnë përgjegjësi redaktorët dhe shtëpitë botuese?

-Mbajnë përgjegjësi recensentët me grada shkencore, që kanë firmosur për abetaret?

Dhe këtu e pëson mësuesi dhe  nxënësi, që nuk kupton se cilat shkronja duhen mësuar dhe cilat shkronja janë shaka të autorëve për t’ua bërë të mërzitshme dhe të pakuptueshme mësimin e alfabetit shqip!

Edhe në drejtshkrimin e disa shkronjave të tjera kemi ndryshime grafike. Në alfabetin e miratuar në Kongresin e Manastirit shkronjat e mëdha të dorës – XZ– dhe –Zh– përdoren me vizë në mes. Shkronjat e vogla të dorës –c-ç-e-ë- d –etj, shkruhen me vizë lidhëse. Përdorimi i vizave është harruar në abetaret shkollore në përdorim.

Krahasojmë me abetaren:

-Zhvillimi paralel i shkronjave të dorës dhe të shtypit ndërtuar nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore të Krahinës Autonome të Kosovës 1972. Shkronjat e vogla të dorës ndërtohen me vizë lidhëse. Gjithashtu në këtë tekst mësimor nuk kemi mësim–shkrimin e shkronjave të shtypit.

  1. Mësim-shkrimi i shkronjave të shtypit rrezik aktual në zhdukjen e shkronjave të dorës.

Që prej Abetares së Naun Veqilharxhit, në një periudhë kohore prej gati 170 vitesh janë hartuar mbi 150 abetare për t’u mësuar fëmijëve abc-në e gjuhës shqipe. Po të shfletosh këto abetare nuk kemi mësim-shkrimin e shkronjave të shtypit. Mjafton të shfletosh faqe nga libri i Prof. Dr. Sh Osmani,   Nj. Kazazi “Abetaret shqipe dhe trajektorja e tyre historiko–pedagogjike” (nga fillimet e saj  deri në vitet 2000) do të përforcosh mendimin se në asnjë faksimile të marra nga këto abetare, në asnjë frazë nga autori nuk gjendet shprehja mësim-shkrimi me shkronja shtypi. Kolë Koci në librin “Metodika e Bukurshkrimit ” 1948-1959 rekomandon që vetëm në klasë të katërt në orën e vizatimit mund të mësohen shkronjat e shtypit. Mësimi i tyre ka interes praktik për të shkruar ndonjë parullë a njoftim.

Ndërsa në tri abetaret “Shkronjë pas shkronje”,“Abetare e përbashkët Shqipëri –Kosovë ” Abetare “Hap pas hapi” nxënësit gjatë tërë vitit ushtrohen të vizatojnë bukur shkronjat e shtypit. Nxënësit mësojnë jo bukur-shkrim, por bukur- vizatim. Nxënësit vizatojnë, sepse ndërtimi grafik i shkronjave të shtypit realizon shkrimin e tyre të veçuar njëra nga tjetra. Fakti që nxënësit duhet të plotësojnë etiketat me shkronja të ndara nga njëra tjetra vërteton se abetarja është kthyer në një libër vizatimi.

-Nga cili udhëzim ose vendim janë nisur autorët e këtyre teksteve për të futur në abetare edhe mësim-shkrimin (vizatimin) e shkronjave të shtypit?

Në programin e Abetares 2011 (Shqipëri) në kapitullin Zhvillimi i aftësive shkruese, fq 5 lexojmë:

Të shkruajnë shkronjat e dorës të gjuhës shqipe. Edhe në 15 udhëzimet e këtij kapitulli nuk gjen asnjë rresht ku të lexohet fjalia: –Të shkruajnë me shkronja shtypi për zhvillimin e aftësive shkruese të nxënësve. Në programin e Abetares 2011 (Kosovë) në kapitullin Literatura është rekomanduar që autorët e tekstit në hartimin e saj të mbështeten tek abetarja e Qamil Batallit. Në këtë abetare nuk ka asnjë kërkesë që nxënësit të mësojnë të shkruajnë me shkronja shtypi. Shembull: Plotësoni me gojë shkronjën e munguar duke parë figurën TEU__A (TEUTA)  __RA (URA) etj.

-Por a e kanë shfletuar këtë abetare autorët e teksteve? Fakti që abetarja e përbashkët është realizuar me dy programe tregon që në fillim se nuk është bërë një punë serioze mbi baza metodike-shkencore. Njëri program i bie gozhdës dhe tjetri patkoit; njëri program realizon programin me 8 orë javore, programi kosovar e realizon me 7 orë javore!

