Suplementi Pena Shqiptare/ Kadri Tarelli: “Urgjenca gjuhësore” ulërin, ne bëjmë sehir!

584
Jo mirë, madje keq po e nis fjalën që në kryeshkrim,“Urgjenca gjuhësore” ulëret, askush nuk e dëgjon! Jo si gjetje letrare apo artistike, por nga zemërimi dhe trishtimi që ndiej kur dëgjoj e shikoj marrëzira të tilla, që cenojnë e dëmtojnë gjuhën shqipe. Në ujërat e lumit të turbulluar me faje e gabime ndaj gjuhë shqipe, ca pa dashje e shumë me pëlqim, po e filloj ligjëratën me dy shembuj të thjeshtë, që më mjegulluan shikimin dhe shurdhuan dëgjimin. Më pas më gjykoni nëse kam të drejtë:
Rasti i parë: Në një nga ekranet tona televizive, fatkeqësisht edhe kombëtar, (nuk e meriton t’i përmendet emri), po jepet orë pa orë një reklamë marketingu me fjalë të çuditshme: “Dua folloun e trendit tim”. Nuk është e vështirë të përkthehet nga anglishtja, po dreqi e mori, s’paka fjalë shqipja jonë, që po merr e po fut “pa doganë” fjalë të huaja, në reklama që jepen për ne shqiptarët!? Në mërzitje, pyetjet vinë radhë-radhë e s’të lenë të qetë. Si të mos turbullohesh kur dëgjon mbroçkulla të tilla, që e prishin gjuhën shqipe, të vetmen pasuri që trashëgojmë prej shekujsh, e që na dallon nga të tjerët si shqiptarë. Mirë “Yzmeqari”, apo “argati” aq mendon e aq bën, medemek nga zelli i tepruar i shërbëtorit që, për t’u dukur i veçantë “shpik” e thotë marrëzira, po “agai” (pronari) si e pranon? (kërkoj ndjesë për turqizmat, po si të tillë po sillen). Apo s’e çan kokën se çfarë prishet, duke na mbyllur gojën mua dhe shumë të tjerëve, me një shprehje që dëgjohet shpesh, edhe kjo “pa doganë”: Po s’të pëlqeu, mbylle, ose ndërro kanalin! Nuk di çfarë t’i them këtij zotërie, që për fat të keq nuk është vetëm një. Fjala e pamirë del nga sikleti: Po nuk është kanal i ujërave të zeza dhe po marr edhe unë një lopatë, po thërras edhe komshinjtë e banorët e lagjes dhe po ndihmojmë ta mbyllim, se na qelb era e keqe. Është televizor që transmeton për të gjithë ne publikun, të rritur dhe të vegjël. Veç kësaj, ç’ kusur ka gjuha jonë, e imja dhe e jotja, që ti lejon të dëmtohet pa ndjerë përgjegjësi e keqardhje? Thashë pyetjet nuk shteren: Po pranoj se pronari privat edhe s’e çan kokën, po organet shtetërore të specializuara, ç’dreq pune bëjnë, a vëzhgojnë, dëgjojnë e shikojnë si zbatohen ligjet dhe rregullat në mbrojtje të gjuhës shqipe, që është e shenjtë? Një fjalë e urtë thotë: “Çdo dele varet nga këmba e saj”, por më tej me mençuri shton: “Por kur prishet, qelb gjithë dynjanë”.
Rasti i dytë: Në një portal interneti të ditëve të fundit, lexoj një shkrim me titull: “Me normat e mësuesit, për shqipen e deputetit”. Autori shkulej gazit kur citon në ligjëratë të drejtë, të gjitha fjalët dhe fjalitë e një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, diku të ngrëna e të cunguara, diku shkronjat të ngatërruara e të munguara, për shenjat e pikësimit, mos pyet se ku janë e ku vihen. Kuptohej, qeshte se s’ka fuqi të qajë e lotët ku t’i mbajë, shaminë ku ta thajë e helmin zeher me ne ta ndajë. Ndaj ai ngre zërin, mbase e dëgjon shurdhëria: “Gjuha shqipe po masakrohet, me një masakër që edhe pesë shekujt robërie otomane, do ta kishin zili”. (Abdurahman Ashiku. “Fjala e lirë”. 20. 04. 2017).