 

Mësim-vizatimi i shkronjave të shtypit mbushin faqet e Abetareve dhe të Fletoreve të punës

Tekstet janë në garë se kush do të zhdukë i pari shkronjat e dorës të gjuhës shqipe, me të cilat aq bukur janë shkruar dokumentet me vlerë kombëtare të Atdheut.

Në Abetaren “Shkronjë pas shkronje” 2004, në 115 faqe, nxënësit vizatojnë vetëm shkronjat e shtypit., me prioritet shkronjat e mëdha, të cilat përdoren vetëm në fillim të fjalisë. Ndërsa në Fletoren e punës nga 77 faqe vetëm në 33 faqe nxënësit mësojnë të shkruajnë me shkronja dore. Kthyer në përqindje, as 41%. Në Abetaren e përbashkët “Shqipëri-Kosovë” (2012) kemi të realizuar në 165 faqe vetëm mësim– vizatimin e shkronjave të shtypit. Ndërsa vetëm në 35 faqe nxënësit mësojnë të shkruajnë me shkronja dore. Pra, 21,2%.

Në Abetaren “Hap pas hapi” kemi të realizuar në 127 faqe vetëm mësim– vizatimin e shkronjave të shtypit. Ndërsa në Fletoren e punës, kemi përsëri të realizuar mësim-vizatimin e shkronjave të shtypit ku nxënësit plotësojnë 210 etiketa dhe vetëm në 19 faqe nxënësit mësojnë shkrimin e shkronjave të dorës. D.m.th., 4,8%    Në vitin 1907 Shoqëria Bashkimi boton librin “Abetari i citun prej shokniet të Bashkimit t’gjuhës shqype” përvetësimit të mekanizmit të shkrimit të dorës i kushtohen 33 njësi mësimore, gati gjysma e librit. Abetaret e sotme shumë pak përdorin mësim-shkrimin e shkronjave të dorës. Koncepti që në zhvillimin e mjeteve elektronike, celular, laptop, kompjuter etj., kërkon që nxënësit duhet të përqendrohen në mësim-shkrimin e shkronjave të shtypit është i gabuar. Shkronjat e shtypit komandohen me anë të tastierës dhe nuk kërkon mësim-shkrimin e tyre për t’u mësuar nga nxënësit. Mjafton që nxënësi di të lexojë shkronjat e shtypit. Nxënësi hap Abetaren dhe shikon kutia, shigjeta për t’i plotësuar me shkronja shtypi. Nxënësi hap “Fletore pune” dhe shikon përsëri kutia, shigjeta pambarim për t’i plotësuar po me shkronja shtypi. Në klasën e parë nxënësit vizatojnë shkronjat e shtypit edhe në një tekst të tretë. Libraritë janë të tejmbushur me fletore pune. Shkolla të ndryshme zgjedhin një nga këto fletore pune. Shembull: Në shkollën V. Shanto në Tiranë nxënësit punojnë në fletore pune për parashkollorët dhe nxënësit e klasës së parë me titull “Shkronjat e shtypit” (foto 7). Prindërit u kanë blerë dy fletore pune. Në njërën fletore nxënësit punojnë në klasë, ndërsa me tjetrën  nxënësit vazhdojnë të stërvitin dorën në shtëpi. Në disa shkolla shikon fëmijë të stresuar, që vizatojnë në fletë A4 shkronjat e shtypit. Në mure të klasës janë vendosur në fletë shkronjat e shtypit blerë në librari. Mjetet mësimore që shiten në librari janë të pakontrolluara dhe të palicencuara për t’u përdorur në procesin mësimor. Analizojmë një fletë të këtij teksti.

Në fillim të faqes lexojmë SHISHE, –Sh –Për këto dy shkronja kemi dhe shënimin: –Mësuesi ose prindi shpjegon ndryshimin (foto 8). Pohohet që  këto janë dy shkronja të ndryshme, por i përgjigjen një tingulli që del me zë nga goja. A e kupton nxënësi? Këto tekste të pa certifikuara ngatërrojnë më shumë nxënësit në mësimin e alfabetit. Në vend që në abetare nxënësit të mësojnë si shqiptohen tingujt, cilës shkronjë i përket një tingull, cilat nga këto shkronja janë zanore dhe cilat janë bashkëtingëllore, si ndërtohet rrokja, që janë baza elementare në ndërtimin rrokësor të fjalës etj., merren gjithë kohën me vizatimin e shkronjave të shtypit, të cilat nuk kanë asnjë funksion praktik në vitet e ardhshme.