Rastet që përmenda më sipër janë sa për kujtesë, megjithatë u bënë shkak që të nis e të bitis këtë shkrim me shembuj të hidhur, me bindje se po i bashkohem zërit të idealistëve që e duan kombin dhe gjuhën shqipe. Le të më gjykojnë, nëse e kam gabim, e kam tepruar apo kam të drejtë. 
Duke u nisur nga ç’shikoja nëpër letra e udhëzime që vinin nga MASH dhe DAR, para disa vjetëve botova një shkrim: “A ka doganë për fjalën e huaj, po doganier kush është?”. Gazeta “Mësuesi”. 28. 06. 2008. Gjithnjë me mendimin se dikush do dëgjojë e do ta “verë ujin në zjarr”. E kuptoj, me një apo disa shkrime gazete, vetëm sa mbahet zjarri i ndezur, por nuk zgjidh gjë: 
së pari, s’dëgjoi njeri e nuk u ndreq gjë dhe së dyti, kisha prekur vetëm një pjesëz të vockël të problemit. Ndryshe është kur del një libër i plotë studimor e shkencor, i punuar nga një akademik i përmasave si Gjovalin Shkurtaj. Këtë përfundim e nxjerr tani që lexoj librin “Urgjenca Gjuhësore”, libër që e mbaj në tavolinë dhe e shfletoj sa herë më duhet të këshillohem për drejtshkrimin. 
Cili dëgjues apo intelektual nuk trishtohet, kur lexon e dëgjon kaq shumë shkrime e fjalime me kaq shumë “lajthitje gjuhësore”, ca nga mosdija e shumë nga pakujdesia e papërgjegjshmëria, disa nga mendjelehtësia, dembelizmi e siguria, (nuk ndëshkohet as gabimi e as faji). Pse e vogël quhet prekja e alfabetit tonë, me ligësinë e mendimit, se, s’ka ç’i bëhet shqipes për një (ë), e për një (ç), që kompjuteri i ka, por shkruesit përtojnë t’i gjejnë e t’i zbatojnë. Dhe zyrtarët, eh zyrtarët tanë, i pranojnë! 
Ky libër bën trajtim shkencor të problemeve, madje në vetvete bën edhe thirrje: Pse nuk dëgjohen të diturit, akademikët tanë? Kaq e vështirë është të fillohet kujdesi për gjuhën? Me aq sa di e sa njoh unë, shtetarët dhe popujt e botës, akademikëve u ulen në gjunjë, apo i ngrihen në këmbë për t’i nderuar e dëgjuar, ndërsa ne as që i vërshëllejmë fare, sikur nuk janë këtu e s’flasin për problemet tona që po i merr lumi. “Pa gjuhë të pasur e të pastër, s’ka as ide e mendime të larta”, shkruan Idriz Ajeti. Po i drejtohem librit, sepse ka pak kohë që është botuar, duke ngritur një shqetësim qytetar dhe atdhetar, në përpjekje të mbrojtjes së gjuhës shqipe, nga shtrembërimet, huazimet e fjalët e huaja, nga gabimet drejtshkrimore e ndërtimet sintaksore, nga dialektalizmat etj. I gjithi ngacmon, së paku institucionet që licencohen e kontrollohen nga shteti: pse ka rënë heshtja?. Të diturit kanë thënë prej kohësh, se s’ka problem që nuk zgjidhet, po të ketë vendim, vullnet e dëshirë. Sepse siç thekson Eqerem Çabej: “Pastrimi i gjuhës nga ky mish i huaj është një detyrë shkencore, njëkohësisht edhe kombëtare”. Nuk më rëndet të pohoj, se pavarësisht që gjithë jetën jam marrë me lexime e shkrime, përsëri kur po lexoj këtë libër, që po e quaj “mësuesi i heshtur”, ndjej dhe pranoj se bëj gabime, ashtu siç bëjnë edhe të tjerët, por që s’na korrigjon njeri. Dikush edhe mund të më thotë: Atëherë ç’po kërkon? Pikërisht këtë po lakmoj, se pavarësisht kulturës gjuhësore dhe përvojës shumë vjeçare, me kalimin e viteve formohet një lloj besimi në vetvete, se je dhe bëhesh i pagabueshëm. Ndaj duhet “Doganieri”, korrektori letrar e gjuhësor, që të vendoset në çdo zyrë, shtëpi botuese e redaksi gazete. Më tej akoma, të vendoset provimi i gjuhës për nëpunësit, sekretaret, folësit e mediave elektronike, ashtu si për mësuesit e shkollave. Kam përshtypjen se personat drejtues e vendimmarrës, kërrusen e thyhen nga barra që mbajnë, për hatër të nëpunësit dhe vartësit të paaftë e të paditur.
Që në faqet e para të këtij vëllimi shkencor, ndeshim në tema mjaft të mprehta, që nisin me pyetje që alarmojnë çdo qytetar të thjeshtë, ca më shumë intelektualët e shkolluar e të kënduar. Thjesht po përmend vetëm disa tituj: 
– Nga se rrezikohet më shumë sot gjuha shqipe? 
– Shqetësime për kulturën e gjuhës së shtetit. 
– Gjendja e gjuhës shqipe në gazetarinë e shkruar dhe në mediat elektronike. 
– thyerje të normës drejtshkrimore në gazetarinë e shkruar. 
– Fjalët e huaja të panevojshme në shtypin e shkruar dhe në ligjërimin e folur të mediave etj., Si fillim, në disa tema si këto edhe në plot të tjera, akademiku Shkurtaj, me profesionalizëm të dukshëm, parashtron para lexuesit dhe përdoruesit të tekstit, problemet që shqetësojnë dhe rrezikojnë gjuhën shqipe. Kjo është vetëm njëra kambanë e alarmit të “Urgjencës gjuhësore”, sepse po kaq e rëndësishme është edhe trajtimi metodik e gjuhësor i gabimeve që bëhen rëndom në të gjithë shkrimet, si në libra, gazeta, shkresa zyrtare, përfshi edhe mediat televizive, për të vazhduar me portalet e internetit. Kudo e kurdoherë, lemerisesh nga gabimet, aq sa duhet të zësh kokën me dorë. Për këtë duhet shtuar falënderim e mirënjohje autorit, pasi vepron si mësues i duruar, që na mëson të mos gabojmë dhe si t’i ndreqim e të shtojmë njohuritë tona për drejtshkrimin, të folurin bukur e letrarisht të gjuhës shqipe. Në pjesën e dytë, që zë edhe më shumë volum në libër, vendoset “Fjalori i barbarizmave dhe i huazimeve të zëvendësueshme me fjalë shqipe”. Siç shihet, ka një përpjekje serioze nga autori, për të ndihmuar të gjithë ata që po merren dhe do të merren me shkrime, gazeta, shkresa e fjalime. Në këtë rast kemi një vepër studimore-shkencore me një shtrirje kaq të gjërë, e të munguar në veprimtarinë publicistike e mediatike. (Kërkoj ndjesë nëse nuk kam njohje për punime të tilla nga të tjerët autorë). Megjithatë unë mendoj se kemi në dorë një libër shumë të dobishëm e të nevojshëm, jo vetëm për gjuhëtarët. Zgjatja e fjalës është e tepërt për lexuesin e kënduar. Libri shkencor “Urgjenca gjuhësore”, nuk ka nevojë për reklamë. E gjen vetë udhën për te lexuesi e përdoruesi. Megjithatë në përfundim po përmend disa fjalë të arta, nga të diturit tanë, që nuk kursyen jetë, pasuri e dituri për gjuhën dhe kombin. Mësimet e tyre të vyera, të thëna e të shkruara më shumë se një shekull, çuditërisht si atëherë, na vlejnë edhe sot, mbase edhe më shumë. Nuk është frymëzim, por nevojë që t’i thërrasim përsëri, t’i kemi pranë, t’i dëgjojmë dhe porositë t’i vëmë në udhën e mbarë:
Ngrehu Nam Frashëri, bilbili i shqipes, e na këndo që ta dëgjojmë edhe një herë: “Shqip të flisni përherë, fjesht e të papërzjerë”.
Ngrehu Faik Konica, sovrani i gazetarisë, rrëmbe penën, bërtit e zgjo shqiptarët nga përgjumja. Më pas lutju Zotit me fjalët që nuk vyshken kurrë: “Zot! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthitjet e shtypit. Ashtu qoftë!
Në pasthënie të këtij libri, të shkruar me art fjale e durim shkence, vetë autori Gjovalin Shkurtaj, me thjeshtësinë e mendimtarit fisnik, kumton: “Le të jetë, pra, edhe libri ynë “Urgjenca gjuhësore”, një sprovë sado modeste për jetësimin e mësimeve, porosive dhe amanetit të atyre që na hapën e ndriçuan udhën”.

Kadri Tarelli
Durrës më 24. Të Prillit. 2017
Sigal