Kontrollet janë formale në këtë fazë të arsimimit, pikërisht aty ku duhet të ishe fokusuar kontrolli dhe ndihma.Po ç’ndodh në të vërtetë? Kontrolle ka, por ato përqendrohen: a) Si është realizuar ditari? b) A janë vendosur në ditar lidhja e kompetencave kyçe me kompetencat e fushës? c) A janë mbushur muret e klasës me shkronjat e shtypit? d)A janë sistemuar dosjet personale të çdo nxënësi etj?

Ndërkaq konstatojmë, se njëkohësisht në shkollat tona vazhdon të përdoret Abetarja e përshtatur e K. Xhumarit. ( “ShBLSH e Re ”). Ku me të drejtë nuk kemi kërkesa për të plotësuar ushtrime me shkronja shtypi në asnjë ushtrim. Kërkesat e ushtrimeve janë të qarta, si p.sh.,

  • Plotëso fjalitë me mend dhe zë (realizimi i ushtrimit nuk kërkon të plotësohet me shkronja shtypi).
  • Lexo fjalitë duke plotësuar rrokjet e fjalës që mungojnë (modeli i ushtrimit është shkruar me shkronja dore, prandaj dhe ushtrimi do të realizohet me shkronja dore).
  1. Shkronjat e dorës po shuhen nga mësim-shkrimi i shkronjave të shtypit

Mësuesit tregojnë për vështirësitë që hasin në mësim-shkrimin e shkronjave të dorës. Fëmijët shkruajnë me një pjerrësi 25 gradë djathtas. Mësuesi i drejton shkrimin, sepse kështu e kërkon abetarja.  Shkronjat e dorës janë realizuar me një kaligrafi që shtrembëron origjinalitetin dhe bukurinë e tyre; ato janë realizuar drejt dhe jo me pjerrësi 25 gradë. Deri vonë, përdoreshin fletore bukurshkrimi me vija horizontale dhe vertikale me pjerrësi 25 gradë. Vijat vertikale shërbenin që nxënësi të ruante pjerrësinë në të shkruar. Shkrimi drejt krijon shkëputje nga një shkronjë në një tjetër dhe sforcon nxënësin. Baza e alfabetit shqip është alfabeti latin. Po të shfletosh dokumentin e Kongresit të Manastirit dhe tekste metodike për mësimin e gjuhës franceze, italiane, që kanë si bazë alfabetin latin shkronjat e dorës shkruhen pa shtrembërime dhe thjeshtime, dhe me pjerrësi 25 gradë nga e djathta. Pas vitit 1944, si për çdo ndryshim të traditës nga Ministria e Arsimit u miratua të përdorej shkrimi skript, një shkrim i stilizuar që i përngjante mjaft shkrimit të shtypit. Eksperimentimi për t’iu larguar traditës dështoi. Nxënësit nuk arrinin shpejtësinë në të shkruar, shkrimi çoroditej dhe shëmtohej. Pas dështimit të këtij eksperimenti Ministria përsëri iu rikthye traditës së shkrimit të pjerrët dhe pa stilizime të shkronjave të dorës. Abetaret e reja i janë shmangur traditës 170 vjeçare të abetareve dhe kanë realizuar shkronjat e dorës me shkrim të drejtë dhe të thjeshtësuar, të cilat lundrojnë të qeta nëpër shkolla pa u analizuar nga institucione kompetente dhe në mënyrë shkencore për dëmet kolosale që sjell në shkatërrimin e Alfabetit shqip! (foto 9). Asnjë komision i miratimit të teksteve ose gjuhëtar nuk ka folur për këtë fenomen të ri që u shfaq në abetaret shkollore! Është tejkaluar deri aty sa këto abetare kanë marrë firmën edhe nga gjuhëtarë me grada shkencore si autorë ose recensent teksti. Në tekstin e përbashkët Shqipëri-Kosovë mësimi i shkronjave të dorës realizohet paralelisht me mësimin e shkronjave të shtypit. Sa vend zë mësimi i shkronjave të dorës? Në dy faqe mësimi për shkronjën R r– (faqe 30-31) vetëm në një rresht nxënësi shkruan me shkronja dore (foto 10).

Kërkesat e ushtrimeve janë me shkronja shtypi. Modeli i ushtrimeve është me shkronja shtypi. Shkronja e dorës -R -r -është vendosur vetëm në krye të mësimit dhe në fund të faqes ku nxënësi do të plotësojë vetëm një rresht dhe vetëm shkronjën e madhe –R– . Po shkronja e vogël –r– pse është harruar? Kjo metodikë është përdorur në të gjitha faqet e mësim- shkrimit të shkronjave të shtypit dhe të dorës. Mësim-shkrimi i shkronjave të shtypit ka sjellë një çorientim në shkrimin e nxënësve. Mjafton të shfletosh disa detyra të nxënësve do të shikosh që disa shkruajnë me shkronja shtypi, disa me një përzierje të shkronjave të shtypit me shkronjat e dorës brenda një fjale, disa me shkronja dore duke shtrembëruar dhe thjeshtuar zbehur bukurinë e tyre, sepse kështu janë realizuar në Abetare.

   Në udhëzimin e MAS “Standarde për tekstet shkollore, 2014” në faqen 16 lexojmë: Teksti shkollor duhet të plotësojë kritere teknike minimale të përcaktuara:- 1. Organizimi i përmbajtjes së tekstit shkollor. 2. Formati i prerë i tekstit shkollor. 3. Madhësia e germave. 4. Hapësira mes rreshtave. 5. Lloji i letrës për librin.

Edhe në “Altertekstin” e vitit 2012, në faqen 25 në kapitullin:

-Specifikimet teknike të teksteve janë renditur kërkesat:-1. Numri i faqeve. 2. Formati i prerë. 3. Numri i ngjyrave. 4. Lloji i lidhjes. Në asnjë nga dy udhëzimet nuk jepet lloji i shkronjave të shtypit dhe të dorës që duhet të përdoren në tekstet shkollore.

Nga një studim i shkronjave të shtypit vendosur në kompjuter rezulton se stili i shkronjave Tahoma i përgjigjet formave grafike të shkronjave të shtypit të mëdha dhe të vogla të alfabetit shqip. Nëse do të ishte përcaktuar në udhëzim nuk do të kishim në abetare alternativa të shkronjës -a- ,-I–, -g-. Ky stil mund të përdoret edhe në gazeta, revista, televizion për të shpëtuar zhdukjen e disa shkronjave të shtypit të alfabetit.

Në një kohë kur kompjuteri përmban dhe stile të ndryshme të shkronjave të dorës, pse në të tria abetaret shkronjat e dorës realizohen nga skicografë analfabetë? Që me abetaret e para shqip autorët i kanë vënë rëndësi kaligrafisë së shkronjave të dorës. Mjafton të shfletojmë librin “Abetaret shqipe dhe trajektorja e tyre…” menjëherë të bie në sy realizimi i shkronjave të dorës origjinale. Krahasojmë shkrimin e shkronjave të dorës në abetaren shkollore të vitit 1957 me abetaren shkollore të vitit 2019. Menjëherë shikon ndryshimin që kanë pësuar shkronjat e dorës në abetaret në përdorim (foto 11). . Një thënie popullore: “I ke bërë si këmbët e pulës”, i përshtatet shkronjave të dorës dizenjuar në abetaret shkollore. Edhe për shkronjat e dorës në kompjuter gjen disa stile. Stili që i përgjigjet tërësisht shkronjave të mëdha dhe të vogla të dorës sipas kaligrafisë dhe pjerrësisë miratuar në Kongres është ”Kunstler Script”. Pse duhet të përdoren shkronja të skicuar në mënyrën më primitive, kur të gjithë shtetet që kanë si bazë alfabetin latin për të ruajtur identitetin dhe bukurinë e tyre përdorin shkronjat e dorës nga kompjuteri?

Këto janë disa vërejtje të dukurive të jashtme që të bien menjëherë në sy, sapo hap tekstet shkollore të abetares, pa përfshirë përmbajtjen e tyre.

Në këtë lëmsh në mësimin e shkronjave të shtypit dhe të dorës, ndikon edhe përdorimi i gabuar i metodës globale në hartimin e tri abetareve në përdorim duke mos zbatuar udhëzimet e programit mësimor për abetaren.

   Në programin 2011 (faqe 10) lexojmë :- Metoda analitike-sintetike është metoda bazë në të cilin mbështetet mësimi i lexim-shkrimit. Koncepti mbi këtë metodë lidhet me analizën dhe sintezën e tekstit, të fjalisë, fjalës dhe rrokjes. Ashtu si një fëmijë zbërthen dhe mbërthen një makinë lodër ashtu duhet të punojë edhe me gjuhën. Që në abetaren e parë N. Veqilharxhi e njihte metodën globale, por ai përdori metodën sintetike duke u mbështetur në atë rrokësore. Edhe Kristoforidhi, Sami Frashëri përdorën metodën fonetike dhe fonosilabike ku formimi i fjalëve realizohej me rrokje të mësuara. Kristoforidhi shprehet:-Po nuk the një nuk mund të thuash dy. Mbas krijimit të qeverisë shqiptare gjatë viteve 1920 kemi një përpjekje mbarëkombëtare të didaktëve për të studiuar metodën që t’i përgjigjej sistemit fonetik të gjuhës shqipe. Kështu u përcaktua si formë zyrtare metoda analitike – sintetike e gërshetuar vetëm në disa mësime në fillim të abetares me metodën globale. Jani Minga e ribotoi abetaren sipas metodës analitike-sintetike. Aleksandër Xhuvani në abetaren e tij përdori metodën analitike-sintetike (1922-1939). Metoda globale është përqafuar dhe realizuar me sukses në ato gjuhë që ndryshe shkruajnë dhe ndryshe lexojnë (anglishtja ) ose kur e njëjta shkronjë lexohet ndryshe sipas shkronjave me të cilat bashkohet.

Në vitin 1938 metodisti i njohur Kol Xhumari për 5 vjet eksperimentoi në mënyrë individuale në shkollën “Murat Toptani” metodën globale, të ideuar nga Ovid Dekroli, por dështoi.

Në vitin 1946 K. Xhumari ngarkohet nga Ministria e Arsimit për të eksperimentuar metodën globale, por përsëri kjo metodë pati rezultate të papërfillshme.

Kështu abetaret, nga viti 1948 e në vazhdim, në mësimin e shkronjave, u ndërtuan sipas metodës analitike – sintetike. Abetaret me autor Kol Xhumari në Shqipëri, Mehmet Gjevori dhe Qamil Batalli në Kosovë, Xhevat Gega në Maqedoni kanë përdorur metodën analitike-sintetike.

Ndërsa abetaret e sotme shpërfillin eksperiencën 170 vjeçare të abetareve duke përdorur metodën globale në mësimin e shkronjave.

Shembull.: Për mësimin e shkronjës F, nxënësit në Abetaren e përbashkët, ballafaqohen me 10 shkronja të pamësuara, sepse përdoret metoda globale.

Ja si do ta lexojë nxënësi vjershën “Flamuri ” në faqen 55 :

(N_ _rë të ku_e ka flamuri, )  (Ngjyrë të kuqe ka flamuri,)
(me sh_ipo_ën me _ _ krerë, )  (me shqiponjën me dy krerë,)
(na _ep emrin më të bukur, )  (na jep emrin më të bukur,)
(_am sh_ iptar me besë e n_er. ) (jam shqiptar me besë e nder.)
(N_ a_ përherë për _ _o festë, )  (Ndaj përherë në çdo festë,)
(_esh me ga_ blu_ë të ku_e. )  (vesh me gaz bluzë të kuqe. )
(Më_ _otë mami f_t_rë _ eshur: ) (më thotë mami fytyrëqeshur:)
(“Ti më _e si lulëku_e.” ) (“Ti më je si lulekuqe.”)

 

Janë të pamësuara shkronjat gj,y,q,nj,d,j,ç,v,z,th, që vijnë pas shkronjës  -f .

Metoda globale është përdorur edhe në abetaren “Shkronjë pas shkronje” dhe “Hap pas hapi”. Ndërsa abetarja e SHBLSH e Re përdor metodën analitike-sintetike.

Edhe programi i ri për abetaren përgatitur nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit 2016 është skematik. Sa do t’i orientojë autorët e teksteve ky program? Në këtë program nuk është përcaktuar metoda që do të përdoret. Sipas programit mund të miratohen tri metoda të ndryshme për secilën tekst alternativ (metoda fonike–alfabetike, globale, metoda analitiko-sintetike. Nuk është përcaktuar faqosja e saj. Abetarja do të jetë një tekst i vetëm; apo shoqëruar edhe me fletore pune? Duhet t’i rikthehemi traditës me ndërtimin e dy teksteve; Abetare dhe Libri i leximit? Do të vazhdojë mësim-shkrimi i shkronjave të shtypit, sepse në program nuk është përcaktuar qartë? Në faqen 33, në programin 2016, tek kolona Njohuritë lexojmë fjalinë përgjithësuese:- Shkrimi i shkronjave të gjuhës shqipe. Ndërsa në kolonën Shkathtësitë lexojmë përsëri shprehjen e përgjithshme:-Dallon dhe shkruan shkronjat e gjuhës shqipe. Programi i ri është ndërtuar sa për të kaluar radhën. Me këtë program kuptohet se çfarë abetare do të ndërtohet dhe përsëri do të kemi përsëritjen e abetareve në përdorim.

MËSUESE

Asije Hoxha